Massimiliano Allegri

Zyrtare/ Juventusi shkarkon Max Allegrin: Sjellje të papranushme me vlerat e klubit! E zëvendëson ish-mbrojtësi

17 Maj, 17:20| Përditesimi: 17 Maj, 18:32

  • Share

Massimiliano Allegri nuk është më trajner i Juventusit në Serie A. Dy ditë pas fitores së Kupës së Italisë ndaj Atalantës, klubi i Juventusit zgjodhi t'i japë fund marrëdhënies me trajnerin toskan. Vendimi vjen pas një takimi që filloi pasditen e së premtes në selinë e "Zonjës së Vjetër" dhe ku përfshiu ish-trajnerin, Giuntolin dhe drejtuesit e lartë të klubit. Dy javë para përfundimit të kampionatit, përfundon epoka e dytë e Allegrit në krye të Juventusit, e cila filloi në maj 2021 me vullnetin e ish-presidentit, Andrea Agnelli.

"Juventus njofton se ka liruar Massimiliano Allegrin nga detyra e trajnerit të ekipit të parë të meshkujve. Shkarkimi vjen pas disa sjelljeve gjatë dhe pas finales së Kupës së Italisë, të cilat klubi i cilësoi të papajtueshme me vlerat e Juventusit dhe me sjelljen që duhet të kenë ata që e përfaqësojnë klubin", thuhet ndër të tjera në deklaratën e klubit bardhezi.

Në dy ndeshjet e fundit të sezonit kundër Bolognas dhe Monzës në stol do ulet ish-mbrojtësi bardhezi, Paolo Montero. Siç nënvizohet edhe nga vetë Juventusi në deklaratën më sipër, rol në vendim kanë luajtur qëndrimet e Allegrit në fund dhe pas ndeshjes Atalanta 0-1 Juventus; fillimisht shpërthimi dhe përjashtimi me karton të kuq nga arbitri Maresca, më pas dëmtimi i aparatit të agjencisë së shtypit LaPresse dhe në fund kërcënimi ndaj drejtorit të Tuttosport, Guido Vaciago.

“Mbaron një periudhë bashkëpunimi, e cila filloi në vitin 2014, rifilloi në vitin 2021 dhe përfundoi pas 3 sezoneve të fundit së bashku me finalen e Kupës së Italisë të fituar. Kompania i uron Massimiliano Allegrit suksese në projektet e tij të ardhshme”, thuhet në njoftimin e klubit.

Allegri fitoi gjithsej 12 trofe te Juventusi, 5 tituj të Serie A, 2 Superkupa të Italisë dhe 5 Kupa të Italisë si edhe dy finale të humbura në Champions League. Thiago Motta, trajneri i Bolognas është në "top" për të qenë drejtuesi i stolit të Juves për sezonin e ri.

Ora 18:28
Juventus gjen pasuesin e Allegrit, debuton pas tre ditësh


Në pritje të Thiago Motta-s, ardhja e të cilit në qershor është thuajse e sigurt te Juventusi, Paolo Montero do të jetë trajneri kujdestar në dy javët e fundit të kampionatit të Serie A. Ai do drejtojë "Zonjën" në përballjen kundër Bolognas dhe Monzas.

Ish-mbrojtësi bardhezi, tashmë trajner i Juventus U-19 do të mbarojë pezullimin e vendosur nga gjyqtari sportiv me të rinjtë dhe më pas do të drejtojë ekipin e parë duke filluar nga e hëna në mbrëmje në Dall' Ara.

Montero ka qenë pjesë e Juves nga 1996 deri në 2005 dhe është i njohur për grintën në fushë dhe ndërhyrjet e ashpra.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?