Foto nga ministria e Jashtme

Mbi 60 shtetas të huaj janë shpallur 'NON grata' në 3 vitet e fundit nga Shqipëria

22 Janar 2021, 17:50| Përditesimi: 22 Janar 2021, 18:04

  • Share

Qeveria Shqiptare ditën e djeshme ka shpallur “NON Grata” (person të padëshirueshëm), diplomatin rus Alexey Krivosheev, me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të përsëritur të gjitha masat anti-COVID. Por, Krivosheev nuk është i vetmi, pasi në 3 vitet e fundit në vendin tonë janë shpallur  'Non grata' mbi 60 shtetas të huaj.

7 prej tyre kanë qenë pjesë e trupave të huaja diplomatike, ku pjesa më e madhe rezulton të jetë nga Irani. Në datë 26 mars 2018, qeveria shqiptare shpalli “non grata” 2 diplomatë rusë. Bëhet fjalë për Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës. Ata u  dëbuan me arsyetimin se veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik.

Vitet e fundit, të dëbuarit nuk janë vetëm nga Rusia, por edhe Irani. Gjatë 2020-ës, Shqipëria dëboi 4 iranianë, 2 nga të cilët diplomatë. Më 18 tetor, po të vitit 2020, u shpall “non grata” Ehsan Bidin. Ai dyshohej se ishte i infiltruar në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Në vitin 2018, ambasadori i Iranit në Tiranë, Gholamhossein Mohammadnia, dhe një tjetër diplomat u shpallën “non grata”. Sipas shërbimeve inteligjente ishin të përfshirë në disa aktivitete që cenonin sigurinë kombëtare.

Lista e të dëbuarve zgjerohet pas protestës me gjuhë urrejtjeje nga ana e një grupi shtetasish grekë që morën pjesë në funeralin e Kostandinos Kacifës, më 8 nëntor 2018, në fshatin Bularat të Dropullit, lidhur me ekzekutimin e ekstremistit grek. Lidhur me këtë protestë janë shpallur "non grata" 52 prej tyre. 11 prej tyre, jo vetëm u dëbuan por edhe u vendosën nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve” dhe disa vepra të tjera. Mes këtyre 52 personave ishte edhe eurodeputetja qipriote, Eleni Theocharous dhe gazetari Panaiotis Savidis.

Ashtu sikurse të gjitha këto dëbime kanë ngjallur reagime, njësoj ka ndodhur dhe me rastin e fundit  të diplomatit rus Alexey Krivosheev. Ndërsa e kanë quajtur dëbimin të pabazuar, sipas mediave ndërkombëtare zv.ministri i jashtë rus, Alexandër Grushko ka deklaruar  Rusia do t'i përgjigjet Shqipërisë për dëbimin e diplomatit. Qeveria Shqiptare njoftoi dje shpalljen person të padëshirueshëm të diplomatit rus Alexey Krivosheev, me argumentin se ky i fundit ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme të gjitha masat anti-COVID. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme, thuhet se në drejtim të Krivosheev ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme dhe pavarësisht paralajmërimeve të bëra, diplomati nuk ka reflektuar, madje ka vijuar me sjelljen e tij neglizhuese.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?