Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat përmbajnë siglën “Sekret” e “Tepër Sekret” dhe i përkasin një periudhe nga janari i vitit 1982 e deri në shtatorin e vitit 1983, ku ndodhet një dosje voluminoze me, proces-verbale mbledhjesh të Sekretariatit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, mbledhje të cilat janë kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm i saj, Enver Hoxha, ku kanë asistuar: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Hekuran Isai, Rita Marko, Pali Miska, Hajredin Çeliku, Haki Toska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Muho Asllani, Vangjel Çerrava, etj., si tema kryesore janë analizat rreth “veprimtarisë armiqësore” të Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, që nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati, Kadri Hazbiu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj.
Në dosjen që disponon Memorie.al, përveç analizës së “veprimtarisë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Beqir Balluku te Kadri Hazbiu”, në mbledhjet e Byrosë Politike dhe takimet ditore të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, janë marrë në analizë edhe veprimtaria e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, me agjenturën e bashkëpunëtorët e saj, brenda e jashtë vendit, raportet e marrëdhëniet e shtetit shqiptar me vende të ndryshme të botës, si: SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, Gjermania Perëndimore, Anglia, Spanja, Italia, si dhe ato me fqinjët, si Greqia e Jugosllavia e demonstratat në Kosovë, si e paraqiste shtypi botëror Shqipërinë Socialiste, bisedimet me Gjermaninë Perëndimore për pagesat e reparacioneve të Luftës, takimet e bisedat me kryetarët e partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës, si Ernst Aust, Zhoao Amazonas, Fosko Dinuçi, etj., lidhur me “vetëvrasjen e Mehmet Shehut”, problemet e emigracionit politik shqiptar, në shtete të ndryshme të botës, e ndryshimin e kursit të shkëmbimit të dollarit në dërgesat, që ata bënin për të afërmit e tyre në Shqipëri e deri te probleme të shumta ekonomike, që nga industria e rëndë, hidrocentralet mbi kaskadën e lumit Drin, importi dhe eksporti i energjisë, etj., etj.
Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 15 maj 1982, lidhur me takimin e Ramiz Alisë me Ernst Aust, kryetar i partisë marksiste-leniniste të Gjermanisë Perëndimore dhe situatën hidroenergjetike të vendit tonë
TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 15 MAJ 1982
SEKRET
SHOKU ENVER HOXHA: Në zgjerimin ekonomik, jo vetëm në tërë vendin, por në drejtimet që kanë ata.
SHOKU RAMIZ ALIA: Sipas landeve të tyre.
SHOKU ENVER HOXHA: Po sipas landeve, ku i kanë këto forca të partisë e të tjera, për marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Spanjës dhe Portugalisë (marksiste-leniniste). D.m.th, në diskutimin e problemeve me shokët e partive të tjera, të dalim pak nga kuadri i zakonshëm.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, (ndërpritet regjistrimi)
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Duhet diskutuar dhe çfarë masash do të marrim ne këtë 4 mujor, se këtë vit Drini ka sjellë 650 milionë metra kub ujë më pak.
SHOKU ENVER HOXHA: Drini?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, dhe kjo sasi është baras me 800 milionë metra kub ujë më pak se mesatarja. Kjo është e barabartë me 170 milionë kilovat-orë energji elektrike. Prurjet e pakta, e kanë ulur në mënyrë të konsiderueshme nivelin e ujërave nja 5 metra në krahasim me një vit më parë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ç’ka do të thotë se ka energji elektrike më pak?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, më pak.
SHOKU ENVER HOXHA: Pa na e shpjego pak më mirë, ky nivel prej më pak se 5 metrash, ç’përfaqëson realisht?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: 650 milionë metra kub ujë.
SHOKU ENVER HOXHA: Realisht?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po.
SHOKU ENVER HOXHA: Me këtë sasi uji të pakët, sa energji elektrike humbasim?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Ne, humbasim 115 milionë kilovat-orë energji elektrike. Gjendja ka vazhduar jo e mirë dhe në ditët e para të muajit maj. Kështu që nga 357 metra kub ujë në sekondë, që është mesatarja shumëvjeçare e prurjeve, në 10 ditët e para të majit ka vazhduar me 240 metra kub ujë.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë 100 metra kub ujë më pak në sekondë.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, rreth 117 metër kub ujë në sekondë më pak. Me shirat që kanë rënë tani kjo sasi, do të rritet ca por jo shumë. Megjithatë diçka do rritet sepse në Jugosllavi parashikohet që të ketë reshje.
Në muajt janar-prill, ne kemi eksportuar rreth 100 milionë kilovat-orë energji elektrike më shumë. Në këto muaj, është realizuar 45 përqind e planit vjetor. E keqja është se megjithëse kemi thënë që të kursehet energji elektrike, prapë tejkalimi ka arritur në 40 milionë kilovat-orë.
SHOKU ENVER HOXHA: Brenda vendit?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, brenda vendit kemi harxhuar më shumë. Kjo vjen dhe nga tejkalimi i detyrave që kanë qenë më të mëdha në këtë katër mujor. Megjithatë, nuk e kemi mirë harxhimin e energjisë elektrike.
SHOKU ENVER HOXHA: Kush harxhon më shumë tek ne?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Kombinatet e shtojnë më shumë, sasinë e harxhimit.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse ndodh kjo?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Sepse ndikon dhe mungesa e kontatorve dhe kështu nuk ndiqet mirë konsumi. Në planin vjetor ishte parashikuar që të siguroheshin 2.700 kontatorë. Pas bisedës që bëmë, janë porositur dhe 13.000 kontatorë të tjerë.
Efekti i përdorimit të tyre do të jetë i madh, sepse kështu do ta kontrollojmë si duhet harxhimin e energjisë elektrike. Mendimi ynë është që në kushtet e krijuara, të mungesës së prurjeve të lumenjve, të vazhdojë prodhimi me ngarkesë të plotë nga TEC-et që i kemi me qymyr dhe me gaz.
SHOKU ENVER HOXHA: Kjo bëhet, për të ruajtur eksportin?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, mendimi ynë është që mund të ulim afro 15 përqind eksportin në këtë kohë, dhe pastaj ta shtojmë këtë në tremujorin e katërt meqenëse çmimi i energjisë në këtë periudhë, është më i madh. Këtë mendojmë ta bëjmë, me qëllim që të ruajmë rezervat e ujit. Nëse do të ketë reshje, prapë mund të bëjmë një lëvizje.
SHOKU ENVER HOXHA: Ta shikojmë më mirë mundësinë, për të bërë kursime brenda.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Kursimet brenda, do të vazhdojnë.
SHOKU ENVER HOXHA: Nëse ka mundësi, është mirë që të mos e ulim eksportin.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Mund të kursejmë edhe brenda një sasi, por gjithsesi duhet të kujdesemi që të ruajmë rezervat e ujit.
SHOKU ENVER HOXHA: Rruga më e lehtë, është të shkurtojmë eksportin jashtë të energjisë, sesa të shkurtojmë energjinë që përdorim brenda. Ekonomisë sonë i intereson më shumë, të shkurtojmë nga sasia që përdorim brenda, sesa nga ajo që eksportojmë.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: E kam fjalën që me uljen e eksportit, të ruajmë rezervën e ujit që të mund të kemi prapë për të eksportuar energji, edhe në periudhën kur ajo mund të jetë me çmim të lartë. Energjia që do të kursejmë nga eksporti, nuk do ta harxhojmë brenda. Brenda ne, do të vazhdojmë me kursimet. Ne biseduam për këtë, dhe ndërtuam një program të tërë se si do të veprojnë shokët e qeverisë, ata të rretheve, dhe ne, për ta ndjekur këtë problem. Rruga kryesore, duhet të jetë kursimi i brendshëm.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk di se ç’mund të themi për këto probleme, pasi nuk jemi as kompetentë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Brenda këtij 4 mujori, kemi harxhuar mbi planin, 40 milionë kilovat orë. Kjo është shumë, dhe nëse do të vazhdojmë kështu, do të ndodhë që këtë sasi të shkurtuar nga eksporti ta hajë konsumi brenda vendit.
SHOKU ENVER HOXHA: Patjetër që do të harxhojë konsumi i brendshëm. Pse çdo ta bëjmë ne këtë 15 përqindësh që do ta ndalojmë nga eksporti?!
SHOKU VANGJUSH CËRRAVA: Ruajmë rezervat e ujit.
SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë turbina, duhet të mos punojë?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Turbina, nuk do të punojë me kapacitet të plotë. Nuk do të konsumojmë energji tjetër brenda vendit.
SHOKU FOTO ÇAMI: Ne, mund të ulim konsumin e energjisë brenda vendit, dhe eksportin ta mbajmë në atë masë që e kemi. Sikur 5 përqind ta ulim konsumin brenda vendit, sasia e energjisë që do të kursejmë në këtë mënyrë, do të tejkalojë atë të 15 përqindëshit që do të ulim nga importi.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Ulja ditore e nivelit të ujërave, tani me këtë prurje kaq të varfër, llogaritet në disa mijë metra kub ujë në ditë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, më mirë të ulim konsumin brenda vendit.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: E kuptoj që kursimi brenda vendit, është detyrë e radhës së parë.
SHOKU FOTO ÇAMI: Sikur 5 përqind të kursesh nga energjia elektrike që përdor brenda vendit, është shumë më tepër sesa 15 përqindëshi që do të kursesh, duke shkurtuar eksportin e saj.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Ta shikojmë.
SHOKU ENVER HOXHA: Nga vjen Drini?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Nga Jugosllavia, por burimin e ujit e ka tek Liqeni i Ohrit.
SHOKU ENVER HOXHA: Në parashikimin për uljen e sasisë së prurjeve të Drinit, janë mbajtur parasysh vetëm reshjet tona apo edhe ato të Jugosllavisë?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Kjo gjendje, ishte para reshjeve të djeshme, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: E them në përgjithësi unë. Që të mund të përcaktojmë forcën e ujërave të lumenjve tanë që i kanë burimet jashtë vendit, duhet të shikojmë jo vetëm të dhënat tona meteorologjike, por edhe ato të vendit tjetër fqinj, se nga jashtë na vijnë ujërat e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi.
A e ndjekin specialistët tanë, kështu këtë çështje?! A i ndjekin ata, të dhënat për reshjet në Jugosllavi?! A kemi ne me Jugosllavinë, marrëveshje për komunikimin e sasisë së reshjeve?! Pse e them këtë?! E them këtë se ne, shkojmë me disa norma të përafërta.
Jemi përpara verës, dhe tek ne në verë, bën vapë dhe thatësirë. Po lugina e Drinit, a e ka edhe ajo po këtë gjendje thatësire si ne?! Nëse atje, nuk është po kjo gjendje thatësire, atëherë Drini do të ketë prurje që vazhdojnë dhe në territorin tonë.
Duket që sasia e ujit është ulur, dhe është e kuptueshme që pas kësaj nuk mund të ketë ndryshime të mëdha. Sidoqoftë që të mund të përcaktojmë ruajtjen e rezervave të ujit tani për më vonë, nuk e shoh të udhës, se më vonë mund të na vijë ujë më tepër se sa nevojat e përdorimit tonë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe ta derdhim.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Ashtu është, pasi duhet studiuar problemi dhe në këtë formë.
SHOKU ENVER HOXHA: Pra, duhet parë dhe në këtë drejtim, se këto ujëra vijnë nga jashtë. Pastaj na del dhe një problem tjetër, pasi desha të di a ndikon hidrocentrali “Drita e Partisë” i Fierzës, tek ai i Vaut të Dejës?!
SHOKU VANGJUSH CËRRAVA: Jo, nuk ndikon fare.
SHOKU ENVER HOXHA: E kam fjalën këtu, që me përdorimin e ujit në njërin hidrocentral e ulim në nivelin e ujit, p.sh., pesë metra me pesë metra ky nivel, bie vetë nga moti atëherë ç’ndodh në hidrocentralin tjetër, në vazhdim të rrjedhës së këtij lumi?!
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Hidrocentrali i Vaut të Dejës, ka më pak energji.
SHOKU ENVER HOXHA: Pra atij i mjafton uji, tani për tani.
SHOKU VANGJUSH ÇËRRAVA: Po, Hidrocentrali i Vaut të Dejës, ka më pak turbina.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, shumë bukur. Këtu desha të dal dhe unë. Pra atë që bëjmë ne me hidrocentralet tona, mund ta bëjë dhe Jugosllavia me hidrocentralet e saj. Kur e sheh të nevojshme, e pakëson sasinë e ujit, kur është fjala për lumenj që burojnë në territorin e saj.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ajo mund ta përdorë ujin, dhe për ujitje. Se Kosova ujin për ujitje, e merr nga Drini i Bardhë.
SHOKU ENVER HOXHA: Pra këto gjëra, kanë efektet e tyre që duhet të mbahen parasysh nga ne. Ka disa ligje ndërkombëtare që janë të përcaktuara për këtë çështje, por nëse ato nuk kontrollohen, për analogji do të thoja se ajo ndodh në këtë rast si puna e atyre që bërtasin për ekuilibrimin e armatimit.
E njëri i thotë tjetrit, unë bëra pesë prova, e tjetri ja kthen e i thotë, jo bëre tetë, e ky i përgjigjet më pas që, ti ke bërë 16, e kështu me radhë.
Pra kontrolli i prurjeve të lumenjve, duket nga vetë vija e ujit dhe nga të dhënat meteorologjike. Interesi ynë për devizë, është i madh. Prandaj më tepër duhet të kursejmë brenda, prandaj nuk më duket i drejtë mendimi që të konservojmë ujin, sepse edhe kohës nuk i dihet sesi mund të shkojë. Rruga më e drejtë, është që të shtrëngojmë vidat këtu brenda.
SHOKU RAMIZ ALIA: Lidhur me devizën shoku Enver, eksporti i energjisë elektrike nuk po na shkon shumë mirë. Kemi deficite, sidomos në Koman. Pra mungesën, duhet ta kompensojmë me diçka dhe energjia elektrike, është një nga burimet e sigurimit të valutës.
SHOKU ENVER HOXHA: Energjia dollarë të jep. Shikojeni pak problemin në këtë drejtim. E mo Hekuran, dëshiron të bisedosh me mua, ti?! Memorie.al