Politikë

Hetimet për '25 prillin', bashkitë Tiranë dhe Vlorë ende s'kanë kthyer përgjigje! PD: Kallëzim penal! Nga Rama te Xhelal Mziu, lista e dëshmitarëve që kërkohen

24 Nëntor 2021, 10:40| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 15:13

  • Share

TIRANË-Një shkresë me kërkesë informacioni i është dërguar disa javë më parë dhjetëra institucioneve nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit, por disa prej tyre ende nuk kanë kthyer përgjigje. Një shkresë në adresën e komisioni nuk ka ardhur nga Inspektorati i Mjedisit, i cili është institucion i shkrirë, dhe 2 bashki të mëdha në vend: Bashkia Vlorë dhe Bashkia Tiranë. Kërkesa bashkive i është çuar për punësimet elektorale dhe në rastin e Tiranës edhe për shpërblimet për tërmetin.

Kryetari Komisionit, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi kallëzim penal për 2 bashkitë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.  

"Këtu ka diçka që nuk shkon. Por duke se shkresat dhe kërkesat janë bërë tashmë prej më shumë se 3 javësh, detyrimi për përgjigje është në bazë edhe të vendosjes së afatit në kërkesë.  Minimalisht kjo është indiferencë dhe neglizhencë. Është detyrim ligjor për të gjithë anëtarët për të reaguar ligjërisht ndaj kësaj qasjeje", tha Alibeaj.

Alibeaj ka bërë publike edhe listën e dëshmitarëve që sipas tij duhen thirrur, duke filluar nga Kryeministri Rama, disa ministra dhe krerë institucionesh. 

Ndërsa deputeti socialist, Toni Gogu, kërkoi që listës së dëshmitarëve t'i shtohen edhe deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Voshi. Sipas tij Mziu dhe Vokshi kanë deklaruar se kanë dije për strukturën e mbrojtjes së votës në PD.

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri tha se kërkesa për të diskutuar strukturën e mbrojtjes së votës në PD është jashtë objektit pasi objekti është hetimi për sjelljen e strukturave shtetërore dhe të pushtetit vendor në periudhën e zgjedhjeve.

Thirrja  e dëshmitarëve para komisionit u shndërrua në objekt debati mes anëtarëve të komisionit. Listës së paraqitur nga PD, socialistët i kërkuan që ti hiqen drejtuesit e SPAK e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi sipas tyre këto dy insitucione nuk janë objekt i hetimit parlamentar. Pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët, opozita braktisi mbledhjen, ndërsa maxhoranca miratoi planin e hetimit, duke hequr Krajën e Celën nga lista e dëshmitarëve.

Pjesë nga debati

Enkelejd Alibeaj: Bashkia Tiranë dhe Bashkia Vlorë nuk i janë përgjigjur detyrimit ligjor për të sjellë në komisionin hetimor për zgjedhjet dokumentat e kërkuara. Të dyja bashkive u është kërkuar të sjellin informacion për punësimet nga 1Janar 2020-31 Prill 2021. Për Bashkinë Tiranë Ka edhe një kërkesë tjetër për të sjellë informacion për shpërblimin për termetin. Këto 2 bashki nuk kanë kthyer përgjigje. Megjithë njoftimet e ribëra 3 herë, nuk kanë sjellë pranë komisionit asnjë justifikim ligjor lidhur me mundësinë apo pamundësinë ë tyre. 
 
Toni Gogu: Mendoj që duhet të presim informacionin, se edhe shërbimet postare funksionojnë të ndryshe. Por jam i sigurtë se informacioni është duke mbërritur. 
 
Ervin Salianji: Nuk kemi pse tolerojmë që dy institucione që kanë kapacitet të përgjigjen më shpejt se kushdo tjetër, sidomos ajo e Tiranës, ku edhe sipas pretendimeve ka më shumë shpërdorime të burimeve njerëzore gjatë fushatës se kushdo institucion tjetër, ndaj mendoj që duhet të bëjmë kallëzim penal sepse po vazhdojnë të sillen sikur e kanë shtetin pronë personale", vijoi Salianji. Bindja e deputetit të PS nuk duhet të na bëjë ne që të tolerojmë në lidhje me ligjin. Bashkia e Tiranës ka resurse shumë të mëdha, kështu që nuk ka qenë pengesë kjo për moskthimin e përgjigjeve. Duhet vazhduar të bëjmë kallëzim per shpërdorim detyre. Po tentojnë të trajtojnë shtetin si pronë personale.

Oerd Bylykbashi: Shpërfillja e treguar na detyron që të vendosim përpara forcës shtrënguese të ligjit bashkitë që nuk e kanë respektuar atë. Në këtë fazë askush nuk mund të mendojë se mund të nëpërkëmbë parlamentin, që ka investuar pushtetin e tij tek ky komision. Duhet të tregojmë forcën e ligjit dhe të operojmë pa vonesë. 
 
Toni Gogu: Jeni duke humbur kohë, pasi instituciinet po zbatojnë afatet. Të dyja pretendimet që ngrenë kolegëet hidhen poshtë nga moria e informacionit që ka ardhur. Të kalojmë tek pika tjetër e rendit të ditës. 
 
Enkelejd Alibeaj: Miratimi i planit të hetimit, që është pika tjetër, do të ishte i plotë, kur ne të kishim të gjithë informacionin e plotë të kërkuar. Nëse ka ardhur përgjigja nga 59 bashki, nga 12 inspektorate, nga ministritë dhe institucione të tjera, këtu ka diçka që nuk shkon. Shkresat janë dërguar prej më shumë se 3 javë përpara. Detyrimi për përgjigje është sipas afateve që vendos komisioni. Ne duhet të reagojmë, pasi sa herë vërehet një indiferencë, në rastin më të mirë, nuk ka më justifikon ligjor. Është detyrim ligjor që të reagojmë ligjërisht ndaj ketij qendrimi. Në përfundim të kësaj mbledhje do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre.

Enkelejd Alibeaj: Plani i hetimit: Deri në 10 dhjetor shqyrtimi  i dokumentacionit  evidentimi i mangësimeve të dokumentacionit, 24 dhjetor do ezaurojmë thirrjen e dëshmitarëve, deri në 7 janar prezantimi i konkluzioneve, deri në 12 prezantimi i raportit final. Një propozim për dëshmitarë: Edi Rama, Arben Ahmetaj, Bledi Çuci, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu,Frida Krifca, Erion Veliaj, Emirjana Sako, Arben Kraja, Olsjan Çela (Prokurori i Përgjithshëm), Ardi Veliu, Gledis Nano, Artan Lame, Linda Karçanaj (AKSH-i), Shkëlqim Hajdari, Reida Kashta (APP), Sokol Zaimi, Bledar Doracaj, Ardian Çela (OSHEE), Besnik dervishi, Erinda Ballanca (Avokate e Popullit) dhe botuesit Armand Shkullaku dhe Andi Bushati.

Toni Gogu: Ne duam të hetojmë së bashku, ju doni të vetë përjashtoheni. Ne duam një plan hetimi në përputhje në zbatim të ligjit, ju doni plan hetimi të pavlefshëm. Pjesa e parë e planit është i  mbushur me paragjykime për çështjen që po hetojmë, ngjarje të pa hetuara. Ju thoni ‘bindje për masakër zgjedhore’ ndërkohë që kemi një raport të OSBE ODIHR që nuk e thotë, tjetra, ne nuk thërrasim të pandehur, nuk hetojmë ngjarje kriminale. Në detyrat e komisionit, në planin e hetimit duhet të shtojmë edhe strukturën e mbrojtjes së votës. Dhe në listën e dëshmitarëve duhet të përjashtohen nga kjo listë drejtuesi i SPAK dhe prokurori i përgjithshëm për shkak se rrethanat në të cilat janë në dijeni të çështjes, nuk janë në përputhje me cilësinë e dëshmitarit. Të shtojmë në listën e dëshmitarëve Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, Xhelal Mziu që ka një deklaratë publike që ka dijeni mbi SMV dhe zonjën Albana Vokshi që ka dijeni sipas deklaratave të saj për Strukturën e mbrojtjes së votës. 

Lista e dëshmitarëve e deritanishme

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?