Mbi 20 mijë fermerë më shumë se vitin e kaluar kanë marrë përgjatë 2023-shit naftën pa taksa. Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se këtë të hënë ka nisur shpërndarja e kartave shtesë për 20.645 fermerë për të marrë naftën pa taksa, duke bërë që në total këtë ndihmë ta përfitojnë mbi 53 mijë fermerë në të gjithë vendin.
“Përmbyllim kështu mbështetjen e skemës kombëtare të kësaj mase, me numrin rekord prej 53,169 fermerësh në total, në krahasim me 34 mijë përfitues në vitin 2022. Përfundon sot shpërndarja e mbi 20 600 kartave të cilat mundësojnë disbursimin e 4.5 milion litra nafte për të gjithë aplikuesit në skemën direkte të mbështetjes me naftë në të gjithë Shqipërinë”, thotë ministrja e Bujqësisë Anila Denaj.
Për këtë vit për skemën e naftës janë dhënë nga buxheti i shtetit mbi 3.1 miliardë lekë. Fillimisht u parashikua fondi prej 1.3 miliardë lekë, të cilit ju shtuan edhe 1.8 miliardë lekë me aktin normativ të muajit tetor, ndërsa vjet fondi për këtë skemë ishte 1.95 miliardë lekë.
Ky është viti i tretë që zbatohet kjo skemë, ku fermeri e merr naftën me çmim të çliruar nga akciza, taksa qarkullimit, e karbonit dhe e TVSH-së. Ndërkohë në total nga e gjithë skema kombëtare e mbështetjes kanë përfituar rreth 65 mijë fermerë.