Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”.
Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.
Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPTARISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Aty mund të mësohet shoku Enver, se janë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse të shkohet ne i kemi shikuar, prandaj po themi.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e di që këshilltarët sovjetikë kanë ardhur që kur unë isha atje zëvendësministër, domethënë kur ishte Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, kanë ardhur edhe në kohën e Mehmetit, por vetëm 8 veta deri në vitin 1954, por kur u bëre ti ministër, nga 1954, deri në vitin 1960, kanë ardhur edhe 50 të tjerë.
SHOKU KADRI HAZBIU: 50 nuk e di unë të kenë ardhur shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk kanë qenë vetëm 8 veta kur ishte ti. Si është e mundur që ti ke qenë ministër dhe nuk i di këto gjëra. Këtë ti s’e di, atë s’e di, po lind pyetja, çfarë di ti atëherë?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë atëherë, thuaj ato që di.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë di…
SHOKU ENVER HOXHA: Hë, çfarë di?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ato dokumente që janë dërguar nga Ministria e Brendshme në Bashkimin Sovjetik i di.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ja, edhe këto të tjerat në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë bërë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Sinjalizime për grupet armiqësore që ka zbuluar Partia ti ke pasur, edhe për grupin e Mehmet Shehut, por nuk e di nëse i ke parë apo jo? Përveç kësaj që tha shoku Enver, është dhe raporti i Liri Gegës në 24.9.1955, që ka thënë se Mehmet Shehu ka qenë agjent i Berias. Kjo është e shkruar në raport në datën 24 shtator të atij viti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kështu të dhëna të tilla…
SHOKU PALI MISKA: Po këto janë deponime.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë deponime janë edhe mund të jenë. Po të dhëna të tilla mund të ketë pasur shumë në atë kohë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po si thua ore se të dhëna të tilla mund të ketë pasur?!
SHOKU RITA MARKO: Shiko se hetues këtu në nuk jemi. Por Partia ka të dhëna dhe bazohet në logjikë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, ashtu është, ka logjikë Partia.
SHOKU RITA MARKO: Mund të ndalesh edhe ti tani të reflektosh. Liri Gega deponon atje, Hulusi Spahiu shkruan këtu, ai tjetri shkruan diku gjetkë, nuk i pe ti të gjitha këto?
SHOKU SIMON STEFANI: Nuk nxjerr ti konkluzione nga të gjitha këto?
SHOKU RITA MARKO: Se këto nuk janë gjëra të vogla!
SHOKU ADIL ÇARÇANI: PO pse nuk vije ti të raportoje në Komitetin Qendror të gjitha ato që kishin dalë nga burime të tjera dhe nga hetuesia?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ku ta di unë tashti, nëse janë raportuar, apo s’janë raportuar. Çfarë të them tashti?
TË GJITHË SHOKËT: A, posi ore. Po kush duhet t’i dijë atëherë, kur s’i di ti?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ore ti shoku Pali, po i thonë 30 vjet që kanë ndodhur këto gjëra ore.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Po edhe 300 vjet të jenë, po me metodën dhe me gjënë kryesore, nuk merreshit ju? Tamam me këto të merreshit, se s’është kryesore të merreshit me vjedhje të zakonshme.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Po edhe 30 vjet të jenë, këtu nuk bëhet fjalë për një spiun apo një agjenti të zakonshëm por, bëhet fjalë për një deponim rreth një personi si Mehmet Shehu.
SHOKU KADRI HAZBIU: Parulla se ky, apo ai, është agjent, edhe ka pasur.
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, jo, se Liri Gega të jep edhe hollësira bile, në deponimet e saj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Parulla që ky ose ai është agjent i këtij ose atij, ore edhe kanë dalë, ju lutem shumë, ohu sa kemi dëgjuar ne të tilla dhe sa kam dëgjuar unë nga këto.
SHOKU PALI MISKA: Po kjo nuk është parullë shoku Kadri, është e deponuar diçka.
SHOKU KADRI HAZBIU: Ore, po unë as që e mbaj parasysh nëse e kam parë apo nuk e kam parë këtë deponim.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po pse, të mos e kesh parë?
SHOKU ENVER HOXHA: Shoku Kadri, mos e rëndo veten, me këtë qëndrim që po mban.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ç’ta rëndoj shoku Enver!
SHOKU ENVER HOXHA: Si ç’ta rëndosh?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, po ç’të rëndoj, them unë!
SHOKU ENVER HOXHA: Mos e rëndo veten, po të themi, po trego shqip, sepse kemi vetëm 15 a 20 ditë që kemi ngatërruar të gjitha arshivat dhe i mësuam këto gjëra, kurse ti, ke 30 vjet që i ke pasur atje dhe tani ven na thua këtu që nuk ditke gjë. A mundet ta pranoj Byroja Politike, ose Komiteti Qendror një shfajësim të tillë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po si të them, shoku Enver?
SHOKU ENVER HOXHA: Si të duash thuaj ti, po e mira është të flasësh hapët.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ja, unë kështu e ndjej këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ne ta thamë, kurse ti, e ndjeke që nuk di gjë! Mirë atëherë, kalo në pyetjen tjetër, se nuk mund të rrimë më ditë të tëra me këtë çështje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë, o, dakord.
SHOKU ENVER HOXHA: Se ti thua se nuk i ditke këto gjëra, asnjë nuk di ti?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë po them që mund të ketë edhe ndonjë gjë të tillë.
SHOKU SIMON STEFANI: Në qoftë se mund të ketë, ato duhen thënë atëherë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, mund të ketë, po mund të ketë shumë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mund edhe të ketë gjëra të tilla, ore shoku Simon, edhe llafe mund të ketë, mund të ketë pasur parulla që ky njeri është kështu, ky tjetri është i lidhur me armikun, etj., unë nuk i kam konceptuar si të tilla. Pastaj, një minut, nuk jam edhe në gjendje të them tashti, a ja kam raportuar, apo nuk ja kam raportuar Komitetit Qendror këto gjëra, se kanë kaluar 30 vjet që atëherë!
SHOKU MANUSH MYFTIU: Shoku Kadri, duke gjykuar për secilin nga ne, si ministër i Punëve të Brendshme, ti duhet t’ja raportoje domosdo sektorit të parë, këto që binin në dorë në Ministri, pastaj, do të besoheshe, apo nuk do të besoheshin ato, kjo është punë tjetër, nuk e ke ti në dorë, se sa t’ja thuash sekretarit të parë një informacion dhe ai të vendosë, vetëm ti ishe i detyruar t’ja thoje atij për deponimet e Liri Gegës, për atë të Hulusi Spahiut, etj.
SHOKU ENVER HOXHA: Po si nuk të kujtohet ty, shoku Kadri, të gjitha këto gjëra, dhe nga ana tjetër akuzohet Teme Sejko, se një agjent grek, Kosta Fili, paskësh deponuar që ne kemi dhe një kolonel me vete? Këtë ti e mbake mend, kurse të tjerat, që janë shumë më të rrezikshme, nuk i mbake mënd?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Këtë e mbaj mënd, shoku Enver, pse sa na tha ai “koloneli”, ne u thelluam, se “kolonelin” e kërkonim prej kohësh, që dy, a tre vjet përpara, mbasi si Sigurim, kishim të dhëna që një kolonel shqiptar ishte në shërbim të Zbulimit Grek.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ky mund të ishte dhe Ramohitoja.
SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe ai mund të ishte.
SHOKU ENVER HOXHA: Mund të ishte dhe Hito Çako dhe Arif Haskoja.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po diversanti Kosta Fili, me gjithë të tjerët, me sa më kujtohet mua, se dosjet janë atje, na e tha me emër, që ky ishte Teme Sejko.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, dosjet janë. Mirë, bukur, këtë mbake mënd ti dhe erdhe ma tregove mua përnjëherë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, e mbajta mënd, shoku Enver, po se ku…?
SHOKU ENVER HOXHA: Unë nuk e di se ku, këtë thuama ti, se ku?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, mirë, unë nuk e mbajta mënd, sepse nuk ishte vetëm një Teme Sejko, ky ishte një rrjet i tërë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, për Teme Sejkon mbaje mënd ti, se kur ma the dhe ku ma the.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, më duket se në Dajt.
SHOKU ENVER HOXHA: Po në Dajt, po në ç’datë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Datën nuk e mbaj mënd për nder, se kur j’ua kam thënë.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, këtë desha edhe unë të dija. Po kur u arrestua Teme Sejkoja?
SHOKU KADRI HAZBIU: Në muajin gusht, më duket.
SHOKU ENVER HOXHA: Në gusht, të ç’viti?
SHOKU KADRI HAZBIU: Në gusht të vitit 1960.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, në gusht të vitit 1960. D.m.th., këto ngjarje ti i mban mënd, bile edhe datën.
SHOKU KADRI HAZBIU: I mbaj mënd me data, për arsye se ne vajtëm dhe u konsultuam me ta.
SHOKU ENVER HOXHA: Me kë u konsultuat?
SHOKU KADRI HAZBIU: Qe edhe shoku Hekuran, kur vajtëm pyetëm shokët, të cilët nxuarën se ishte arrestuar në muajin gusht.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, bukur, të të bëj tashti një pyetje tjetër unë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Urdhëro, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Të thirra unë në Dajt, apo erdhe vetë ti, me iniciativën tënde?
SHOKU KADRI HAZBIU: Për këtë, ma merr mendja se unë ju kam ardhur edhe një herë tjetër atje.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo ta merr mendja dhe ta marrësh me mend.
SHOKU KADRI HAZBIU: Për çështjen e Teme Sejkos, mua ma merr mendja që nuk kam ardhur një herë, po disa herë.
SHOKU ENVER HOXHA: Një herë, një herë ke ardhur tek unë ti në Dajt, që e shkruan edhe në autokritikë. Datën kur ke ardhur, nuk e mban mend, po unë të pyeta: të kam thirrur apo më ke ardhur vetë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Të them sinqerisht, kjo nuk më kujtohet, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e mban mend? Kishte njeri tjetër me ty apo nuk e mban mend edhe këtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo. Po ndofta ka qenë tradhtari Mehmet Shehu, keni qenë që të dy atje, kur ju kam raportuar.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e mban mend? Mos ka qenë Mehmet Shehu, thua ti. Ashtu, në rregull. Kjo do të thotë se Mehmet Shehu e dinte këtë çështje.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po si nuk e dinte?
SHOKU ENVER HOXHA: E dinte, se ia kishe raportuar ti.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po domosdo që do t’ia raportoja.
SHOKU ENVER HOXHA: Tjetër kujt ia kishe raportuar?
SHOKU KADRI HAZBIU: Në atë kohë?
SHOKU ENVER HOXHA: Po sigurisht në atë kohë, se kur, në këtë kohë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Beqir Ballukut po.
SHOKU ENVER HOXHA: Tjetër?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po se kisha lidhje në linjë shtetërore me ta. Tashti tjetër kujt i’a kam thënë nuk e di. Në qoftë se i kam thënë gjë edhe shokut Rita në atë kohë.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, se nuk qe shoku Rita në atë kohë këtu, qe shoku Hysni.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si sekretar i Komitetit Qendror tashti s’më kujtohet, po me siguri që duhet t’ia kem thënë dikujt edhe këtu.
SHOKU ENVER HOXHA: Me siguri që i ke thënë. Domethënë këto që po na tregon, i ke me siguri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si rregull, shoku Enver, ata që kam pasur sipas vartësisë në rrugë shtetërore kanë qenë Beqir Balluku dhe Mehmet Shehu, kurse në rrugë partie ka qenë sekretari përkatës i Komitetit Qendror, pastaj ishit ju. Tashti, si rregull, po të ishin çështje të veçanta dhe për shokë të veçantë, unë nuk duhet t’u thosha gjë atyre pa jua thënë juve më parë. Po të më porositnit ju për një gjë të tillë, atëherë do të veja t’ua thosha unë të tjerëve?!
SHOKU ENVER HOXHA: Mirëpo ti s’më kishe thënë gjë fare mua për këto gjëra.
SHOKU KADRI HAZBIU: Këto probleme unë veja dhe i ezauroja me ta.
SHOKU ENVER HOXHA: Tashti provokimin që më bën ti mua, sipas të cilit paskam miratuar unë legjendën tuaj të Teme Sejkos me sovjetikët që ta merrnin ata, pas ç’datë e ke thënë ti këtë për mua?
SHOKU KADRI HAZBIU: Atëherë, në Dajt.
SHOKU ENVER HOXHA: Bukur, në Dajt, po pse nuk e bëtë?
SHOKU KADRI HAZBIU: Se doli mbledhja e Bukureshtit.
SHOKU ENVER HOXHA: A, se ndodhi Bukureshti. Domethënë erdhe ti më the që e lamë këtë çështje.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po Bukureshti ka ndodhur përpara apo pas Dajtit?
SHOKU KADRI HAZBIU: Më përpara.
SHOKU RAMIZ ALIA: A, më përpara.
SHOKU ENVER HOXHA: Më fal, po kur të thashë unë ty: “mbylle rubinetin”, në atë kohë apo më pas?
SHOKU KADRI HAZBIU: Atëhere?
SHOKU ENVER HOXHA: Atëherë, se janë të shkruara ato. Atëhere erdhe më the mua ti për këtë. Po Mehmet Shehut i the?
SHOKU KADRI HAZBIU: Me siguri që i kam thënë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po Beqir Ballukut?
SHOKU KADRI HAZBIU: Me siguri që edhe këtij i kam thënë.
SHOKU ENVER HOXHA: Po unë jam ai që miratoj legjendat tuaja të poshtra të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ato legjenda që sajoje ti me Xhep Kollin edhe me Mihallaq Ziçishtin?
SHOKU KADRI HAZBIU: Do t’ju kem thënë mbasi e kishim konsultuar ne më përpara, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Me kë e kishe konsultuar?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ne, si Ministri e Punëve të Brendshme, mbasi kishim marrë mendimin e këtyre të dyve, unë kam ardhur dhe ju kam raportuar juve për këtë çështje.
SHOKU ENVER HOXHA: Po pse nuk shkruan në letër që i ke bërë këto punë tok me Mehmet Shehun dhe me Beqir Ballukun?
SHOKU KADRI HAZBIU: Cilën?
SHOKU ENVER HOXHA: Ja, këtë, letrën. Pse nuk shkruan ti këtu që unë jam këshilluar me Beqir Ballukun dhe kam ardhur të marr miratimin tënd për legjendën? Pse nuk e ke shkruar?
SHOKU KADRI HAZBIU: Ashtu ka ndodhur ajo, po të doni unë e shtoj atë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti do që ta shtosh, po s’të lë unë ta shtosh, se letra është shkruar lirisht nga ty, prandaj të shkruash ti tashti atë që po të nxjerr unë me vështirësi, në asnjë mënyrë s’të lë. Nuk më thua cila është arsyeja që ti nuk e zë asnjëherë me gojë Beqir Ballukun dhe Mehmet Shehun për këtë çështje?/Memorie.al