Mbledhja me drejtuesit politik, Berisha i ekzaltuar nga fitorja e Trump: Fitorja e tij i dha fund doktrinës 'Woke' të Xhorxh Soros

13 Nëntor, 13:57| Përditesimi: 13 Nëntor, 17:27

  • Share

TIRANË - Kreu i PD-së, Sali Berisha mblodhi sot drejtuesit politikë të qarqeve në selinë e partisë. Berisha në fjalën e tij nga arresti shtëpiak, solli në vëmendje edhe një herë fitoren e Trump. Ish kryeministri thotë se rikthimi i Trump në ‘Shtëpinë e Bardhë’ është rikthimi më i madh me votën e lirë në të gjitha kohërat.

'Kërkova këtë mbledhje me ju në një moment shumë të veçantë. Në një moment kur në arenën ndërkombëtare kanë ndodhur ndryshime të një rëndësie të jashtëzakonshme. Rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë përbën rikthimin më të madh, më të rëndësishëm me votën e lirë në të gjitha kohërat. Natyrisht kjo është për qytetarët e SHBA, por edhe për aq sa ky vend i madh ndikon në vendet e lira në botë.'

Më tej përmendi edhe një herë Xhorxh Soros dhe planet e tij që u shkatërruan nga ardhja në ‘Shtëpinë e Bardhë’ të presidentit Trump.

'E vërteta është se për ne shqiptarët, përveç kombeve që përjetojnë lufton, agresionin rus siç është Ukraina, kjo fitore ka një rëndësi më të jashtëzakonshme se kudo tjetër, pasi Shqipëria u shndërrua si asnjë vend tjetër në eksperimentin tragjik të doktrinës së Xhorxh Sorosit.

Në Shqipëri, njëlloj edhe ndonjëherë më fort, apo pas SHBA, drejtësia në ndërhyrjen direkt të kësaj monstre të njerëzimit, u shndërrua në një armë politike të ekzekutivit. Në Shqipëri, me mbështetjen direkte të përfaqësuesve, të atyre që duhet të përfaqësonin kombin amerikan, por në të vërtetë përfaqësonin më shumë Xhorxh Sorosin, u instalua narkoshteti dhe u vendos persekutimi i hapur i opozitës.'

Soros sipas Berishës është përgjegjës për situatën e opozitës sot ku siç shton Berisha i është bërë një grusht shteti.

'U krye grushti i shtetit ndaj opozitës shqiptare dhe këtu më lejoni të bëj një sqarim, kur themi grushti i shtetit ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë ç’është e vërteta, askush nuk duhet të harrojë se çdo vend ka sovranitetin e tij të jashtëm që lidhet me respektimin e integritetit territorial, por ka sovranitetin e brendshëm që lidhet me pushtetin e qytetarëve.

Dhe kur një vendi i sulmohet për të shkatërruar opozitën dhe për të kaluar të gjithë pushtetin në duart e Edi Ramës, kjo përbënte një grusht shteti ndaj këtij vendi nga një vend mik, aleat, udhëheqës i NATO-s.'

Më tej Berisha evidentoi edhe axhendën e kulturës Woke, të iniciuar nga Soros dhe të dhënë fund nga Trump.

'Pra përveç këtyre jemi dëshmitar të vërshimit të kulturës marksiste leniniste woke, që nuk është gjë tjetër zgjim i demonëve përmes kultit të revolucionit bolshevik. Në këtë doktrinë u sulmua si kurrë më parë, jo vetëm identiteti psikologjik por edhe biologjik i tij. Ashtu siç përshkruhej komunizmi, një rend pa kufi, pa familje, pa gjini. Por këto të gjitha morën një përgjigje shkatërrimtare, nga fitorja e presidentit Trump, fitore e cila vuri gishtin edhe tek autori më kryesor i kësaj doktrine, Xhorxh Sorosi. Ndaj dhe detyra jonë sot është të qëndrojmë siç qëndruam në mbrojtjen e vlerave të programit tonë.'

Ora 14:01
Fitorja e Trump/ Berisha këshilla republikanëve amerikanë: Shkëpusni çdo lidhje me çiftin Rama! Janë ogur i keq

1731503060_berisha.jpg

Kreu i PD-së mblodhi sot drejtuesit politikë të qarqeve, teksa nga arresti shtëpiak foli me ekzaltim për fitoren e Donald Trump. Berisha i dha edhe një këshillë Partisë Republikane amerikanë të shkëpusin çdo lidhje me çiftin Rama, pasi sipas tij janë një ogur i keq.

'Edi Rama në vitin 2017 me 13 nëntor kishte paguar ekspozitën Nju Jork ku priste t’ia inauguronte presidentja Hillari Clinton. Këtu kishte zgjedhur datën 12 dhjetor për të patur një zoom me rastin e librin presidenten Kamala Harris. Uroj që PR të evitoj në të ardhmen çdo lidhje me çiftin Rama, janë një ogur i keq në çdo rast për të. Rrëfeva këtë episod për të theksuar se demokratët shqiptarë nuk do mund të jenë më siç kanë qenë gjer sot objekt, subjekt i sulmeve të pandershme për asgjësimin e partisë', thekson Berisha.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?