Bordi i aksionerëve të Inter është mbledhur sot nën drejtimin e presidentit Steven Zhang. Zikaltërit vendosën piketat për të ardhmen, me presidentin që ka konfirmuar se klubi nuk është në shitje. Zhang ka treguar se nuk e shqetëson e ardhmja e Skriniar, me klubin që duket se i ka ofruar rinovimin mbrojtësit.
"A mund të jetë Skriniar një rinovim i rëndësishëm si Barella apo Brozovic? Unë nuk jam i shqetësuar për çështjen e tij sepse kemi folur për rinovim. Siç është premtuar, në çdo afat të transferimeve do të përpiqemi ta mbajmë klubin konkurrues, padyshim që nuk mund ta dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen në tregun e transferimeve.
Klubi në shitje? Thashethemet janë thashetheme, ne i dëgjojmë çdo vit. Në gjashtë apo shtatë vitet e fundit ka pasur disa, ne po përpiqemi ta mbajmë klubin konkurrues, kemi fituar tre trofe dhe thashethemet nuk janë të rëndësishme. Ne nuk po flasim me asnjë investitor tjetër.
Merkato? Ka disa lojtarë në treg që kërkojnë projekte të reja, por ne nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk jemi në negociata me askënd", tha Zhang.