‘Mbjellja e pemëve’, në Marketin e Filmit të Kanës në 25 maj, Aliçka: Metafora mbi të cilën ndërtova skenarin! ‘Çaku’ i fundit i Radosë, sikur luajti veten

3 Maj 2022, 16:58| Përditesimi: 3 Maj 2022, 17:10

  • Share

Një histori tronditëse, e një nëne që gërmon tokën e ngurtë pranë burgut të Burrelit në kërkim të trupit të të birit... Filmi me metrazh të shkurtër “Mbjellja e Pemëve”, me skenar të Ylljet Aliçkës e regji të Fabio Seferit është përzgjedhur në seksionin e Market Film, si pjesë e katalogut të Festivalit të Filmit në Kanë...

“Filmi është realizuar me regji të studentit tim Fabio Serferit, një djalë me energji të reja. Sigurisht që kanë ndikuar edhe aktorët, janë emrat më të njohur shqiptarë që kanë marrë pjesë në realizimin e një filmi të mirë”, thotë shkrimtari Ylljet Aliçka

Një djali 18-vjeçar që burgoset, pasi lexon libra të ndaluar do t’i shtohen ne mënyrë të befte akuza të tjera, si dëshira për t’u arratisur... Diktatura merr në dorë jetën e protagonistit të interpretuar nga Roerd Toçe, ndërsa Luiza Xhuvani, sjell dëshpërimin e nënave që humbën fëmijët e tyre burgjeve të komunizmit.

“Për komunizmin është shkruar shumë, janë bërë shumë filma, gati-gati është ngopur publiku. Ajo që më nxiti mua ta shkruaja, ishte simbolika, metafora e fortë e një nëne, djali i të cilit vdiq në burgun e Burrelit e u varros aty pranë. As vetë ushtarët nuk mbanin mend se ku ishte vendi i tij në terrenin jashtë burgut. Ata i tregonin disa vende, dhe ajo fillonte të hapte gropa, për ditë me radhë pa ngrënë. Saqë një ushtar i thotë komandantit se “do të na vdesë këtu”. Dhe ai ja kthen me cinizëm e pashpirtësi duke i thënë “sa herë na kanë kritikuar se nuk mbjellim pemë, lëre të vazhdojë se do të mbjellim pemë në këto gropa”. Pra kjo dramë e fuqishme! Metafora e mbjelljes së pemëve mbi gropat e hapura të një nëne që kërkonte të birin... Dhe nga ana tjetër, është edhe simbolika që duke kërkuar birin e saj, lind “Mbjellja e pemëve”, thotë Aliçka.

Tek “Mbjellja e pemëve”, Guljlem Radoja, luan rolin e tij të fundit. I ndarë nga jeta vetëm një muaj më pas, ai nuk do të mund ta shikonte filmin të mbaruar...

“Qe fat që e patëm në këtë film. Ai iku nga kjo jetë sapo mbaroi xhirimet, në një rol që i përshtatej karakterit të tij. Roli i malësorit të dhembshur, ‘bablok’, siç qe dhe ai. Një rol i ngrohtë, ku mua më është dukur sikur Guljelmi luajti veten e tij!”

Filmi u realizua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Filmit dhe ka si producent Mateo Cingun. Do të shfaqet në  25 maj në Market Screening të Kanës.  Ky mund të jetë një ogur i mirë, që  pas filmit “Parullat”  me regji të Gjergj Xhuvanit edhe “Mbjellja e Pemëve” me skenar po të Ylljet Aliçkës, të përzgjidhet për në Festivalin e Filmit të Kanës...

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Makiwa71: 03/05/2022 19:11

    Respekt shumë të madh , për Guljelm Radojën , aktor i madh , njëri me vlera artistike dhe humane .Kam pas fatin t'a njoh nga afër. Dritë i baftë shpirti.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?