Mbi 66 mijë subjekte po zbatojnë fiskalizimin! 'Financat': Dominon i biznesi madh, në 1 vit 156 mln fatura

11 Janar 2022, 16:39| Përditesimi: 11 Janar 2022, 16:51

  • Share

TIRANË- Mbi 55% e bizneseve në vend kanë nisur të zbatojnë reformën e fiskalizimit. Teksa ka kaluar 1 vit nga vënia në zbatim e fiskalizimit, Ministria e Financave thotë se nga 1 janari 2021 deri më tani janë 66.458 biznese që kanë lëshuar fatura të fiskalizuara. Në total këtë reformë duhet ta zbatojnë rreth 120 mijë biznese.

Gjatë kësaj periudhe janë lëshuar 156,7 milionë fatura të fiskalizuara, nga të cilat biznesit të madh i përkasin 123.8 milionë fatura, ndërsa 32.8 milionë të tjera janë lëshuar nga biznesi i vogël. 

Për ti dhënë mundësinë bizneseve që të zbatonin platformën e re të lëshimit të faturave, Ministria e Financave vendosi që të mos gjobisë bizneset e vogla që nuk e kanë zbatuar sistemin deri në fund të vitit 2021, afat që u shty përsëri për në qershor të vitit 2022.

“Qëllimi është dhënia e kohës së mjaftueshme për bizneset që ata të ngrenë, të përshtatin dhe të familjarizohen sa më mirë me procesin e ri të fiskalizimit”, thotë Ministria e Financave.

Fiskalizimi nisi në janar të 2021 për bizneset e mëdha që lëshonin fatura për entet publike. Më pas në 1 korrik të vitit të kaluar nisi për transaksionet biznes-biznes dhe në 1 shtator të gjitha faturat që bizneset ju lëshonin qytetarëve duhet të ishin të fiskalizuara.

Nëpërmjet fiskalizimit, tatimet monitorojnë në kohë reale transaksionet dhe kjo reformë përpos se pritet të rrisë të ardhurat ndihmon edhe në reduktimin e informalitetit në ekonomi.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?