Mbledhja e dy qeverive, Rama: Këtë sezon nuk duhet të ketë kontrolle në kufi! Volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin që lamë pas ishin 433 mln euro

20 Qershor 2022, 11:28| Përditesimi: 20 Qershor 2022, 13:04

  • Share

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen mes dy qeverive në Prishtinë e nisi fjalën e tij duke përmendur marrëdhënien me kryeministrin Albin Kurti, ku tha se me të ka një sinergji të veçante. Kreu i qeverisë shqiptare po ashtu foli me shifra për punët e përbashkëta ndërmjet dy qeverive.

‘Ndërkohë që, shprehjen e kënaqësisë për këtë moment, dua ta bëj duke falënderuar përzemërsisht Albinin dhe të gjithë ju, por në veçanti Albinin dhe duke e thënë publikisht edhe në sytë të të gjithë atyre që na ndjekin, për mirë apo për keq, është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur unë e them që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak. Kjo është e rëndësishme.

Dua të them disa shifra që besoj janë domethënëse. Kur ne kemi nisur punën më nga afër dhe më intensivisht me qeveritë e Kosovës kemi pasur një volum të shkëmbimeve tregtare 160 milionë euro. Sot volumi i shkëmbimeve tregtare për vitin që lamë pas është 433milionë euro. Kemi hyrë në zonën kur shifrat marrin një lloj serioziteti në krahasim me shifrën shumë qesharake prej 160 milionë euro mes dy vendeve, ndërkohë që vite të tëra ishin harxhuar në këtë drejtim.

E dyta që dua të sjell në vëmendje është që sot në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 1225 subjekte biznesi nga Kosova, 1081 prej të cilave janë pronësi 100% të subjekteve të këtushme, ndërkohë që 145 të tjera janë pronësi e përbashkët me partnerë në Shqipëri.

Investimet e Kosovës në Shqipëri në 2017, 9 milionë euro. Në vitin 2021, 139 milionë euro. Besoj që është një shifër shumë domethënëse dhe e fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 milionëshi i 2018, ndërkohë që jemi në 41 milionë në vitin 2021, një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Unë besoj që ne kemi gjithë mundësinë që ta intensifikojmë dhe ta shtojmë volumin e investimeve reciprokisht, ndërkohë që dua t’i kujtoj ministrave të brendshëm këtu të pranishëm se kemi një protokoll të nënshkruar në prill të 2019 në Morinë që shërben si udhëzues shumë i qartë për kalimin praktik të kufirit dhe besoj që Kryeministri është dakord me mua që në këtë sezon është e palejueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi më probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet apo vitet e tjera dhe radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqipërisë.

Sot më vjen shumë mirë që ne kemi ardhur bashkë me përfaqësues të kompanisë prestigjioze globale Royal Haskoning për të prezantuar këtu studimin e portit të Durrësit, i cili shtrihet nga Durrësi në Prishtinë, me portin pritës në Durrës dhe në portin e Thatë të Prishtinës, çka përbën një projekt me rëndësi strategjike, i cili ka bërë më të integruar edhe hekurudhën Durrës- Prishtinë, për të cilën ne kemi filluar punën konkretisht me studimin përkatës bashkërisht dhe besojmë që duke e shtyrë bashkërisht këtë projekt të madh të portit të ri me Portin e Thatë të Prishtinës dhe portin e Durrësit të integruar me hekurudhën dhe me portin ushtarak bazë të NATO-s të re në Mesdhe në Durrës, gjë për të cilën ne kemi filluar kontaktet me NATO-n, jemi në një situatë krejtësisht tjetër për dhjetëvjeçarët e ardhshëm.’- tha Rama.


Lajmi kryesor:

Mbledhja e 8 e përbashkët Shqipëri-Kosovë! Kurti: Kemi një oqean mundësish të pashfrytëzuara! Rama: Rritëm disa herë shkëmbimin ekonomik! Të arrijmë në 1 mld dollarë


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?