Është zhvilluar sot mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike më dyer të mbyllura.
Nga bisedat e zbardhura në këtë mbledhje, deputeti Flamur Noka gjatë fjalës së tij ka thumbuar ish-kryetarin e kësaj force politike, Lulzim Bashën.
Ai i ka dhënë porosi anëtarëve që të bëjnë takime me drejtuesit e degëve, që sipas tij janë mashtruar nga ish-lideri i PD.
Noka u shpreh se PD duhet ti hap derën çdokujt që është kundër qeverisë.
“Drejtuesit e PD-së, Kryesisë, Këshillit Kombëtar, kryetarët e degëve të kontaktojnë me çdo demokrat për ta integruar në strukturë. Ne duhet të jemi të hapur dhe të shtrijmë dorën e bashkimit për demokratët si edhe jodemokratët, por që janë kundër qeverisë. Takoni veçanërisht drejtuesit e degëve që janë mashtruar nga pengu( Basha). Protesta e 11 korrikut duhet të jetë madhështore sepse jemi e vetmja parti në europe ku lideri ynë është i burgosur politik pa provë, fakte dhe akuzë", tha ai.
Në fjalën e saj nga mbledhja e Këshillit Kombëtar, deputetja Rudina Hajdari propozuar që PD të mos futet në zgjedhje me Berishën si kandidat për kryeministër.
“Me betejën e drejtuar nga lideri i PD Berisha u bë i mundur bashkimi dhe rikthimi i flamurit të PD. Jam dakord me çdo pikë dhe presje me rezolutën. Na ndajnë 9 muaj nga zgjedhjet e ardhshme. Kam respekt të jashtëzakonshëm për Sali Berishën si politikan. Por e rëndësishme është të diskutojmë për të ardhmen e PD-së. Duhet të shohim një parti për të ardhmen ndoshta 15 vitet e ardhshme që nuk ka në qendër vetem një person, por të një grupi njerëzish. Z Berisha ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Do propozoja që PD të futet në zgjedhje me një kandidat tjetër për Km, jo z. Berisha”, tha ajo.
Në mbledhje u miratua edhe rezoluta e bashkimit.