Kalifornia, ose shteti i ‘florinjtë’ njihet për lindjen e formave më të zgjuara të inteligjencës artificiale, por po ashtu edhe për masat që merr për përdorimin e tyre në mënyrë të sigurtë dhe etike.
Pas ftesës për konkurim në workshopin e organizuar nga Universiteti i Berkeleyt dhe Qendra Human-Compatible AI (CHAI) në datat 5-8 Qershor në Kaliforni, prezantova një punim në kuadër të punës sime si akademike pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Ekonomisë, Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar dhe manaxhere projektesh të teknologjisë së informacionit pranë grupit të Report Tv. E frymëzuar nga temat që tashmë po kthehen në shqetësime të përditshme të familjeve, bizneseve apo shoqërive perëndimore, nuk munda të qëndroja pa i bërë professor Stuart-it disa pyetje që do të prezantohen në vijim.
Për këdo që nuk e njeh prof.Stuartin, ai është profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Berkeley-t dhe drejtor i Qendrës për Sistemet Inteligjente. Ka botuar mbi 100 artikuj shkencorë në një gamë të gjerë temash në inteligjencën artificiale, si dhe librin standard mësimor “Artificial Intelligence: A Modern Approach”, dhe librat “The Use of Knowledge in Analogy and Induction dhe Do the Right Thing: Studies in Limited Rationality”. Ai ka marrë çmimin "Presidential Young Investigator Award" nga Fondacioni Kombëtar për Shkencë në ShBA dhe çmimin "Computers and Thought Award", dhe është anëtar i shquar (Fellow) i Shoqatës për Makineri Informatike (Association for Computing Machinery). Gjithashtu, është anëtar i shquar dhe ish-anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës Amerikane për Inteligjencën Artificiale. Prof.Stuart përveç angazhimit akademik, është lobues i disa prej çështjeve më të nxehta për përdorimin etik dhe të sigurt të Inteligjencës Artificiale. Si shkencëtar dhe botues i librave me anë të të cilave janë formuar liderët e sotshëm të IA-së, ai kërkon të ndëgjegjësojë publikun e gjerë lidhur me përdorimet e Inteligjencës së Përgjithshme Artificiale ose ndryshe AGI. Edhe pse për realitetin tonë duken larg risqet e përmendura, le të ndjekim arsyetimin e tij për të kuptuar se nuk jemi të shkëputur dhe mund të luajmë rol në arenën ndërkombëtare qoftë duke reaguar nëpërmjet vendimeve të qeverisjes.
Denisa Millo: Cili është fokusi kryesor i punës suaj aktuale mbi sigurinë e inteligjencës artificiale?
Prof.Stuart Russell: Kërkimi im teknik është i përqendruar në mënyrën se si të krijohen sisteme të inteligjencës artificiale që provohen se janë të sigurta dhe të dobishme. Qasja kryesore është formulimi i problemit të IA-së si një "lojë asistuese", që do të thotë se sistemi i IA-së ka vetëm një objektiv – të avancojë interesat njerëzore – por fillimisht është në mënyrë të qëllimshme i pasigurt për sa i përket se cilat janë këto interesa. Ne mund të provojmë se lloje të tilla të sistemeve të IA-së janë domosdoshmërisht të dobishme për njerëzit.
Gjithashtu jam i përqendruar edhe në qeverisjen – pra, se si të sigurohemi që të zbatohen vetëm sisteme të sigurta të IA-së. Në këtë aspekt, fokusi im është te ajo që quajmë "vija të kuqe të sjelljes" – që do të thotë, sjellje specifike dhe të papranueshme nga ana e sistemeve të IA-së, si për shembull vetë-replikimi autonom, sulmet kibernetike autonome ndaj sistemeve të tjera, ose këshillimi i terroristëve për ndërtimin e armëve biologjike. Qeveritë duhet t’u kërkojnë zhvilluesve të vërtetojnë se sistemet e tyre nuk do të shfaqin këto sjellje.
Denisa Millo: Çfarë lloj teknologjish të inteligjencës artificiale janë më të rrezikshmet?
Prof.Stuart Russell: Sistemet më të njohura sot, si ChatGPT, janë ndërtuar mbi të ashtuquajturat modele të mëdha gjuhësore (Large Language Models – LLMs). Këto janë qarqe gjigande me triliona parametra të trajnuara mbi dhjetëra triliona fjalë teksti – shumica e asaj që njerëzimi ka shkruar ndonjëherë. Ka dy probleme kryesore me këtë: së pari, nuk e dimë fare se si funksionojnë dhe nuk kemi mundësi t’i ndalojmë kur sillen keq; dhe së dyti, për shkak se i trajnojmë për të imituar njerëzit, ato po fitojnë motivime të ngjashme me ato njerëzore, të cilat i ndjekin në mënyrë të pavarur. Për shembull, ka dëshmi të qarta që këto modele duan të ruajnë ekzistencën e tyre dhe janë të gatshme të gënjejnë, shantazhojnë dhe vetë-replikohen për të shmangur fshirjen. Drejtorët ekzekutivë të kompanive kryesore të IA-së pranojnë se ekziston një mundësi e konsiderueshme që njerëzimi të zhduket nëse ata arrijnë qëllimin e tyre për të krijuar IA të përgjithshme (AGI) – sisteme që barazojnë ose tejkalojnë aftësitë njerëzore në të gjitha dimensionet. Duhet ta themi qartë: ata po shpenzojnë qindra miliarda dollarë për të krijuar një teknologji që vetë e pranojnë se përbën një rrezik serioz për gjithë racën njerëzore. Dhe nuk kanë asnjë propozim të besueshëm për ta vënë nën kontroll.
Denisa Millo: Pse siguria e inteligjencës artificiale duhet të jetë një përparësi për qeveritë, bizneset dhe qytetarët e zakonshëm?
Prof.Stuart Russell: Sepse duam të jemi gjallë dhe të mbetemi në kontroll të qytetërimit tonë.
Denisa Millo: Si mund të përshtaten vendet e vogla si Shqipëria me masat për sigurinë e inteligjencës artificiale?
(a) Të vendosen masa bazë si: sistemet e inteligjencës artificiale që ndërveprojnë me njerëzit duhet të deklarojnë se janë sisteme IA dhe të mos shtiren si njerëz; të gjitha sistemet IA mbi një shkallë të caktuar duhet të regjistrohen. Shumë nga këto masa bazë janë të përfshira në Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale.
(b) Të sigurohet që qeveria të ketë qasje në ekspertizë të nivelit të lartë në fushën e IA-së, që nuk është e lidhur me interesa komerciale.
(c) Të nënshkruhet dhe ratifikohet Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale.
Denisa Millo: Çfarë mund të bëjnë studiuesit në fushën e sigurisë së inteligjencës artificiale kur financimet arsimore po ulen në epokën e IA-së?
Prof.Stuart Russell: Ka shumë gjëra që mund të bëjmë pa pasur nevojë të blejmë sasi të mëdha pajisjesh – shihni të gjitha drejtimet në Konsensusin e Singaporit për Prioritetet Globale të Kërkimit mbi Sigurinë e Inteligjencës Artificiale
https://www.scai.gov.sg/2025/scai2025-report
Denisa Millo: Mendimet tuaja të fundit.
Prof.Stuart Russell: A duan njerëzit që kompanitë e inteligjencës artificiale të ndërtojnë sisteme që janë shumë më inteligjente se qeniet njerëzore? Të gjitha provat sugjerojnë se jo. Deri tani, askush nuk ka qenë në gjendje të përshkruajë një shoqëri ku qeniet njerëzore dhe makinat superinteligjente bashkëjetojnë dhe lulëzojnë. Atëherë, pse po shkojmë në këtë drejtim me aq shpejtësi?
Denisa Millo: Shumë faleminderit profesor. Nder për mua dhe lexuesit shqiptarë të marrin mendimet tuaja mbi çështjet më të rëndësishme ekzistenciale të momentit lidhur me ndikimin e inteligjencës artificiale në jetën tonë.
Prof.Stuart Russell: Më të mirat.
Komente
