Komisioni hetimor 'TIMS'

'Tims'/ Ish përgjegjësi i IT-së dhe drejtori i Sistemeve në Policinë e Shtetit dëshmojnë me dyer të mbyllura! Salianji: E keni ves t'i bëni punët në errësirë! PS: Tallavanë e qytetarit digjital e doni në TV

11 Qershor, 12:24| Përditesimi: 11 Qershor, 16:01

  • Share

TIRANË- Ardit Muça, ish-përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit dhe Besjan Tanuzi, ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit kanë dëshmuar me dyer të mbyllura në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave në sistemin ‘TIMS’.

Pas kërkesës së Ardit Muçës për dëshmi me dyer të mbyllura, ishte mazhoranca e cila votoi me 8 vota pro, ndërsa opozita kërkoi mbledhje të hapur.

'Mbrojtja e të drejtave të mia për respektimin e jetës private, për garantimin e sigurisë time fizike, si dhe për shkak të informacioneve të klasifikuara.'- ka deklaruar Muça.

Edhe Besjan Tanuzi ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit argumentoi se dispononte dokumenta që klasifikohen si sekret shtetëror dhe kërkoi që dëshmia e tij të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Kryetari i komisionit, Ervin Salianji tha se mazhoranca ka dëshirë që t'i bëjë punët në errësirë.

‘Duhet ta marrim në konsideratë edhe pse unë mendoj se të gjitha dëshmitë duhet të jenë më dyer të hapura. Sepse nuk ka ndonjë sekret shtetëror.  Pretendimi është që nuk ka dalë asnjëherë në publik. PS dhe mazhoranca e ka ves ti bëj natën dhe në errësirë siç u bë ndërhyrja në TIMS. Ne po themi të ndezin dritat, çfarë frike keni ju.’- tha Salianji.

Edhe deputeti Lefter Gështenja kërkoi që dëshmia të jetë me dyer të hapura.

‘Nuk shoh asnjë arsye përpos manovrave që përdoren nga mazhoranca që këto seanca të bëhen me dyer të mbyllura. Do të kërkoja që seanca të jetë me dyer të hapura, se çfarë ka ndodhur. Edhe me dyer të mbyllura ato që u dëgjuan ishin llahtar. Ndaj shqetësim të thellë në këtë dimension. Mbledhja zgjati deri në 4 të mëngjesit.’- tha Gështenja.

Por kjo u kundërshtua nga mazhoranca. Nënkryetari i komisionit Toni Gogu kërkoi që të mos humbet kohë me debate të kota, por të vijohet me marrjen në pyetje të dëshmitarëve e sipas kërkesave të tyre të jenë me dyer të mbyllura për ruajtjen e informacioneve sensitive.

"Më duhet të përsëris veten se sa më shumë kohë harxhojmë me veten, aq më shumë kohë i marrim është e panevojshme që ky komision të krijojë një tragjikomedi. Neve nuk na ka ngarkuar njeri që të sekretojmë informacionet. Tragjike është kur shkelet ligji në emër të zbatimit të ligjit. Komikja është të bësh të çuditurin. Ju e mendoni shtetin që prokurorin e dhe OPGJ t'i shikoni çdo natë në televizor. Ju keni tallavanë e qytetarit dixhital. Të mos bëjmë Lizën në botën e çudirave. Meraku ynë është si të zbatohet ky ligj dhe të kuptojmë si është shkelur e duhet përmirësuar", deklaroi Gogu.

Edhe Ervina Gjana, drejtoresha e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të dëshmojë me dyer të mbyllura në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS. Me 7 votat e mazhorancës u miratua mbledhja me dyer të mbyllura, edhe pse opozita ishte kundër.

Komisioni Hetimor i TIMS miratoi edhe listën e dëshmitarëve që do të thirren në seancën e radhës që do të mbahet në 26 qershor në orën 11:00.

Vlora Hyseni, Shefja e Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH)

Enri Ndoni, Drejtor i Sistemeve, Policia e Shtetit

Zef Laska, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,

Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale

Sajmir Boshnjaku, Drejtor i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin

Lajm në përditësim...

Ora 15:46
Tims/ Drejtoresha e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dëshmon me dyer të mbyllura

Ervina Gjana, drejtoresha e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të dëshmojë me dyer të mbyllura në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të TIMS.

Me 7 votat e mazhorancës u miratua mbledhja me dyer të mbyllura, edhe pse opozita ishte kundër.

"Duke qenë se të gjitha dëshmitë janë dhënë me dyer të mbyllura dhe struktura që unë drejtoj është një strukturë hetimore unë do propozoja që të bëhej dëshmia me dyer të mbyllura. Nëse jo për mua nuk ka problem, por do të preferoja me dyer të mbyllura", tha Gjana. 

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?