Konferenca e XV e Kryetarëve të Gjykatave të Larta

Kronikë

Mblidhen në Shqipëri kryetarët e Gjykatave të Larta të Europës Qendrore dhe Lindore! Të pranishëm edhe gjyqtarë nga SHBA

5 Qershor, 12:57| Përditesimi: 5 Qershor, 13:03

  • Share

Të hënën, më 9 qershor, në qytetin e Vlorës, Shqipëria do të jetë mikpritëse e Konferencës së XV të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore - një ndër ngjarjet më të rëndësishme rajonale në fushën e drejtësisë.

Konferenca organizohet nga Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me CEELI Institute (Central and Eastern European Law Initiative), dhe do të mbledhë mbi 20 Kryetarë të Gjykatave të Larta dhe gjyqtarë nga vende të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sokol Sadushi, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, është mikpritësi i këtij edicioni, i cili thekson rëndësinë e dialogut gjyqësor rajonal në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, transparencës dhe standardeve evropiane të drejtësisë.

Kjo konferencë nuk është vetëm një aktivitet simbolik, por një platformë e rëndësishme për shkëmbim praktik përvojash, adresim të sfidave të përbashkëta dhe rritje të bashkëpunimit rajonal në drejtësi. Në një realitet ku sistemi gjyqësor përballet me sfida të shumta, ngarkesa e tepërt, e nevoja për më shumë transparencë, këto takime janë të dobishme për të nxitur zgjidhje të qëndrueshme dhe të mbështetura në eksperiencë.

Vendet pjesëmarrëse përfshijnë: Shqipërinë, Bullgarinë, Kosovën, Lituaninë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Poloninë, Republikën Çeke, Rumaninë, Slloveninë, Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria mirëpret këtë konferencë - pas edicionit të parë të mbajtur në Tiranë në vitin 2012 – çka dëshmon qartë përkushtimin e sistemit shqiptar të drejtësisë ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, dialogut rajonal dhe procesit të integrimit evropian.

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?