Presidenti iranian, Ebrahim Raisi

Mbi 500 persona të vrarë gjatë revoltave në Iran, presidenti iranian: Protestat kundër qeverisë u mposhtën

12 Shkurt 2023, 11:04| Përditesimi: 12 Shkurt 2023, 11:12

  • Share

Gjatë fjalimit në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se protestat mbarëkombëtare kundër Qeverisë janë mposhtur.

Komentet e tij të bëra më 11 shkurt vijnë kur mijëra iranianë marshuan në qytetet në mbarë Iranin dhe ushtria organizoi një paradë ushtarake në Teheran. Në fjalën e tij të së shtunës, Raisi përsëriti akuzën se protestat janë provokuar dhe nxitur nga Perëndimi.

"Shikoni se çfarë bënë armiqtë në këtë një vit dhe çfarë komplotesh organizuan? Por kombi historik i Iranit njohu dorën e keqe të armikut dhe shkëlqeu me shkëlqim në skenë dhe mundi armikun. Çështja e armikut nuk është as gratë, as jeta, liria, të drejtat e njeriut dhe programi bërthamor, por përkundrazi ata duan të heqin pavarësinë, lirinë dhe jetën paqësore të kombit iranian”, tha Raisi.

"Grua, jetë, liri" ka qenë slogani kryesor i protestave të shkaktuara nga vdekja e Amini më 16 shtator, një gruaje iraniane me origjinë kurde.

Televizioni shtetëror tha se festimet për 44-vjetorin e Revolucionit Islamik u mbajtën në 1,400 qytete dhe qyteza në të gjithë vendin dhe transmetuan pamjet e mitingjeve të mëdha në Isfahan, Mashhad, Shiraz dhe Tabriz.

Festimet shënojnë ditën kur qeveria e shahut ra 10 ditë pasi kleriku shiit Khomeini u kthye nga mërgimi. Shah Mohammad Reza Pahlavi ishte larguar nga Irani në janar 1979, pas muajsh protestash kundër sundimit të tij.

Protestat në Iran fillimisht u përqendruan në heqjen e veshjes së detyrueshme të hixhabit, apo shamisë së kokës por, më pas protestuesit i quajtën protestat një revolucion të ri.

Në ditën e përvjetorit të Revolucionit Islamik, televizioni Telewebiom ishte cak i hakerëve në kohën kur po transmetohej fjalimi i Raisit, në përkrahje të protestave mbarëkombëtare.

Që nga shtatori, në protestat mbarëkombëtare janë vrarë mbi 500 persona, përfshirë 71 fëmijë, dhe janë arrestuar rreth 20.000 persona.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?