Është mbledhur paraditen e sotme Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Raportin e Dick Marty, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Në këtë mbledhje të parë u bë konstituimi i Komisionit, ngritja e sekretariatit teknik dhe përcaktimi i relatorëve. Deputetët vendosën që për këtë komision të jetë dy relatorë, një nga PS dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, respektivisht Klodilda Bushka dhe Elena Xhina.
Përbërja e komisionit është konfirmuar sipas votimit në seancën plenare të Kuvendit, me 9 deutetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klodilda Bushka Sekretare dhe anëtarët Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.
Në fjalën e tij kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja sqaroi se objekti kryesor është sqarimi i punës që është bërë për sqarimin e akuzave të shprehur në raportin e Dick Marty, i miratuar në vitin 2011 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
"Për të qenë të qartë Komisioni i Posaçëm nuk është komision hetimor. Veprimtaria bazohet në nenin 24 të rregullores . Në janar 2011 Asambleja Parlamentare e KiE ka miratuar një rezolutë, ku i kërkon autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të bashkëpunuar për të sqaruar të gjitha të dhënat e të dhëna në raportin Dick Marty.
Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2012 ka miratuar një ligj ku i hap punë bashkëpunimit me EULEX për të sqaruar këto të dhëna.
Veprimatria e këtij komisioni lidhet kryesisht me kontrollin parlamentar, se si autoritetet shtetërore dhe zyrtarët shtetërore kanë zbatuar këtë ligj në Kuvendin e Shqipërisë për të verifikuar të dhënat e raportit të Dick Marty", tha Manja.
Ai nënvizoi se në fund do të dilet me një projekt rezolutë për këtë çështje.
Komisioni i Posaçëm do të caktojë edhe programin dhe kalendarin e punës për të administruar dokumentet e nevojshme në këtë drejtim.
Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, miratoi më 26 nëntor me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim,ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.
Elena Xhina dhe Klotilda Bushka