Enver dhe Nexhmije Hoxha

Mbledhja e Byrosë/ Enver Hoxha: Fiqreti të mbetet vetëm kandidate e Komitetit Qendror se ka bërë gabime! Nexhmija të hiqet, se ka disa të meta, unë e njoh mirë se e kam në shtëpi

13 Nëntor 2023, 07:25| Përditesimi: 13 Nëntor 2023, 07:38

  • Share

Nga 37 anëtarë që kishte Komiteti Qendror i PPSh-së në vitin 1956, 10 syresh ishin bashkëshortë (burrë-grua) dhe 10 të tjerë me lidhje të afërta fisnore, kunetër, baxhanakë, krushq etj. Dyzina e çifteve Enver – Nexhmije, Hysni – Vito, Mehmet – Fiqrete, Josif – Eleni (Pashko), Liri (Belishova) – Maqo (Çomo) ishte ngjitur aty qysh nga koha e Luftës dhe ishte shtuar rrugës me të tjerë ofiqarë. E pabesueshmja që çuditërisht ishte e vërtetë, pranohej nga vetë kreu i Partisë, Enver Hoxha, në një nga mbledhjet e Byrosë Politike në maj të vitit 1956. Vetëm pak ditë pas Konferencës së Tiranës, ku për herë të parë ishte goditur klani i çifteve në Komitetin Qendror dhe kulti i individit të “Njësh-it”, forumi më i lartë i Partisë, detyrohej të rishikonte këtë marrëdhënie kritike, për të zbutur sa të mundte efektet e bujshme të saj.

Duke folur në mbledhjen e Byrosë Politike, ku shqyrtohej lista e anëtarëve të Komitetit Qendror, që do të miratohej në Kongresin III-të të Partisë, Enver Hoxha parashtronte mundësinë e shmangies së këtij familjariteti, duke rekomanduar si mënyrën e vetme zgjerimin e Plenumit të Partisë, nga 37, në 71 anëtarë. Pavarësisht dakortësisë së liderëve të tjerë, me idenë e tij, çështja vlerësohej sërish e mprehtë dhe atakuese, me filozofinë e Partisë, së paku në aspektin teorik. Në debat e sipër, Hoxha artikulonte një tjetër zgjidhje, që aty për aty, zgjonte interesin e vartësve.

Propozimi i tij për t’i zbritur gratë e byroistëve, ku përfshihej edhe Nexhmija, nga anëtare në kandidate të Komitetit Qendror, një status më poshtë ky, po gjithsesi me të njëjtat privilegje, me përjashtim të së drejtës së votës, fillimisht gjente mbështetje të gjerë, por në vazhdim ndeshej me qëndrime skeptike. Mënyra si ishte fryrë kupola e Partisë, me bashkësinë e çifteve dhe krushqive klanore, ishte aq paradoksale sa që vriste edhe sytë e liderëve zullumqarë. “Duhet ta pranojmë hapur, – shprehej aty Mehmet Shehu, krahu i djathtë i Hoxhës, -se jemi i vetmi Komitet Qendror në botë, që kemi këtë gjendje familjariteti”. Hapur apo nën zë, një fakt të tillë e pranonin edhe të tjerët, por sidoqoftë, reflektimi nuk mund të ishte i lehtë. Të lidhur me pushtetin dhe privilegjet, pashallarët e KQ nuk mund të hiqnin dorë prej tyre. Po si e justifikonin nepotizmin vulgar dhe si mendonin t’i shpëtonin “syrit të të tjerëve”…

                                                        D O K U M E N T I

                     Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike, më 22.5.1956

Rendi i ditës:

Mbi përgatitjen e listës së kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve të Plenumit të Komitetit Qendror nga Kongresi i III-të

ENVER HOXHA: Është detyra jonë të përgatisim listën e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe pastaj mbi të le të vendosë komisioni i përfaqësive. Mendimi im është që ta zgjerojmë Komitetin Qendror dhe mos të qëndrojmë në një numër të ngushtë, prej 37 vetash si gjer tani. Çështja e dytë që mendoj unë, është që zgjerimin e Komitetin Qendror, ta bëjmë sidomos me kuadro, të cilat do të kenë karakteristikat e nevojshme, d.m.th. anën politike, po edhe ngritjen tekniko-profesionale. Komiteti Qendror, duhet të zgjerohet kryesisht në sektorët ekonomikë. Çështja e tretë, është që, duke gjykuar kuadrot që do të kemi në udhëheqje, të jenë sa të jetë e mundur elementë të klasës punëtore. Të fillojmë nga kandidatët e rinj. Mendimi im, është se plenumi mund të arrijë, gjer në 65 veta, anëtarë-kandidatë, në mos më shumë…!

MEHMET SHEHU: Po të arrijë 65 veta numri i anëtarëve të plenumit, të rinjtë do të jenë 28 veta dhe po të arrijë 75, të rinjtë do të jenë 38 veta.

ENVER HOXHA: Unë mendoj që numri të jetë 65, ose 71.

MEHMET SHEHU: Unë mendoj të fillojmë nga propozimet tuaja, të arrijmë gjer në 65 veta. Në këta 65 veta, sa do të jenë anëtarë dhe sa kandidatë?

ENVER HOXHA: Unë mendoj 41 anëtarë dhe 24 kandidatë.

HYSNI KAPO: Tani kemi mundësi ta bëjmë, se kemi kuadro të mira.

LIRI BELISHOVA: Edhe unë jam dakord ta shtojmë numrin e anëtarëve të Komitetit Qendror.

ENVER HOXHA: Atëherë të shohim listën si tërësi (lexohet lista)

HYSNI KAPO: Për sa u përket kandidaturave në afërsi familjare, ku përflitet si një çështje me rrezik, nuk më duket e drejtë. Unë kam lidhje familjare me Piro Kondin (Kondi, vëllai i Vito Kapos), por kjo s’ka të bëjë me punën. Në rast se ka një sëmundje të tillë në Komitetin Qendror, këtë duhet ta godasim, po me zgjerimin që i bëhet tani Komitetin Qendror, mendoj se nuk ka rrezik familjariteti. Prandaj s’ka pse të shtrohet çështja Mehmet – Fiqret, Hysni – Vito ose Liri (Belishova)– Maqo (Çomo). Nuk gjykoj se vjen rreziku që këtej.

GOGO NUSHI: Zgjerimi është një anë tjetër, po edhe çështjen e lidhjeve familjare në Komitetin Qendror, të krushqive, duhet ta shohim.

RITA MARKO: Unë mendoj se ka rrezik; prandaj më mirë është të mos ekzistojnë gjera të tilla.

MEHMET SHEHU: Nga ana parimore, që një gjendje e tillë nuk duhet të ekzistojë. Unë çështjen nuk e shtroj se ka rrezik, sepse shokët që kanë gratë ose burrat e tyre në Komitetin Qendror, nuk kanë dhënë asnjë shenjë familjariteti. Po ta shtrojmë çështjen mirë, duhet të mos ketë të tilla gjëra, po jo se tek ne, ose unë p.sh., jam në pozita familjariteti.

BEQIR BALLUKU: Nuk është mirë që në Komitetin Qendror, të ketë dy njerëz nga e njëjta familje. Prandaj çështjen e shoqeve ta shikojmë me masën që duhet, por mos të ikim edhe nga ana tjetër, që shoqet që janë, t’i heqim. Familjaritet në plenumin tonë nuk ka pasur, po parimisht kjo nuk është mirë të ndodhë. Unë jam i mendimit që Fiqreti (Shehu), Vitua (Kondi) dhe Eleni (Pashko) Tereziu të mos jenë në plenum, kurse Nexhmija të jetë. Ajo është një shoqe e vjetër, ka një kockë partie, ndryshe nga shoqet e tjera. Shoqe e vjetër është edhe Fiqreti, po në vijën e Partisë, ka gabuar tri herë dhe pikërisht këtu në Tiranë, tani më së fundi. Sa për Viton, edhe për atë mendoj se nuk është ndonjë kategori me Nexhmijen, prandaj mundet të mos jetë në listë. Edhe atje ku e kemi caktuar, përsëri Vitua është afër Komitetit Qendror. Edhe për Elenin (Pashkon) mendoj mos të jetë në Komitetin Qendror. Pra, unë mendoj që nga këto shoqe vetëm Nexhmija mund të mbetet në Komitetin Qendror…!

PILO PERISTERI: Në rast se ne do të shohim ç’thonë të tjerët, atëherë s’bëjmë gjë. Ne nuk duhet t’i shohim kështu punët. Ne të zgjedhim njerëz, që kanë punuar dhe ndihmuar partinë. Sa u përket atyre që kanë të meta, ata duhen sqaruar, pavarësisht se është gruaja e Enverit ose e Mehmetit. Unë them, në rast se kemi gjë për këto shoqe, që dëshmon se nuk vlejnë, t’i heqim, po në rast se kanë punuar mirë, atëherë duhet t’i lëmë në plenum. Gratë që janë të zonjat, t’i lëmë në Komitetin Qendror. Jashtë le të flasin ç’të duan, po në Komitetin Qendror, familjaritet nuk ka pasur. Shokët që kanë gratë e tyre në Komitetin Qendror, i kanë goditur më shumë nga ç’duhet, kur kanë gabuar.

ENVER HOXHA: Familjariteti në Komitetin Qendror, nuk është shfaqur, po influencime kanë ekzistuar. Këtë çështje unë e marr nga ana ime dhe e kam thënë edhe herë tjetër, që kur i jepet ndonjë urdhër Nexhmijes, nuk e zbaton ashtu sikurse bën Liria, Fiqreti ose Eleni. Por, kjo nuk është bërë e rrezikshme. Prandaj në këtë drejtim, duhet që këto shoqe, të bëjnë më shumë kujdes dhe këtë nuk e them si shqipo, po them se burrat, influencojnë më shumë te gratë dhe me përjashtim të Lirisë, që është anëtare e Byrosë Politike, shoqet e tjera janë më të ulëta. Është fakt që në plenum, disa nga ne janë burrë e grua, janë pesë çifte të tilla, janë pastaj kunat e kunata, motër e vëlla, baxhanakë, etj. Po të mos ishte një gjendje e tillë, do të ishte më mirë, po këtë çështje duhet ta gjykojmë, lidhur me aktivitetin e këtyre shoqeve të Luftës.

Prandaj kandidatura e tyre, duhet parë në qëndrimet e tyre gjatë Luftës, me qëndrimet e tyre politike dhe në ato të Partisë dhe nuk duhen gjykuar kështu në bllok, se u mblodhën gratë tona. Po ta marrim nga aktiviteti i tyre, ato kanë qenë në Komitetin Qendror, po në punë kanë edhe dobësira. Unë do të isha i mendimit që këto shoqe, mos të hiqeshin nga Komiteti Qendror, dhe me përjashtim të Lirisë (Belishovës), të gjitha të tjerat t’i bëjmë kandidate të Komiteti Qendror, d.m.th., të evitojmë çështjen e votës. Kjo nuk është formale, se çështja e votës në udhëheqje është vendimtare. Po ta marrim kështu, unë kisha këtë vërejtje, që Fiqreti të ulet nga anëtare, në kandidate e Komitetin Qendror, për gabimet që ka bërë.

Unë mendoj të qëndrojë kandidate, sepse ka një të kaluar dhe ka luftuar për Partinë, po që ka bërë edhe këto gabime që dimë. Shoqet e tjera, kanë edhe ato të meta në punë, po gabime politike ato nuk kanë bërë, si Fiqreti. Prandaj unë mendoj që këto shoqe, me aktivitetin e tyre që kanë, mos të hiqen fare, po të zbresin në kandidate të Komitetit Qendror. Po Nexhmija pse të zbresë kandidate? Çështja është, jo vetëm mos të ketë votë, po ajo duhet të gjallërohet një çikë, ka shumë punë, d.m.th., të lidhet më shumë me punën dhe me bazën. Me një fjalë, të jetë më aktive. Kjo, jo vetëm se është gruaja ime, për mos të pasur familjaritet tek ne, po se pse edhe asaj duhet t’i shërbejnë këto vërejtje, se e njoh mbasi e kam në shtëpi…!

GOGO NUSHI: Unë them se Nexhmija, duhet të mbetet anëtare e Komitetit Qendror. Për sa u përket shoqeve të tjera, mendoj se Vitua, edhe Eleni, duhet të jenë në Komitetin Qendror, kurse Fiqreti, jam dakord që të zbresë kandidate.

MANUSH MYFTIU: Këtu është Komiteti Qendror dhe njerëzit nuk duhet të thonë asgjë për Komitetin Qendror, se kur thonë se këtu ka familjaritet, akroballeqë, d.m.th., në këtë rast preket prestigji i Komitetit Qendror. Prandaj ne edhe nga kjo anë, duhet ta shohim përbërjen. Unë mendoj se çështjen e shoqeve, ta shohim me shumë nga ana e interesit të Partisë, se për sa i përket aktivitetit të tyre, kjo nuk diskutohet. Sa për Nexhmijen dhe Fiqretin, jam dakord me shokun Enver.

HYSNI KAPO: Është e drejtë që ne të shohim interesin e Partisë dhe të nisemi nga kjo, që nuk duhet të jenë dy nga një familje. Tani këtu është çështja, nëse duhet të jenë këtu disa shoqe apo jo?! Çështjes së familjaritetit, nëse ka, ne duhet t’i hymë gjer në rrënjë. Unë me Pirron (Kondin), Liria (Belishova) me Maqon (Çomon), Rrapo (Dervishi) me Kadrinë, Manushi me Pilon (Peristerin), të tërë kemi të bëjmë me njëri-tjetrin. Prandaj jam dakord me mendimin e shokut Enver, me përjashtim që po të shtrohet, që të vinte edhe Nexhmija kandidate e Komitetit Qendror, unë nuk jam dakord, sepse ajo nuk mund të krahasohet me Viton. Unë pra mendoj që Nexhmija, të mbetet anëtare e Komitetit Qendror dhe Fiqreti me dy shoqet e tjera të bëhen kandidate.

BEQIR BALLUKU: Është tjetër çështje të jesh baxhanak dhe tjetër të jesh burrë e grua në Komitetin Qendror.

HYSNI KAPO: Unë mendoj që Nexhmija, të mbetet anëtare e Komitetin Qendror. Për Fiqretin jam dakord që të zbresë në kandidate.

RITA MARKO: Për shoqet, unë e thashë mendimin tim, që për interes të Partisë, ne mund të bëjmë gjësendi, p.sh., mund të hiqen Vitua me Elenin, që janë burrë e grua respektivisht me Hysninë dhe Josifin. Elenin unë mendoj se mund ta heqim. Ajo nuk ka punuar mirë si drejtore politike, dhe ky është një fakt që meriton për ta larguar nga Komiteti Qendror, kurse Vitua, mund të lihet.

HYSNI KAPO: Në qoftë se duam të ndreqim punë, e vetmja masë që mund të marrim, është vetëm për Viton, jo se nuk e meriton, po disa nga ne jemi më të pleksur nga të tjerët, dhe ajo jo vetëm si gruaja ime, po edhe si motër e Piros (Kondit).

LIR BELISHOVA: Edhe unë si shokët e tjerë mendoj për çështjen e shoqeve, ato e meritojnë këtë vend, po edhe ajo ç’thonë të tjerët, ka rëndësi dhe për këtë nuk e kam fjalën për elementet antiparti. Në Komitetin Qendror, shenja familjariteti gjer tani nuk ka, po ne jemi një vend i vogël dhe rreziku ekziston. Ai që nuk është në Komitetin Qendror, një të tillë mund ta mendojë. Mendimi im tani është, që ta lëmë çështjen si thotë mbledhja e përfaqësuesve, po përpara se të vijë në mbledhja, unë kisha menduar për Viton dhe për Elenin, sidomos për Viton, që është shumë më e pleksur nga të tjerat.

HYSNI KAPO: Vitua është motër e Piros, kushërirë e Kiço Ngjelës, Eleni është e shoqja e Josifit, prandaj mund të hiqen se edhe ndonjë ndihmë shumë të madhe, nuk i kanë dhënë Komitetit Qendror.

MEHMET SHEHU: Kjo çështje duhet parë me kujdes. Ose të nisemi nga çështja që qenien e shoqeve, në marrëdhënie gjinie në Komitetin Qendror, ta kufizojmë me maksimum, duke pasur parasysh interesin e Partisë, që të qëndrojnë në plenum, po ta meritojnë, ose t’i vemi gjer në fund problemit. Po të duam t’i mbyllim gojën elementit armik, atëherë çështja duhet shtruar kështu, që Nexhmija, Maqua, Eleni, Fiqreti dhe Vitua, të hiqen nga Komiteti Qendror, nëse kjo që nuk i lë asnjë shteg, ku të kapet armiku. Unë jam për këtë variant, d.m.th., të hiqen këto pesë shoqe, dhe jo për faktin se nuk e meritojnë, por sepse ata duhet t’i sakrifikojmë, për interesat e larta të Partisë. Po ta marrësh hollë-hollë, ne jemi pesë çifte në Komitetin Qendror. Mendimi im është, që Nexhmija dhe Maqua, të jenë kandidate të Komitetit Qendror.

ENVER HOXHA: Për Maqon unë mendova të jetë anëtar i Komitetit Qendror, se është shok i mirë dhe ka më tepër perspektivë nga Nexhmija, është më energjik e më punëtor.

MEHMET SHEHU: Do të ish më e drejtë, të veprohej ashtu si thashë unë.

ENVER HOXHA: Unë mendoj që Nexhmija, mund të zbresë kandidate.

MEHMET SHEHU: Unë mendoj mos të lëmë çifte me të drejtë vote në Komitetin Qendror, madje kjo çështje që u ngrit nga shoku Enver, mua as që më kishte shkuar fare ndër mend. Për Fiqretin, do t’i themi Kongresit, që ka bërë këto gabime, po si për Fiqretin, edhe për Maqon, do t’u themi njëkohësisht, se e meritojnë të jenë anëtarë të Komitetit Qendror, po janë edhe këto arsye që nuk mund të jenë anëtarë. Po ta bëjmë këtë, ne kemi bërë një hap të madh përpara, ndryshe jemi në pozitat që ishim.

PILO PERISTERI: Mendoj se po të shkojmë pas atyre që thotë mileti, duhet të mos lëmë asnjë familjaritet në Komitetin Qendror.

ENVER HOXHA: Që t’i mbajmë disa shokë kandidatë kur s’e meritojnë të jenë, s’e bëjmë dot.

MEHMET SHEHU: Ne duhet ta pranojmë se me përbërjen aktuale që kemi, jemi i vetmi Komitet Qendror në botë, që kemi këtë gjendje familjariteti. Me këtë ne i kemi dhënë një farë shkasi elementeve jo të mirë që të flasin. Prandaj nuk duhet ta lëmë të vazhdojë kështu kjo gjendje.

PILO PERISTERI: Këtu megjithatë nuk ka ndonjë shkelje, me duket mua.

MEHMET SHEHU: Atëherë si e shtruam ne duhet të kthehemi prapë. Unë nuk jam dakord kështu, kjo është një plagë te ne.

BEQIR BALLUKU: Po ne për këtë konkluduam tani.

MEHMET SHEHU: Unë nuk jam i bindur për vete, me duket se nuk është e drejtë kështu si kemi vendosur ne.

ENVER HOXHA: Unë vetëm për çështjen e Maqos, nuk jam dakord me Mehmetin.

MEHMET SHEHU: Dhe unë nuk jam dakord që të ngrihet Maqua. Unë mendoj, të mos ketë asnjë çift anëtarë të Komitetit Qendror dhe kandidatë, vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm.

ENVER HOXHA: Po ja ne kemi çështjen e votës.

GOGO NUSHI: Po të jetë çështja e situatës si anëtarë, si kandidatë, njësoj është për popullin, prandaj edhe kjo që thotë Mehmeti nuk është e drejtë. Me zgjerimin që i bëhet tani Komitetit Qendror, gjendjen ne e kemi kompensuar dhe përmirësuar.

ENVER HOXHA: Ne mund ta zbresim dhe Nexhmijen, ashtu si thotë Mehmeti.

HYSNI KAPO: Unë me këtë nuk jam dakord. Gjer sa nuk ka faj ta lëmë siç është, pse ta zbresim. Apo për hir të thashethemeve. Ne duhet të bëjmë edhe diferencim, midis Fiqretit dhe Nexhmijes. Për Maqon, jam i mendimit, se duhet të vijë në Komitetin Qendror.

MEHMET SHEHU: Atëherë me këtë mënyrë, problemi i lidhjeve familjare tek ne, nuk gjen zgjidhje, dhe jam i bindur se kështu gabojmë.

ENVER HOXHA: Po të zbresë Nexhmija dhe të ngrihet Maqua, ka edhe një ndryshim, se Liria është anëtare e Byrosë Politike, po edhe unë jam anëtar i Byrosë Politike. Si Liria dhe unë, influencojmë më shumë te këta të dy. Pra, Nexhmija, mund të ulet dhe Maqua mund të ngrihet.

MEHMET SHEHU: Mendoj se çështja duhet shtruar kështu, në këtë situatë duhet t’i japim zgjidhje se këtu nuk po bëjmë asgjë, përveç zgjerimit të Komitetit Qendror.

HYSNI KAPO: Unë jam i mendimit që Maqua të vijë në Komitetin Qendror dhe Nexhmija të mbetet siç ka qenë.

MEHMET SHEHU: Kështu nuk e zgjidhim drejt. Ne duhet ta likuidojmë këtë situatë, po në rast se nuk e bëjmë dot këtë gjë hëpërhë, të paktën të bëjmë një riparim. Ne duhet të fusim në shpirtin e anëtarëve të Partisë frymën e guximit. Anëtarët e thjeshtë besnikë të Partisë, haptazi nuk e thonë, prandaj ne nuk duhet të lëmë, asnjë farë rezerve te anëtarët e Partisë. Ne duhet të sakrifikojmë për hir të interesave të Partisë…!

ENVER HOXHA: Unë jam dakord që Nexhmija të ulet, po Maqua duhet të vijë në Komitetin Qendror, ka më shumë rreziqe, që të bjerë në influencime Nexhmija, sesa Maqua, ai është burrë dhe me origjinë punëtore, dhe çështja e origjinës, nuk është një gjë e kotë.

MEHMET SHEHU: Unë e mendoj çështjen nga ana parimore.

LIRI BELISHOVA: Unë mendoj që Elenin dhe Viton, t’i heqim nga Komiteti Qendror.

MEHMET SHEHU: Unë nuk jam dakord, kështu i japim armë armikut të na luftojë.

ENVER HOXHA: Ne nuk i mbajmë ato, në qoftë se nuk e meritojnë.

MEHMET SHEHU: Mund të vendoset kështu, po unë nuk jam dakord, se ashtu i japim mundësi Partisë, të ketë rezerva./Memorie.al

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Maks: 13/11/2023 12:27

    Shkrim interesant. Lidhjet familjare, nepotizmi dhe korrupsioni i regjimit Enverist vijin me trashegimine dhe trashegimtaret e kupoles apo pashallareve te juq njesoj, edhe sot.

    Përgjigju
  • mondi: 13/11/2023 07:59

    zoteri cke me te vdekurit e kepute qafen duke pare mbrapa.shiko sot qeverite shqiptare qe jane nip,unjgj e dajo.shqiperia eshte tribu shkretetire nepotizmin e ka ne A.D.N.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?