Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.
Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti “Tepër sekret” me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 10 shtator 1983, ku diskutua: “Mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj”.
TAKIM DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË MË 10 SHTATOR 1983
Tepër Sekret
Në këtë takim, në të cilin morri pjesë edhe shoku Hekuran Isai, u diskutua fillimisht mbi përfundimin e gjyqit të elementëve armiq të mbetur nga kasta e Beqir Ballukut dhe mbi domosdoshmërinë e përtëritjes së kuadrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të organeve që varen prej saj, për edukimin e tyre me frymë të shëndoshë partie, për nevojën e gjithashtu të gërshetimit me kujdes të kuadrove të vjetra me të reja edhe në organe të tjera, mbi domosdoshmërinë e vendosjes së një pune të partishme në organet e Punëve të Brendshme dhe mbi kujdesin që duhet të bëhet për të dalluar vërejtjet e drejta nga prirjet me qëllime armiqësore, për kujdesin e një pune parandaluese e shëruese me njerëzit në frymë partie, mbi sigurimin e udhëheqjes së Partisë në organet e Punëve të Brendshme, si dhe për strukturën dhe kompetencat në organet e Sigurimit.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja, fakt është se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit të Sarandës, ka 32 punonjës ku 7 janë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit të cilët i mban në lidhje Punëtori Operativ i Degës së Brendshme të qytetit. Por tani këta bashkëpunëtorë atje, janë hequr me urdhër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë, çfarë ju kërkon këtyre bashkëpunëtorëve, Punëtori Operativ i Sigurimit?! Sigurisht, çfarë tha njëri e, çfarë tha tjetri.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Se punë armiqësore, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, nuk bëhet.
SHOKU ENVER HOXHA: Po si do të bëhet?! Nëse ne, mendojmë se bëhet punë armiqësore deri te aparati i Komitetit Ekzekutiv, atëherë vaj halli?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Vërtet vaj halli, po edhe ç’koncepte krijohen pastaj nga një strukturë e tillë, e dënueshme, shoku Enver. Është interesante se, në fakt ligjërisht, Komiteti Ekzekutiv duhet ta ketë në varësi Degën e Brendshme, por tani na del se, paska qenë e kundërta.
SHOKU ENVER HOXHA: Dega e Punëve të Brendshme, jashtë çdo lloj norme partie, ka drejtuar dhe kontrolluar Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit.
SHOKU HEKURAN ISAI: Lidhur me punën që është bërë për demaskimin e armiqve, kemi zbuluar se janë përdorur dokumenta shumë të rëndësishme nga ana e organeve tona. Kam gjetur të dhëna që jua kam bërë të njohur dhe juve shoku Enver, nëpërmjet një informacioni, siç është çështja e kontrollit të kandidatëve të Partisë.
Kur j’ua kemi dhënë këtë material, ju keni vënë një shënim të forte, ku keni thënë: “Ç’është kjo gjë kështu”?! dhe këtë shënim ne po e përdorim tani për të sqaruar punonjësit tanë, pra: “Ç’është kjo që po bëni ju, duke u marrë me biografitë e kandidatëve të Partisë”?!
Është dhënë me shkrim një udhëzim për kontrollin e kandidatëve të Partisë, që ju ka rënë në dorë juve, ku tregohet se si është vepruar para se të pranohej një punonjës, kandidat për në Parti, duke ju dhënë porosi Sigurimit të Shtetit, t’i kontrollojë biografitë këtyre elementëve dhe pastaj këto, t’i jepeshin Partisë. Një kjo. Çështja tjetër.
Para se të vendosej një kuadër në një detyrë, duhet ta merrte vesh Sigurimi më parë, pastaj të caktohej ai. Ç’është kjo gjë kështu more?! ju thashë kuadrove që kishin punuar në ministri. Në vend që Sigurimi i Shtetit, të vihej nën kontrollin e Partisë, ky kërkon të dhëna për kuadrot dhe kandidatët e Partisë. Dhe të mos harrojmë, shoku Enver, se të gjitha këto orientime, jepeshin me shkrim dhe zbatoheshin.
SHOKU ENVER HOXHA: Bëheshin jo vetëm këto por edhe gjëra të tjera. P.sh., s’dilte dot njeri jashtë shtetit, pa u pyetur më parë Sigurimi. Jeni dakort që duhet pyetur edhe Sigurimi i Shtetit, por ama për njerëz për të cilët Partia ka dyshime. Prandaj edhe po u pyet Sigurimi, Partia mund t’a marri por, edhe mund të mos e marri parasysh, opinionin e Sigurimit, dhe prapë e dërgon atë njeri jashtë shtetit.
Më ka shkuar në vesh, që një person që ishte caktuar të shkonte me shërbim jashtë shtetit, Sigurimi ka thënë, që të mos lejohej. Po si të mos shkonte ai jashtë, kur nënën dhe vëllezërit i ka anëtarë Partie?! Nuk ishte lejuar, na është thënë se ky i fundit, paska një xhaxha të gruas që, paska qenë tre muaj me ‘Ballin’. Këto të dhëna, na thonë tani se i paska mbajtur Sigurimi. Kjo do të thotë që, Sigurimi i Shtetit, të hedhë poshtë të gjitha ato merita të komunistëve që janë futur në Parti.
Nëse këta do të ishin pa merita, lind pyetja se, përse janë pranuar anëtarë Partie?! Këta persona, janë futur në Parti, se janë distancuar nga elementët armiqësorë, se e kanë dënuar xhaxhain e tyre që, ka qenë tre apo katër muaj me ‘Ballin Kombëtar’. Kjo do të thotë se Partia, ka pasur besim te këta njerëz, prandaj janë pranuar dhe në Parti. Po mirë, xhaxhain e ka me njollë në biografi, thotë dikush.
Dhe ne t’ua mohojmë të gjithë kontributin e tyre revolucionar, si familje, për hir të kësaj njolle në biografi dhe për një xhaxha me ‘Ballin’?! Duhet të jemi pra, elastikë dhe të ekuilibruar në vlerësime, ndryshe nuk do të gjykojmë drejt. Pra një njeri i tillë, do të lejohet që të shkojë jashtë nga Partia, dhe jo të dali Sigurimi i Shtetit, të kërkojë të kundërtën, duke vënë në dyshim tërë patriotizmin e familjes, së një njeriu të tillë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe në këto raste, na kanë sjellë telashe, disa njerëz me të tilla qëndrime sektare, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, ka pasur raste që më kanë rënë dhe mua në vesh, për qëndrime të kësaj natyre.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kështu është menduar nga disa që punojnë akoma në ministri, por të tilla gjëra, unë i kam kthyer shoku Enver, duke i thënë shokëve që, t’i shikojnë çështjet ashtu siç na mësoni ju. Dhe me këtë rast, ju shpjegova sesi ka qenë praktika e gabuar, që nuk është rregulluar akoma. Më përpara ka qenë krejt ndryshe rregulli, për personat që duhet të dilnin jashtë shtetit, dhe këta i dërgonin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të dhënë mendimin për marrjen e pasaportës.
Dhe ne, sipas rregullit që është në fuqi, duhet të verifikonim përpara se të vendosnim për këtë. Ajo që është më e keqja, është se dikasteret, na bien për të verifikuar jo vetëm anëtarë Partie, por edhe kuadro të nomenklaturës së Sekretariatit, Qeverisë, deri edhe ata të Byrosë Politike, siç janë Zëvendësministrat.
Që kur shkova në zyrë, kur më është kërkuar mendimi për të lejuar këta persona të kësaj kategorie, për të dalë jashtë, j’ua kam lëshuar pasaportën menjëherë, megjithëse si rregull, as miza nuk lëvizte dot jashtë, pa kaluar njëherë nga organet tona. Me këtë dua të them, se kemi mjaft gjëra për të parë, mendoj unë.
SHOKU ENVER HOXHA: Pasaportat ju i jepni?!
SHOKU HEKURAN ISAI: Po, ne.
SHOKU ENVER HOXHA: Dhe pasaportat diplomatike, Ministria e Punëve të Brendshme i jep?! Për këto vetëm një shënim, sa për të dhënë vizën e daljes, duhet të bëhet nga ana juaj, dhe asgjë tjetër. Për këto çështje, duhet të ketë një rregullore se kujt i jepet pasaporta diplomatike, si fjala vjen zëvendësministrit, drejtorit, etj. Dhe kështu kur vjen propozimi në ministri, për t’i lëshuar një personi pasaportën për të dalë jashtë, t’i duhet të lëshosh menjëherë vulën.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe përgjegjësinë ta mbajë ai që lëshon propozimin.
SHOKU ENVER HOXHA: Derisa dikasteri përkatës ja dërgon kërkesën Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të lëshuar pasaportën, kur dihet se ai që do të dalë jashtë shtetit, është Zëvendësministër ose drejtor, në bazë të kërkesës zyrtare, dokumenti duhet t’i jepet menjëherë të interesuarit.
Ju të Ministrisë së Brendshme, mund të bëni diçka vetëm për punonjës të rangut të ulët, kur kërkohet që këta duhet të dalin jashtë. Këta po, keni të drejtë që t’i kontrolloni ju, dhe duke pare se mos kanë njerëz të arratisur. Prandaj në këto raste, atij që bën propozimin, duhet t’i thuhet që ne kemi edhe këto të dhëna për këtë njeri.
Pastaj, përgjegjëse për rekomandimin e daljes jashtë të këtij personi, është vetë organizata bazë ku punon, ose komiteti përkatës i Partisë. Mirëpo ç’bëhet tani?! Me të thënë një fjalë, Sigurimi i Shtetit, që ky që është propozuar për të dalë jashtë, ka një xhaxha këtu e, një xhaxha atje, një e ka emigrant ekonomik, menjëherë e pezullojnë dhe nuk i japin pasaportën.
SHOKU HEKURAN ISAI: Këtij ne, nuk ja japim pasaportën.
SHOKU ENVER HOXHA: Këtë njeri pra, përnjëherësh e heqin nga lista e atyre që mund të dërgohen jashtë për ndonjë punë. Kjo, do të thotë që, të biesh në pozitat e një informatori që ke në dikaster. Po edhe sikur të jetë i vërtetë informacioni, duhet gjykuar vetë ky person, nëse e meriton të dali jashtë, apo jo?! Ç’prova ka që ky nuk e meriton?!
Ku e di Sigurimi, që ai nuk e meriton, se organizatës së Partisë, fjala vjen, një herë i ka dalë përpara një shënim që ky person ka një xhaxha emigrant ekonomik. Kaq di Partia për këtë njeri. Megjithatë Sigurimi i Shtetit, po pati gjë e thotë te organizata e Partisë. Dhe kjo ta marri parasysh vetë dërgimin e tij jashtë, dhe jo të merret parasysh vetëm fjala e punonjësit të Sigurimit.
Derisa organizata e Partisë, e ka propozuar për të dalë jashtë këtë njeri, e ka studiuar mirë biografinë e tij nëpërmjet Drejtorisë së Kuadrit, në dikasterin përkatës. Derisa dihet që ky person, ka një xhaxha emigrant ekonomik jashtë, dhe këtë fakt e ka shënuar në dokumentin e Partisë, do të thotë se, organizata e ka marrë parasysh propozimin, për ta dërguar jashtë këtë person.
Atëherë, meqë Sigurimi i Shtetit i tha një të vërtetë që Organizata e Partisë e ka ditur, përse kjo e fundit vendos ta tërheq kërkesën që ka bërë vetë?! E shikoni që ka një nënshtrim nga ana e saj dhe një mungesë përgjegjësie nga organet që caktojnë njerëz për të dalë jashtë, dhe mezi ç’presin t’i thotë Sigurimi i Shtetit?! Ky, është një qëndrim, aspak i drejtë dhe i lejueshëm.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe pastaj njerëzit, vijnë e ankohen te ne se: “Ju nuk na lini të dalim jashtë, po pengohemi nga ju”, etj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Te ju, ankohen njerëzit?!
SHOKU ENVER HOXHA: Posi, vonë pyesin në ministri, dhe ju thonë atyre të sektorit të pasaportave, se përse na hoqët nga lista?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Kjo ndodh, veçanërisht me grupet e mëdha që dërgojmë jashtë shtetit, sic janë ansamblet artistike, ekipet e sportit, etj. Ja për shembull, listën me emra të grupit artistik që u dërgua kohët e fundit në Greqi, e përgatiti kolektivi, me dijeninë dhe miratimin e organizatës bazë të Teatrit të Operës dhe Baletit, dhe me pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.
Kjo listë më pas ju dërgua për ta parë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ja pra kjo është mënyra, siç thoni ju, që personat që dalin jashtë shikohen dhe nga Ministria e Brendshme. Kjo e fundit, pasi i kalon në sitë të gjithë, kërkon që njëri apo tjetri, nuk duhet të dali jashtë për këtë apo për atë arsye. Mirëpo këtu ka një problem, që kur diskutohet në kolektiv për emrat që do të dalin jashtë, disave më vonë ju thuhet që ky ose ai, nuk do të lejohen të dalin jashtë shtetit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse nuk do të shkoj unë?! mund të thotë ndonjë nga këta, që e di se ka diçka në biografi.
SHOKU RAMIZ ALIA: Kur është diçka që nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, se pse të mos shkojë ky njeri, në fund të fundit, ai punon diku, pra ka disa merita. Ky fenomen, nganjëherë na ndodh me futbollistët.
Ka nga këta që tre ose katër herë me radhë, i kemi lënë që të dalin jashtë shtetit. Kurse më vonë, pengohen që të dalin jashtë. Dhe më e bukura është që, kur s’ka asgjë të re për ta, ju thonë, shiko se ti, ke probleme në biografi.
SHOKU ENVER HOXHA: Këtë kujdes ne, e bëjmë sidomos për shkak se ndonjëri, mos na mbetet andej. Megjithatë s’na ka rënë në vesh që ndonjë artist apo sportist, që është dërguar për të dhënë shfaqje apo për ndeshje sportive, të mos jenë kthyer më. Po ama, po t’i shikosh mirë biografitë e tyre, ka nga ata që kanë njerëz në familje e fis me biografi jo të pastër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Për të tillë njerëz, në disa raste kemi marrë përgjegjësi unë dhe Hekurani, dhe i kemi lejuar që të dërgohen jashtë shtetit.
SHOKU ENVER HOXHA: Ka edhe ndonjë artist apo artiste nga tanët, që nuk janë të pastër nga ana e moralit, ka dhe nga ata që mund të kenë thënë ndonjë fjalë të keqe e të tjera si këto, por ama kur kanë shkuar jashtë për të dhënë shfaqje, kanë qëndruar korrektë, si dhe janë sjellë e mobilizuar mirë për kryerjen e detyrës për të cilën janë dërguar.
SHOKU HEKURAN ISAI: S’na ka ikur asnjë deri tani, megjithëse kemi çuar me qindra prej këtyre njerëzve.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ashtu është, asnjë prej tyre sna ka ikur. Mbaj mënd vetëm një rast në vitet e para të pas çlirimit, kur nuk na u kthyen dy futbollistë që kishin ikur me ekipin e tyre në Stamboll të Turqisë. Më vonë, nuk na ndodhur ndonjë rast i tillë.
Megjithatë, nuk është keq që për këta njerëz të bëhet një kontroll nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe këtë ta kuptojmë drejt se, edhe liberalë nuk duhet të jemi.
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, jo, në asnjë mënyrë se qëllon të na kenë propozuar për të dërguar jashtë, edhe njerëz me qëndrim të keq moral dhe politik.
SHOKU ENVER HOXHA: Ka dhe njerëz me përbërje jo të mirë, që presin rastin për të dalë jashtë me qëllim që atje të bëjnë punë armiqësore. Momentet që po kalojmë shokë, janë shumë të vështira prandaj të mos e harrojmë këtë gjë. Armiqtë e Partisë dhe Popullit tonë, me likuidimin e bandës tradhtare të Mehmet Shehut, janë egërsuar shumë dhe dëshirojnë e përpiqen që të bëhet diçka në Shqipëri, të krijohen te ne situata të vështira.
Prandaj duhen gjetur format që të ndërmerren të tilla masa që për njerëzit që dërgojmë jashtë shtetit të tilla veprime, të bëhen me kuptim revolucionar, si nga organet që i propozojnë, ashtu edhe nga Ministria e Brendshme. Ka njerëz që Ministria e Brendshme, nuk i njeh se nuk mban dosje për ta, por ka edhe të tjerë që i njeh shumë mirë. Prandaj me këta ju duhet të bëni shumë kujdes, dhe ju këshillojmë që të mos i mbyllni sytë.
Një ministrie kur kërkon që të çojë njerëzit e vet jashtë shtetit, nëse ata kanë probleme, ju duhet ta sinjalizoni mirë dhe ata, ta marrin në konsideratë këtë sinjalizim. Pastaj duhet bërë kujdes që të mos propozohet njeri në një kolektiv pa e studiuar më parë çështjen e kandidaturave për jashtë se na hapen probleme pastaj.
Në rast se Ministria e Punëve të Brendshme, sinjalizon që ky artist apo artiste, ose ky sportist apo sportiste, nuk duhet të dali jashtë se, ka probleme serioze në dokumenta, atëherë nuk duhen vënë në listën që do të diskutojë kolektivi apo organizata. Nëse artisti ose sportisti, do të pyesë se pse nuk lejohet të dali jashtë, të gjendet një justifikim ku, t’i thuhet p.sh.: “po ja, ti ke dalë një herë apo dy herë jashtë shtetit” etj. Dhe kështu çështja mbyllet.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ka shumë raste veprimesh të tilla të shpejtuara nga dikasteret shoku Enver, pasi ato na i bëjnë propozimet pa një punë të kujdesshme për njerëzit që, mendojnë të dërgojnë jashtë. Një ditë biseduam sesi ta vëmë në binarë këtë çështje, dhe madje hartuam një informacion.
Pastaj vihet re dhe një prirje jo e mirë nëpër ministri, pasi kërkojnë që të dërgojnë sa më shumë njerëz të sektorit të tyre jashtë shtetit. Për anëtarët e Partisë, ka një praktikë që e kanë zbatuar armiqtë, dhe mendoj se nuk duhet çuar më tej nga ana jonë.
Për këtë arsye, nuk na vijnë propozime nëse këta duhet të dalin jashtë shtetit apo jo. Jua kam kthyer kërkesat dikastereve, pasi deri sa të vendosin vetë organizata bazë dhe dikasteri përkatës për çështjen e tyre, përse ti pengojmë ne. Konstatoj dhe diçka tjetër që neve si organ i Sigurimit të Shtetit, nuk na duket i drejtë. Memorie.al
si mund te merret udheheqja e vendit me idiotsira te vogla si keto nderkoh qe robt ishin ne varferi
Përgjigju