Elis Halili u komandua sot në krye të Bashkisë së Vlorës, deri në zgjedhjet e pjesshme lokale, ku qytetarët do të zgjedhin me votë të parin e qytetit. Halili, një nga tre nënkryetarët e bashkisë së qytetit, u propozua nga socialistët për të drejtuar përkohësisht bashkinë pas dorëheqjes së Ermal Dredhës më 10 shtator, por kjo u kundërshtua nga këshilltarët opozitarë.
Mbledhja u zhvillua me tension dhe debate.Sipas këshilltarëve të opozitës, votimi duhet të kryhej në mënyrë të mbyllur me të tre emrat e nënkryetarëve, të Elis Halilit dhe dy të tjerëve Klea Lalo e Irena Toshkallari. Kjo shkaktoi debate gjatë mbledhjes dhe në përfundim në votim të hapur u hodh vetëm emri i Halilit, i cili mori 28 vota pro.
Për demokratët procesi i votimit është i paligjshëm, si edhe paralajmëruan padi në prokurori.
“Je në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës e rregullores. Do shkojmë në prokurori, nuk e lëmë këtë të iki kështu si doni juve. Për ca, për një kuti votimi. Po i keni vota votojeni”, tha Atird Hoxha.
Kreu i këshillit bashkiak Elpiniqi Mërkuri hodhi për votim propozimin e socialistëve, ndërsa këshilltarët e opozitës u larguan nga salla. Kështu me 28 vota të socialistëve në këshillin bashkiak, Elis Halili u komandua në krye të bashkisë së Vlorës.
Pas votimit, Halili mbajti edhe një fjalë të shkurtër duke shprehur falenderime. Kryetari i komanduar tha se në fokus të punës së tij do të jetë vazhdimësia e projekteve në të mirë të qytetarëve të Vlorë.
“Fati por edhe shkollimi që kam marrë janë inxhiner ndërtimi më ka sjellë prej 7 vitesh në Vlorë. Kam qenë pjesë e zbatimit të projekteve kryesore të këtij qyteti. Për mua është kënaqësi, por më shumë një detyrim që të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak më kanë besuar për të qenë një nga tre nënkryetarët për të drejtuar bashkinë në këtë periudhë tranzitore deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë. Gjatë kësaj peioudhe fokusi jonë kryesor, do të jetë vetëm në vazhdimësinë e të gjithë projekteve që do e bëjnë më të mirë jetesën e çdo qytetari”, tha Halili.
Halili vjen nga sektori privat, është me profesion inxhinier dhe ka drejtuar prej disa vitesh projektet e firmës "Fusha shpk" në Vlorë.
Më herët gjatë mbledhjes, opozitarët kërkuan praninë e Ermal Dredhës në mbledhje për të sqaruar arsyet e dorëheqjes. Dredha dha dorëheqjen nga detyra e kryebashkiakut të Vlorës më datë 10 shtator. Dredha, i cili drejtonte Vlorën prej muajit korrik 2023, në letrën e dorëheqjes e argumentoi dorëzimin e detyrës si një akt reflektimi dhe përgjegjësie, dhe se po largohet me dinjitet për “t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja”.
Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku do të diskutohej zgjedhja e kryetarit të komanduar të bashkisë pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, u zhvillua me tension dhe debate mes këshilltarëve të PS dhe atyre opozitarë.
Pasi këshilltarët socialist votuan Elis Halili si kreun e komanduar të Bashkisë Vlorë, ka reaguar PD-e Vlorës.
Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD-në e Vlorës, Rezenbrik Serjani se emërimi i Halilit erdhi me urdhër të Ramës dhe Çuçit dhe se ai nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës.
“Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar”, tha ai.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë vlonjatë, në emër të Partisë Demokratike Vlorë, jam sot për të denoncuar një tjetër akt politik të turpshëm në Këshillin Bashkiak të Vlorës.
Sot, Këshilli Bashkiak i Vlorës, me votat e shumicës socialiste, shfaqi edhe një herë fytyrën e vërtetë të kapjes politike dhe shkeljes së çdo norme demokratike.
Me një zell të verbër, paligjshmëri e servilizëm, për të zbatuar urdhrat e sektit politik të Edi Ramës dhe komisarit të tij lokal, Bledi Çuçi, ky këshill jo vetëm që injoroi rregulloren e funksionimit të vet, por shkeli Kushtetutën dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Emërimi politik i një kryetari të komanduar për Bashkinë e Vlorës është dëshmi e qartë se ky Këshill nuk është asgjë tjetër veçse një noter i fundit që vulos vendimet e parapërgatitura në zyrat e Partisë Socialiste.
Kryetari i votuar me kartonat e turpit socialist pa legjitimitet dhe në kundërshtim me ligjin, u promovua nga propaganda socialiste si një “udhëheqës” i punëve publike, ndërkohë që në të vërtetë është një zbatues i projekteve më të dëmshme për qytetin: ngushtimi i rrugëve, kaosi në projektin e ujësjellësit, betonizimi pa kriter, shkatërrimi i Sheshit të Flamurit, ngushtimi i Bulevardit Vlorë-Skelë, të cilat janë ndërhyrje të pseudoprojekteve që kanë rrëmbyer miliona euro nga taksat e qytetarëve vlonjatë dhe e kanë bërë Vlorën të mos jetë më Vlorë.
Bashkia e Vlorës, nën sundimin e këtij klani politik, është shndërruar në një degë lokale të Partisë Socialiste, një zyrë ku interesi publik është zëvendësuar nga pazaret e pushtetit dhe korrupsioni urbanistik.
Kryetari i sotëm, i votuar me “jeshile” nga kartonët e shumicës socialiste, nuk përfaqëson qytetarët e Vlorës, por vullnetin e një grupi të ngushtë që synon të vazhdojë projektet grabitqare të mbetura pezull nga paraardhësi i tij të njohura tashmë për dështime e abuzime siç janë: grabitja e tokave në Kaninë, vazhdimi i shkatërrimit të Portit Detar, grabitja e pronës publike në Plazhin e Vjetër dhe në stadiumin e qytetit, e dhjetëra projekte të tjera prej nga qytetarët vlonjatë dhe Vlora nuk përfitojnë asgjë.
Sot, u komandua një kryetar i paligjshëm bashkie, për të firmosur paligjshmëri!
Bashkia Vlorë ka nevojë për një kryetar të mirëfilltë bashkie, një njeri që e njeh mirë qytetin dhe kërkon të jetë shërbestar i saj dhe jo grabitqar.
Vetëm një kryetar bashkie i zgjedhur nga opozita do të jetë zgjidhja përfundimtare e kapjes së Bashkisë Vlorë nga kthetrat e abuzimit, dështimit dhe korrupsionit.
Komente

O Zoti Kryeminister po nuk gjete nje nga vlora dhermiu himara po ka djem e vajza shume te mira e qe e duan vloren lule po e kthyet ne qytet te pa banushem po ke socialis plote Ervis Mocken djal vlore i shkollu po ku mi gjeni keta mjere populli se tufa me dera ka mblethe partia socialiste e vlores iken te shkolluarit zbriten lopcaret
PërgjigjuKujt do t'i sherbeje ai? Projekteve te Fushes apo popullit?
Përgjigju