Agroturizmi ka transformuar ofertën turistike të Shqipërise që është shtrirë tashmë edhe në zonat rurale nga veriu ne jug të vendit, duke impaktuar rritje të ekonomisë, punësim dhe më shumë të ardhura për familjet e këtyre zonave.
Këshu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në prononcimin për mediat pas mbledhjes së Qeverisë ku deklaroi se “Sot kemi miratuar disa ndryshime shumë të rëndësishme për njësitë e agroturizmit. “
Krifca tha se së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit kemi bërë lehtësimet e duhura në kriteret e domosdoshme për tu certifikuar e patjetër për të përfituar nga paketa e favorshme fiskale me 6% tvsh, 5% tatim fitimi dhe 0 taksë infrastrukture.
Ministrja vuri ne dukje se ndryshimet e sotme vijnë në përgjigje të kërkesës së biznesit, ku Ministria sic tha ajo ka ecur së bashku me shoqatën e agroturizmit në cdo hap si partnere proaktive në realitetin e ri dhe shumë të suksesshëm që ky sektor po përjeton”.
Krifca theksoi se me këto ndryshime i përgjigjemi kërkesave të më shumë se 300 operatorëve në të gjithë vendin si edhe zhvillojmë akoma më shumë një sektor i cili ka një shifër të ardhurash prej më shumë se 80 milion dollarë vetëm për vitin 2022.
Gjithashtu vuri në dukje ministria, me ndryshimet që miratuam sot zgjerojmë fashën e aktiviteteve tregtare që do të ushtrojnë veprimtarinë e agroturizmit, si për madhësinë e biznesit ashtu dhe llojin e veprimtarive agorturistike.
“Kështu përfshijmë në njësitë agroturistike ato ferma të cilat kanë si aktivitete: Përpunimin e produkteve bujqësore dhe të paktën 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore.; Përpunimin e produkteve blegtorale dhe të mbarështojnë të paktën 10 krerë gjedhë ose 100 krerë dele ose dhi ose 200 krerë shpendë; Akuakulturën për subjekte që kanë në pronësi ose përdorim - sipërfaqe ujore jo më të vogël se 3000 m2, që përdoret si për kultivimin e peshkut ashtu edhe të midhjes; Bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit me të paktën 50 zgjoje bletësh dhe parkun e bletëve ose bletishtën”, tha Krifca.
Ministrja informoi se, për ta bërë më të lehtë certifikimin dhe për pasojë lehtësitë fiskale që vijnë bashkë me të kemi ulur numrin e shtretërve minimalisht të nevojshëm në 6 dhe numrin e vendeve në restorant në 10 vende.
“Kemi shkuar dhe më tej duke lehtësuar kushtet edhe për certifikimin e bujtinave apo njësive relativisht të vogla por që përmbajnë vetë identitein tonë rural. Me vendimin e ri të këshillit të ministrave, me certificate agroturizmi do të mund të pajisen edhe fermat me 1 ha tokë, fermat blegtorale me 5 krerë gjedh, 50 krerë të imta dhe 100 shpendë apo ferma bletësh me 30 koshere”, tha ministrja.
“Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është të mbështesim të rinjtë pikërisht në zonat rurale për ta kthyer jetesën e tyre atje në sipërmarrje e cila sjell të ardhura dhe njëkohësisht prezanton bukurinë dhe pasurinë kulinare, kulturore dhe historike të vendit tone”, deklaroi ministrja.
Lajmi kryesor:
Vendimet e Qeverisë/ Kompensimi i pronave, Manja: Do t’i kthehen ish-pronarëve që u janë konfiskuar, ose marrin kompensim
//ReportTv.al