Kronikë

KAS përfundon të gjitha ankimet për 25 prillin! Rrëzohet kërkesat ankimore të PD dhe LSI për Korçën, Elbasanin dhe Fierin (VIDEO)

31 Maj 2021, 10:16| Përditesimi: 31 Maj 2021, 13:53

  • Share

Komisioni i  Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka shqyrton sot kërkesat ankimore për 3 qarqet e fundit që kanë mbetur, respektivisht Korçën, Elbasanin dhe Fierin.

KAS vendosi që të rrëzojë kërkesat e PD-AN dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Fierit.  

KAS vendosi të premten  me shumicë votash rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për marrjen e provave shtesë  në të tria qarqet. Për Qarkun Fier u kërkua informacion për të dhënat e kryqëzuara të pajisjes PEI. Kërkohet gjithashtu nga KQZ informacion lidhur me rezultatin e PS-së në qendrën e votimit në fshatin Buzë-Madh në Cakran për zgjedhjet e vitit 2017 dhe zgjedhjet e vitit 2021. Gjithashtu me kërkesë të dy anëtarëve të KAS kërkohet informacion për votimin në burgun e Fierit.

Gjatë shqyrtimit të dhënave të pajisjes PEI pas kryqëzimit të shenjave të gishtërinjve është vënë re se vetëm 2 raste janë të dyshuara për votim të dyfishtë në Qarkun Fier dhe vetëm 1 rast në Qarkun Fier.

Të dhënat e kryqëzuara të pajisjes PEI për Qarkun Korçë

Të dhënat e kryqëzuara të pajisjes PEI për Qarkun Fier

Në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ mbërritën të paktën 19 ankime për 10 qarqe. Të vetmet qarqe që nuk u ankimuan në KAS ishin Dibra dhe Kukësi. Partia Demokratike kërkoi pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Fier, Vlorë, Durrës, Berat dhe Shkodër. Ndërsa LSI kërkoi pavlefshëmri dhe ripërsëritje zgjedhjesh për qarqet, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Durrës dhe Berat, ndërkohë që kërkoi rinumërim për Beratin dhe Durrësin. Të vetmet kërkesa që u pranuan ishin ato për rinumërim të Beratit dhe Durrësit.

KAS përfundoi rinumëroi 114 kuti votimi të qarkut të Beratit, me rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë në një qark ku kanë votuar gjithsej 80.929 qytetarë. LSI rikuperoi gjithsej me 15 vota, shumë larg votave të duhura për të marrë mandatin e pretenduar pasi 77 vota i duheshin për t'i marrë mandatin Partisë Socialiste. Ndërsa nga 108 kuti të rinumëruara në Qarkun Durrës LSI s'ka rikuperuar asnjë votë nga 136 që kërkonte për të marrë mandatin. Madje gjatë rinumërimit të 108 kutive të numëruara LSI humb 1 votë , PD-së i janë zbritur 38 vota ndërsa PS-së i janë zbritur 26. Për të bërë verifikimin dhe rinumërimin, ishin ngritur 8 grupe në sallën e KAS. LSI synonte që të merrte mandatin e Edi Ramës, i cili ishte i 8-i në listën e Durrësit. Mandatin e prentenduar të LSI do ta merrte Elona Guri e renditur e para në Durrës.

Tre ankimet e tjera të rëndësishme në KAS u bënë nga kandidatët e pavarur në Lezhë, Gjirokastër dhe Tiranë, kandidatë të ardhur nga radhët e Vetvendosjes të cilët kërkuan pavlefshmëri dhe ripërsëritje zgjedhjesh, kërkesa që nuk u pranuan nga KAS.

Tashmë radha e shqyrtimet të ankesave e ka Kolegji Zgjedhor, i cili do të vulosë përfundimisht rezultatin dhe do t'i hapë rrugë certifikimit të tij për të konfirmuar 140 ligjvënësit e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Ora 13:30
Refuzimi i KAS për përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë, PD: Transparenca e vjedhjes së zgjedhjeve s'mund të ndalohet nga regjimi Rama-Doshi

1622460903_d5bd017421694da492cdbde96dfdadfc.jpg

Pasi KAS refuzoi kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Korçë ka reaguar PD përmes Edmond Spahos. Sipas PD, Kas mbylli sytë përpara të vërtetës, por thekson se transparenca nuk do të ndalet.

Deklaratë e PD, Edmond Spaho:

Në Korçë qytetarët panë masakrën zgjedhore shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve. Panë sesi çdo institucion shtetëror u vendos në shërbim të Partisë Socialiste. Njerëzit panë sesi u punësuan qindra njerëz gjatë fushatës, u dhanë qindra leje legalizimi, u shpërndanë tendera për të blerë votat, u blenë votat me para në dorë. Këto fakte janë kallëzuar të gjitha në SPAK, por asnjë nga provat për blerjen e votës nuk u morën parasysh. Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi. 

Në shkelje të ligjit, KAS refuzoi të marrë zyrtarisht provat për t’u  garantuar shqiptarëve të drejtën për votën e lirë. 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste në KAS  po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera. KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Korçës, Devollit, Pogradecit, Maliqit dhe Ersekës sepse ata duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi. 
 
Në qarkun e Korçës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës. Dosja e qarkut të Korçës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por regjimi Rama-Doshi ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe po e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të shqiptarëve. 

 Megjithëse ka hedhur poshtë pa argument çdo kërkesë të Partisë Demokratike për përsëritjen e zgjedhjeve, KAS nuk iu përgjigj asnjëherë disa pyetjeve të thjeshta: Pse refuzoi të marrë informacion në zyrat e Kadastrës për legalizimet elektorale, në zyrat e Bashkive dhe disa agjencive qeveritarë për punësimet e paligjshme elektorale? Pse refuzoi t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese informacion për përfshirjen e krimit në blerjen e votës. 
 
Kur e nisëm këtë betejë e dinim që institucione si KAS nuk e duan të vërtetën dhe nuk do të bëjnë drejtësi, por është detyra jonë të paraqesim të gjitha provat kudo, përfshi edhe në Kolegjin Zgjedhor, siç kemi nisur sot betejën tonë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe për shqiptarët! 

 Regjimi Rama-Doshi mund ta pengojë për pak, por ai nuk është i fuqishëm ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore. Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS apo kudoqoftë!

Ora 11:21
Rrëzohet kërkesa e LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Korçë, Braimllari: KAS organizatë politike e Rilindjes

KAS vendosi që të rrëzojë kërkesat e PD-AN dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Korçës. Nisur nga kjo, ish-deputeti i LSI-së, Endri Braimllari hoxhi akuza të rënda ndaj KAS duke e quajtur organizatë politike e Rilindjes.

"KAS organizate politike e Rilindjes. Nuk vlereson asnje fakt nga masakra zgjedhore e 25 prillit. Per KAS nuk mjaftojne keto fakte: Shtetas qe votojne disa here. Ne kuti ka me shume flete votimi sesa votues. Komisionet marrin me pak flete votimi dhe dorezojne me shume. Ne tavolinat e numerimit votat e pavlefshme numerohen si te PS. Numerues te Rilindjes qe plotesojne me stilolapes fletet e votimit per PS. Kryetar bashkie te cilet emerojne militant ne pune ne kundershtim me kodin zgjedhore gjate periudhes se fushates. Komiteti politik i Rilindjes i heq te drejte  kushtetuese te votes qytetareve shqiptare qe jetojne ne Greqi dhe Maqedonin e Veriut dhe vetem disa ore pas perfundimit te zgjedhjeve heq karantinen per keto qytetar duke favorizuar hapur Rilindjen. Grupet e strukturuara kriminale intimidojne qytetaret dhe behen pjese e ekipit te Rilindjes", shkruan Braimllari.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?