BSH ul pas 28 muajsh normën bazë të interesit me 0.25%, Sejko: Inflacioni po bie shpejt! Ulja pritet të sjellë rritje të euros e USD

3 Korrik, 16:21| Përditesimi: 4 Korrik, 06:57

  • Share

Banka e Shqipërisë ka ulur normën bazë të interesit për herë të parë pas 2 vitesh e gjysmë nga 3.25% që ishte në 3%.

 Shkak për këtë lehtësim, tha guvernatori Gent Sejko është bërë rënia e inflacionit më shpejt sesa pritej.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të mëtejshme gjatë muajve prill dhe maj, duke regjistruar një nivel mesatar prej 2.1%. Kjo rënie ishte disi më e shpejtë se pritjet tona. Nga këndvështrimi i shportës, rënia e inflacionit u diktua nga reduktimi i shpejtë i inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që artikujt e tjerë të shportës shfaqën norma relativisht të qëndrueshme inflacioni.”, u shpreh Sejko.

Guvernatori u ndal edhe tek luhatjet e kursit të këmbimit ku theksoi se rënia e valutave po vjen kryesisht prej shtimit të turistëve të huaj. Ndërkohë me këtë ulje të normës bazë të interesit pritet edhe një rritje e pozitave të valutave në treg, për shkak se leku bëhet më i lirë.

Në konferencë për mediat guvernatori tha se ndikim në uljen e inflacionit po jep rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ndërkohë që inflacioni i brendshëm mbetet i qëndrueshëm për shkak të rritjes së pagave.

“Trendi rënës i inflacionit vijon të pasqyrojë në masën më të madhe reduktimin e inflacionit të importuar, në përgjigje si të një ecurie të ngjashme të këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, ashtu edhe të trendit forcues të kursit të këmbimit. Në veçanti, reduktimi i inflacionit të ushqimeve gjatë muajve prill – maj ishte në linjë me rënien e inflacionit të tyre në vendet e rajonit, duke sugjeruar se ky reduktim pasqyron një goditje pozitive oferte”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë shtyu edhe pritshmëritë për vitin 2025 në kthimin e inflacionit në 3%.

“Inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë vitit 2024 dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm”, tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës uli me 0.25% edhe normën e interesit për depozitat dhe kreditë njëditore, të cilat tashmë do të jenë përkatësisht në 2% dhe 4%.

Normat e interesit nisën të rriteshin në shkurtit të vitit 2022, kohë kur nisi kriza e çmimeve, e cila solli inflacion mbi 8%, e ndikuar kryesisht prej çmimeve të energjisë, ushqimit e karburantit.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?