Politikë

Zgjedhjet/ Rama hedh në listë të hapur shumicën e Grupit të PS: Transfuzion gjaku! Kryeministri në dilemë: Mund të mos kandidoj për deputet (VIDEO)

10 Mars, 08:52| Përditesimi: 10 Mars, 12:23

  • Share

TIRANË- 'Orë të nxehta' në PS, ku pritet të konkretizohet lista për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Pas takimeve intensive për dy ditë rresht me ministrat dhe  drejtuesit politikë të qarqeve, kryesocialisti Edi Rama iu drejtua mbledhjes së grupit të PS, ku u bëri të qartë të tijve se me zgjedhjet e ardhshme do të ketë një reformim të grupit të PS. Asnjë deputet, qoftë burrë apo grua, që ka fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS, nuk do të ketë vend në listën e sigurt të socialistëve.

Pra, i gjithë grupi i PS do të ‘hidhet’ në listën e hapur me qëllimin e vetëm për të maksimalizuar rezultatin, sipas Ramës për të marrë rezultatin më historik. Listat e hapura do t'i lihen figurave të reja politike. E nëse ndonjë prej ligjvënësve të PS ka pakënaqësi për këto ndryshime brenda radhëve të tyre, Rama u tha se nëse s'duan të garojnë në listë të hapur, mund t'ia bëjnë me dije drejtuesve politikë të qarqeve. 

"E para, cilado/cildio prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re, do jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga PS, nuk do jetë në listën e mbyllur. E drejta e kujtdo, që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listë të hapur ta thotë, por ta thotë para. Sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga PS. Në listë të hapur do ketë plot të rinj e të reja", u shpreh Rama. 

Në parim tha Rama i do të jetë njëjtë edhe për gratë deputete, të gjitha ato kanë një mandat të jenë në fushën e garës , por mënyrën se si do të materializohet e la të hapur.

"Ndërsa përsa i përket deputeteve, po shkojmë drejt të njëjtin princip, por do shohim deri në fund si do materializohet. Të gjitha deputetet që kanë qoftë dhe një mandat, do të jenë në fushë. Pse? Për faktin se me sistemin e ri që kemi, gara është e balancuar. Burrat garojnë me burrat, gratë garojnë me gratë", tha Rama. 

Për të garantuar një garë të shëndetshme, kryeministri Rama tha se 14 drejtuesit politikë të qarqeve do jenë në lista të mbyllura. Edhe pse është përfolur shumë që kryesocialsit do jetë në listën e hapur të Tiranës, pas arrestimit të Veliajt, vetë Rama thotë se ende nuk e ka marrë një vendim nëse do futet apo jo në listë.

E dyta, diskutimi ka qenë unë e kam shprehur dhe kam thënë, që drejtuesit duhet të jenë në listën e hapur. Problemi më duket se ka argumenti im, është që do çorodiste gjithë procesin se nuk do të lejonte as një barazi shansesh në garë dhje nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të ndeshjes nga ana jonë. Pasi drejtuesit politikë do ishin të fokusuar për të marrë vota për vete me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi dhe do çorientohej gjithë skuadra. Drejtuesit politikë duhet të garantojnë që të gjithë deputetët që janë në garë të kenë hapësirë të barabartë, sa më të barabartë. Nuk besoj kurrë që asnjë drejtues politik mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e PS dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme.  E vetmja gjë vlen edhe në rastin tim. Nuk e kam pasur idenë se pse unë duhet të jem në atë kuvend si deputet për sa kohë e kam këtë detyrë.

Nga ana tjetër do ishte prap një hyrje në hak ndaj të tjerëve , të vendosja emri im të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kush është në listën e hapur duhet të jetë në garë të barabartë, sa më të barabartë dhe asnjë drejtues politik, natyrisht nuk besoj kurrë që mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e Partisë Socialiste dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme, dhe natyrisht e njëjta gjë vlen në rastin tim. Me thënë të drejtën, as e kam pasur dhe as e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem aty në parlament si deputet për sa kohë kam këtë detyrë, dhe nga ana tjetër do ishte prap një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kështu që, kush është në listën e hapur duhet të jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund edhe të mos jem fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve, për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt. Kjo është pak a shumë pamja sot", tha Rama. 

Me këtë 'skemë' të re, kryeministri Rama thotë se synohet një ‘transfuzion gjaku në PS’ dhe figura të reja do të garantohen brenda listës së mbyllur.

“Këta të rinj dhe të reja për t’i dhënë energji, për të bërë transfuzion gjaku PS-së, këta duhet të jenë aty. Kurse të tjerët që kanë marrë mandat më parë duhet të jenë në betejë për të marrë vota”, theksoi Rama.

Synimet i ka të qarta, kur thekson se më 11 maj fitorja duhet për të vulosur integrimin e Shqipërisë në BE.

“11 Maji duhet të jetë vula e vullnetit popullor për ti dhënë mandatin e 4 PS me një mbështetje si asnjëherë më parë në mënyrë që ne të mbyllim procesin që të mos kemi asnjë luhatje, asnjë ditë të humbur, nëse humbasin muajin ajo dritare mbyllet”, tha Rama.

Deri në integrimin në BE, Rama thotë se garantja e vetme e reformës në drejtësi është Partia Socialiste. Nuk la pa ironizuar Sali Berishën duke thënë se këneta kërkon ta shkrijë SPAK.

"Ka shumë rëndësi se kush qeveris për anëtarësimin në BE, ne jemi garancia, të tjerët e kanë thënë do kthejnë mbrapsht reformën, do neutralizojnë SPAK, do zhbëjnë reformën në drejtësi. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet me drejtësinë i kanë të mëdha në lidhje me interesin publik. Këto forca janë të shpallura, i njeh gjithë Shqipëria dhe gjithë bota. Nuk ka truk mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi ca page nga Amerika për të bërë një makijazh trampist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb. Ky është thelb i ndarjes së dita me natën mes nesh dhe kënetën.”, theksoi kreu i mazhorancës për deputetët e PS-së.

Afati i fundit për dorëzimin e listave për kandidatë në KQZ është 12 marsi, ku partitë politike do duhet të dorëzojnë 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur. 

Ora 09:50
'Shkrija e SPAK bëhet nga forca që kanë halle me drejtësinë', Rama: Nuk ka makijazh trumpist që ndryshon kënetën (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së ka komentuar dhe ardhjen e këshilltarit të ri të fushatës së PD-së Christopher Joseph LaCivita. 

Ne jemi garancia e reformës në drejtësi, të tjerët kanë thënë që do shkrijnë reformën në drejtësi dhe do neutralizojnë SPAK. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet e tyre me drejtësinë i ka më të mëdha sesa lidhjet e tyre me interesin kombëtar dhe interesin publik. Këto forca janë të shpallur dhe i njeh gjithë bota. Nuk ka truk mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi ca page nga Amerika për të bërë një makijazh trampist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb. Ky është thelb i ndarjes së dita me natën mes nesh dhe kënetën. Por ky është edhe thelbi që ndan nëse Shqipëria dhe shqiptarët do të bëhen anëtarë të BE duke mbyllur negociatat në 2027 apo nëse do mbetet si ndonjë shtet në rajon që e ka të ardhmen të paqartë. Ne nuk jemi Bosnja, ne jemi Shqipëria dhe kemi mundësitë për të shfrytëzuar atë dritare”. –tha Rama.

Ora 09:46
Rama: Edhe gratë me një mandat në listën e hapur! ‘Transfuzion gjaku’ partisë, në ‘kalë’ na ka mbajtur ndryshimi! Të mos na hedhin në kosh si më 2005

 

Kryeministri Edi Rama lajmëroi se edhe gratë socialiste që kanë një mandat deputeteje do të jenë në fushën e betejës për vota te lista e hapur, ku do garojnë me gra të tjera, pasi gara do jetë e barabartë sipas kryesocialistit, edhe me burrat.

Ai theksoi se ky 'transfuzion gjaku' i partisë është i nevojshëm sepse aftësia e tyre për të ndryshuar edhe brenda vetes dhe rigjeneruar partinë me të rinj, i ka mbajtur "në kalë" që nga 2013, si ADN-ja e socialistëve. Ai theksoi precedentin e vitit 2005 si ilustrim politik, duke thënë se nëse nuk ndryshojnë për t'i thënë qytetarëve se janë më pranë tyre, atëherë ndodh dhe "na hedhin në kosh si më 2005".

"Përsa i përket deputeteve po shkon drejt finalizimit, por do shohim si do vejë. Por të gjitha deputetet që kanë një mandat do të jenë në listë të hapur. Gara duhet të jetë e barabartë te listat e hapura, gratë me gratë dhe burrat me burrat.

Dhe tjetra, çfarë kanë dhënë të rinjtë dhe të rejat që të jenë në listën e mbyllur?

Kam këndvështrim tjetër, sepse këta të rinj dhe të reja për t’i dhënë energji, për të bërë transfuzion gjaku PS-së, këta duhet të jenë aty. Kurse të tjerët që kanë marrë mandat më parë duhet të jenë në betejë për të marrë vota.

Të gjithë të jenë të vetëdijshëm për logjikën e procesit dhe se çfarë u duhet atyre që do i kërkojnë votat. Nuk i duhet atyre një skuadër që nuk reflekton se çfarë duan ata, që nuk kanë eksperiencë, që nuk u thonë asgjë, që janë lënë mënjanë, që janë ndjerë me pamundësi apo pa lidhje me figurat me të cilat janë mësuar dhe duan figura të reja.

Dhe nëse ka një gjë që na ka mbajtur në kalë ka qenë kapaciteti për të ndryshuar pa pritur që njerëzit të na hedhin në kosh si në 2005, pra të ndryshojmë sepse kjo është ADN-ja socialiste. Këto doja të ndaja me ju, sigurisht për peshën e madhe që kanë këto zgjedhje, por besoj se të gjithë ata që janë në sallë, nën këtë çati apo edhe ata që mungojnë, i duhen mandatit të PS-së, edhe një gjë tjetër, skema e re që do ketë qeveria e PS-së, por kjo është për një ditë tjetër.

Procesin jemi duke e mbyllur me drejtuesit politikë dhe besoj se para afatit do e konkludojmë që të ketë një pamje sa më të plotë, në prezantimin që do i bëjmë publikut dhe besoj se kam qenë i qartë. Shumë faleminderi!”", tha kryeministri.

Ora 09:35
Rama për zgjedhjet e 11 majit: Do ketë emra të rinj në listat për deputetë, me energji dhe kapacitete

 

Kryeministri Edi Rama tregoi edhe piketat politike të zgjedhjeve të ardhshme dhe lufta për listën e deputetëve.

Ai la të kuptohet se në listat e mbyllura do ketë shumë emra të rinj dhe me energji, të dalë nga platforma “Deputeti që duam”.

Kjo i vë përballë betejës për listat e hapura të deputetëve të vjetër.

“Duke votuar një parti tjetër mund të kapësh një deputet, duke votuar këtë parti, PS, mund të kesh mundësi e të përfaqësosh veten në parlament, qeveri të përforcuar me eksperiencë, janë të dyja gjërat bashkë. Ne e kemi bërë një llogari qoftë jashtë dhe brenda perimetrit të partisë, qysh kur kanë mbaruar zgjedhjet, nuk u vë faj të tjerëve që s’i kuptojnë, e pastaj ia veshin fitoret tona fantazive, pra ata do bënin këto në vendin tonë, do villnin do manipulonin, me botën e errët etj etj., por nuk kanë për ta marrë vesh. Ndërkohë që ne qysh kur mbaruan zgjedhjet e kaluara kemi filluar punën për zgjedhjet e radhës, kemi bërë rigjenerim tërësor e riorganizim të PS. Kemi ofruar platformën e “Deputetit që duam”. Nga diskutimet me drejtuesit politik shpreh kënaqësinë që një numër prej tyre, që dikur se konsideronin të ishin deputetë të PS, do jenë pjesë e listave tona, të reja e të rinj, me energji dhe me kapacitete që përveç të resë, të kenë edhe forcën për të vënë në jetë gjërat që duan të bëjnë në jetë”, tha Rama.

Ora 09:34
'Duhet të japim partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të renë në energji'/ Rama: Pesha jonë më e madhe e brendshme do të jetë ekonomia

 

Kryeministri Edi Rama dhe njëkohësisht dhe Kryetari i Partisë Socialiste ka folur ditën e sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së lidhur me agjendën e Shqipërisë 2030 dhe alternativën e PS në 11 maji. Rama ka theksuar se “në këto zgjedhje ne do duhet t’i japim partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të renë në alternativë”.

"Pesha e brendshme e këtyre zgjedhjeve natyrisht lidhet me ekonominë e 2030, lidhet me punën dhe me gjithë komponentët, që tek prodhimi, tek eksportet te puna e mirë paguar, lidhet me shëndetësinë e 2030 dhe do të na duhet, të ndajmë me publikun, hopin e ri cilësor, që tani kemi programuar për shëndetësinë, me arsimin e 2030 dhe drejtësinë dhe sigurinë. Për herë të parë qysh në vitet në 90, ose nga vitet 90, kur ata që  ata që nuk e di sesi e imagjinojnë që mund të rikthehen, shkatërruan të gjitha bazat ushtarake të Shqipërisë, ne po hedhim themelet e një industrie të re ushtarake dhe në 2030 ne do të jemi një forcë industriale, mes të gjitha forcave të tjera të NATO-s në përputhje me përmasën tonë ushtarake

Tani duke ardhur te partia dhe te alternativa dhe te çfarë duhet t’i japim ne shqiptarëve në këto zgjedhje. Është shumë e thjesht për mua. Ne këto zgjedhje duhet t’i japim partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të re në energji. Nuk ka parti që mund të bëjnë një të njëqindën që mund të bëjmë ne si një forcë e re. Nuk mjafton të kesh një autopalant dhe vetëm të shash dhe të denigrosh dhe të protestosh, duke u bazuar te gjysmë të vërtat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha."-tha Rama 

 

 

Ora 09:30
Rama: Të tjerët pretendojnë se janë parti të burgosurish politikë, ne nuk ulërasim kur drejtësia godet edhe brenda nesh

 

Nga mbledhja e Grupit të PS, kryeministri Edi Rama foli edhe për reformën në drejtësi ndërsa ironizoi opozitën të cilët thonë se janë të burgosur politikë.

“BE u duhet shqiptarëve përtej interesave financiare, por për të garantuar lirinë individuale, barazinë para ligjit. Garantët e barazisë para ligjit sot jemi ne, s’ka njeri tjetër që garanton proceset e nisura të drejtësisë kanë të gjitha të metat. Por duhen mbështetur në rrugën e tyre me çdo çmim edhe më marrjen përsipër të kostove. Ne nuk bërtasim për persekutim apo padrejtësi kur institucionet reja të drejtësisë godasin brenda nesh. Të tjerët pretendojnë se janë parti të burgosurish politikë, ky është dallim katastrofik për të ardhmen. E fundit për këtë pjesë. BE na duhet për këto garanci, që Shqipëria dhe shqiptarët si kanë pasur kurrë dhe për herë të parë Shqipëria dhe shqiptarët s’do jenë në ndonjë regjim të imponuar nga të tjerët, e as në një qeverisje që mund të çojë në drejtim të paditur, duke u bërë pjesë e BE”, tha Rama.

Ora 09:24
Rama: Shqipërinë në BE e fusim vetëm ne dhe jo kua-kua-kuatë e kënetës që duan të zhbëjnë drejtësinë dhe të neutralizojnë SPAK-un

 

Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen me grupin e PS-së se Shqipërinë në BE e çon vetëm mazhoranca socialiste dhe jo “këneta e kua kua kuave”.

Ai theksoi se me botën, NATO-n dhe BE-në flet vetëm PS-ja dhe jo krahu që ka halle me drejtësinë dhe që po kërkon ta zhbëjë reformën dhe të neutralizojë SPAK-un.

“Anëtarësimi në BE është më shumë se çdo herë çështje ekzistenciale për popullin shqiptar. Këtu vij te ana tjetër e medaljes, NATO, që është lëkundje kaq e madhe tektonike, në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeopolitika botërore. Ne jemi të vegjël në këtë kontekst kaq të madh, por interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur. Qoftë përsa i përket BE-së dhe qoftë NATO-s, zëri ynë, prania jonë dhe sigurua jonë e brendshme, që do të thotë pozicioni ynë i sigurtë, stabël dhe i palëkundur nga kua kua kuatë që nuk mund të jehojnë jashtë perimetrit të kënetës, është themelor. Nuk ka kapacitete të tjera përveç PS që mund të flasin me BE, NATO-n dhe botën, nuk ka”, tha kryeministri.

Më tej ai theksoi rëndësinë pse duhet vota në zgjedhjet e 11 majit:

“Pa u futur në BE mbetet shumë e rëndësishme absolutisht se kush qeveris në Shqipëri, do jetë relativisht e rëndësishme për ata, por edhe për themelet e shtetit shqiptar.

Ka shumë rëndësi se kush qeveris për anëtarësimin në BE, ne jemi garancia, të tjerët e kanë thënë do kthejnë mbrapsht reformën, do neutralizojnë SPAK, do zhbëjnë reformën në drejtësi. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet me drejtësinë i kanë të mëdha në lidhje me interesin publik. Këto forca janë të shpallura, i njeh gjithë Shqipëria dhe gjithë bota. Nuk ka turist që nuk e di se me sa pagë vjen për makijazh”, theksoi kreu i mazhorancës për deputetët e PS-së.

Ora 09:22
“11 Maji vula për t’i dhënë mandatin e 4 PS-së si asnjëherë”/ Rama: Nëse do humbasim muaj, dritarja e BE-së do mbyllet

 

Kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës së tij ditën e sotme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së është ndalur tek rëndësia e madhe që sipas tij ka fokusi për të integruar Shqipërinë në BE. Rama theksoi se 11 Maji do të jetë “vendojsa e vulës për t’i dhënë mandatin e 4 PS-së si asnjëherë më parë.

Asnjëherë yjet nuk janë përputhur si sot, asnjëherë konteksti gjeopolitik nuk i ka qenë i favorshëm kaq sa sot për ne. Nuk është dritare e hapur përgjithmonë, ky kontekst mund të ndryshojë, mundësia që marrëdhëniet tona me BE të kthehen sërish që “i keni bërë përparimet por duhet të bëni akoma”, është një mundësi që nuk është përjashtuar, por sot interesi i BE për t’u forcuar në të gjitha drejtimet është më i madh se sa çdo gjë tjetër, këtu është edhe përputhja e rrethanave tone me BE.

Nuk do të lejojmë që ta humbë si mundësi, kemi dakordësuar me BE një kalendar të negociatave, që është e paprecedentë, qysh nga viti i kaluar kur filloi të zbatohet procesi i negociatave dhe deri sot që flasim shpejtësia me të cilën kemi përparuar në hapjen e kapitujve është e paprecedentë.

Asnjë vend i rajonit nuk ka ecur me këtë shpejtësi, dhe jo thjesht për meritën tonë, por vullneti i palës tjetër

Kur kemi ardhur në detyrë kemi qenë vrima e fundit e kavallit dhe prapambetja jonë në atë proces ishte e atillë që na u desh kohë për të afirmuar statusin e kandidatit, as për kandidat nuk na shikonin të gatshëm.

Kalendari që na ka dhënë është të mbyllim negociatat në 2027. Ose është e rëndësishme për 11 Majin. Ndërkohë që ne flasim sot, janë rreth 11 mijë persona të angazhuar që punojnë përditë për negociatat.

Janë afro 40 drejtues të grupeve negociatore dhe është një strukturë që është baza e suksesit të negociatave. 11 Maji duhet të jetë vula e vullnetit popullor për ti dhënë mandatin e 4 PS me një mbështetje si asnjëherë më parë në mënyrë që ne të mbyllim procesin që të mos kemi asnjë luhatje, asnjë ditë të humbur, nëse humbasin muajin ajo dritare mbyllet.”-tha Rama.

Ora 09:18
“Interesi i Evropës për t’u forcuar në të gjitha drejtimet është më i madh”, Rama: Këtu përputhen rrethanat tona të brendshme me ato të BE

 

Nga mbledhja e Grupit të PS, kryeministri Edi Rama flet për integrimin në BE.

"Mundësia që marrëdhëniet tona me be të kthehen përsëri në biznes usual që i keni bërë përcaktimet por duhet të bëhen akoma dhe që komisioni evropian ti kërkojë këshillit të hapë dyer të tjera dhe aty të dali një shtete dhe të thotë prit njëherë disa vërejtje është një mundësi që nuk është përjashtuar, përkundrazi sot për sot është e lënë mënjanë se interesi i BE, interesi i Evropës për t’u forcuar në të gjitha drejtimet dhe për të parë procesin e zgjerimit si një nga drejtimet e forcimit të vet është më i madh se çdo gjë tjetër dhe këtu është edhe përputhja e rrethanave tona të brendshme me ato të BE. Kjo është dritarja e hapur që Shqipëria nuk duhet dhe nuk do lejojmë ta humbë si mundësi. Kemi dakordësuar me BE një kalendar të negociatave që është i paprecedentë në historinë e integrimit dhen ë proceset negociuese të BE me një vend kandidat. Që nga viti i kaluar kur filloi konkretisht të zbatohet procesi i negociatave pas procesit screening deri sot që flasim, shpejtësia me të cilën ne kemi përparuar në hapjen e kapitujve është i paprecedentë, asnjë vend para nesh dhe asnjë vend i rajonit s’ka ecur me këtë shpejtësi. Kjo jo vetëm për meritën tonë, por në radhë të parë sepse vullneti i palës tjetër është i paprecedentë. Të tjerët janë pas nesh. Këtë proces që po e bëjmë në kohë kaq të shkurtër, me Malin e Zi që e ka bërë për shumë vite, jemi krah për krah. Kalendari që na kanë dhënë është të mbyllim negociatat në 2027. Pse 11 maji është i kaq i rëndësishëm. Ndërkohë që ne flasim sot, janë rreth 1 mijë persona të angazhuar në shtetin shqiptar që punojnë dhe si tani çdo ditë për negociatat”, tha Rama.

Ora 09:12
Rama: Këto zgjedhje me peshë gjeopolitike për anëtarësimin në BE, asnjëherë yjet nuk janë rreshtuar kaq favorshëm për Shqipërinë! Dritarja mund të mbyllet

 

Në fjalën e tij para deputetëve të grupit socialist në mbledhjen që po mban në Kuvend, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e 11 Majit për vendin, sesa për partinë.

Kreu i mazhorancës tha se asnjë nga 9 fitoret e mëparshme nuk ka pasur rëndësi sa çfarë kanë këto zgjedhje, sepse përcaktojnë fatin e vendit në anëtarësimin në BE.

Ai tha se “asnjëherë yjet nuk janë rreshtuar në mënyrë të favorshme për Shqipërinë” dhe se “kjo mundësi mund të largohet dhe dritarja të mbyllet” nëse nuk nxitohet.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

"Përgatitjen e skuadrës së 11 majit, e sollën pikërisht sot në orën 9.

Dua të ndaj me ju disa mendime, mbledhje e pazakontë po të marrim parasysh procesin e përgatitjes së skuadrës kombëtare të Partisë Socialiste. Unë besoj se edhe vetë situata, rëndësia dhe konteksti i këtyre zgjedhjeve është shumë i pazakontë. Dhe besoj se është me rëndësi të veçantë që të gjithë ne që jemi këtu dhe familja jonë e madhe politike të vetëndërgjegjësohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve, në kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik.

Besoj se qyshkur kam privilegjin që të udhëheq këtë skuadër politike, me 9 fitore, në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme si në këto zgjedhje.

Këto zgjedhje zhvillohen në kontekst të dyfishtë. Njëri i marrëdhënieve me Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Ballkanin perëndimor. Dhe tjetra e anëtarësisë së vendit tonë në aleancën dhe i sigurisë.

Përe të dyja këto arsye madhore zgjedhjet e 11 majit nuk është i zakonshëm dhe rezultati i 11 majit nuk është vetëm i partive politike, por është më shumë se fitore e PS-së në vetëvete.

Për ne dhe flamurin tonë nuk ka qenë gjithmonë e rëndësisë së veçantë që të fitojmë zgjedhjet, pro më 11 maj rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i zgjedhjeve kanë një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit, shumë më të madhe sesa kanë pasur në zgjedhjet e mëparshme, 9 e me radhë.

Për herë të parë qyshse jam në krye të PS dhe Qeverisë është hapur një dritare që nuk ka qenë e hapur siç është sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE. Për herë të parë dëshira jonë dhe ambicia shqiptare për t’u bërë pjesë me të drejta të plota përputhet tërësisht me ambicien e BE-së.

E kam thënë gjithmonë se e ardhmja është në BE, perspektiva e qartë, por asnjëherë yjet nuk janë përputhur si sot dhe asnjëherë konteksti gjeopolitik nuk ka qenë i favorshëm soi sot.

Por nuk është dritare e hapur gjithmonë, por është kontekst që mund të ndryshojë më herët sesa vonë".

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhavit Karai: 10/03/2025 10:19

    O Edi Rama po do njē Mandat tē sigurt vej Profesor Doktor Kasap Rexhep Bule Lekėn [ kepi ] kandidat e Xhepi fiton 99% tē votave se ēshtē personalitet me 10 gjuh tē huaja e ka qen drejtor i Kombinatit tė mishit. Mos e humb ktē personalitet tē radh.

    Përgjigju
  • Shqipëria: 10/03/2025 09:56

    Nëse ka permend 2005 dhe po ben lista te mbyllura me te rinj e drejtues politik, nuk e ndjen shumë te sigurte fitoren. Pse nuk e vendos Erion Veline ne liste te sigurte?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?