Serat janë në kulmin e prodhimit të perimeve, por ndërsa vazhdon shitja e kastravecave apo domateve, kungujt hidhen në kanal.
Në fshatin Jagodinë të Elbasanit fermerët kanë kultivuar sipërfaqe të tëra me kunguj që aktualisht në tregun e shumicës shitet për 10 lek kilogrami.
"Nga 500-600 lek që ka qenë para një muaji tani ka rënë me 100 lek/kg", tha një fermer.
"Shpenzimet e naftës e punëtorëve, ka shumë punë sera, dhe ja shikoje ua kam hedhur bagëtive se nuk shitet", tha një tjetwr.
Fermerët ankohen se kostoja e lartë e prodhimit si dhe mungesa e tregut po i çon në faliment, ndaj kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së bujqësisë.
"E kemi hedh prodhimin se nuk ka treg. Sot vjen tregtari këtu dhe e kërkon me 100 lek dhe me zor e merr. Shteti duhet të vërë dorë tek rregullimi i tregut dhe tek ulja e çmimeve se një kuintal pleh kimik 130 mijë lek është skandal", tha një tjetër fermer.
Ekspertë bujqësie të kontaktuar nga Report Tv thanë se kjo vjen si pasojë e mbiprodhimit, pasi fermerët në mbarë vendin kanë kultivuar perimeve që nuk kanë konsum të gjerë në tregun vendas si dhe as nuk kanë kontrata shitje për eksport.