Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e parë për këtë vit të ri në ‘Shtëpinë e Futbollit Europian’ në Nion të Zvicrës. Në këtë mbledhje u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme, teksa Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s aprovoi disa formate të reja për kompeticionet e ekipeve kombëtare të meshkujve, që pritet të hyjnë në fuqi në shtator të vitit 2024.
Pas konsultave të gjata me të gjitha federatat anëtare në UEFA, u vendos që të modifikohen formatet aktuale të Ligës së Kombeve dhe kualifikueseve të Kampionatit Europian, për të dhuruar e për të ofruar një garë më të fortë dhe më emocionuese brenda datave ekzistuese, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar burimet e federatave anëtare e për të siguruar një rikuperim më të qëndrueshëm të shkaktuar nga pandemia covid-19.
Formati i ri i Ligës së Kombeve
Liga e Kombeve do të zgjerohet me një raund të ri eliminues që do të luhet në muajin mars, duke krijuar kështu vazhdimësinë midis fazës së grupeve që përfundon në muajin nëntor dhe finaleve të luajtura në muajin qershor.
Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A, do të marrin pjesë në këto ndeshje play-off për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four. Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B dhe vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje play-off për ngjitjen dhe rënien. Zgjerimi i Ligës së Kombeve të UEFA-s, me ndeshjet e luajtura në muajin mars do të ketë të bëjë vetëm me një numër të përzgjedhur skuadrash dhe ekipet e mbetura do të jenë të disponueshme për të filluar kualifikueset europiane.
Formati i ri i kualifikueseve për Kampionatin Europian dhe Kampionatin Botëror
Formati i ri i kualifikueseve për Kampionatin Europian apo për Kampionatin Botëror do të jetë më i konsoliduar, me 12 grupe tashmë me katër dhe pesë skuadra, për të rigjallëruar më shumë këtë kompeticion dhe duke dhuruar më shumë garë në të gjitha nivelet.
Në grupet me pesë skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisin në muajin mars, ose në muajin qershor nëse ato janë ende duke garuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s ose janë të përfshirë në ndeshjet e promovimit në një ligë më lart, ose rënies në një ligë më poshtë. Ndërkaq, në grupet me 4 skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisë në muajin shtator.
Fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e Kampionatit Europian ose atij Botëror, ndërsa skuadrat e vendit të dytë ose do të kualifikohen në mënyrë direkte ose do të marrin pjesë në ndeshjet e play-off-it (së bashku me ekipet e UEFA Nations League për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian). Ndërkaq, nuk është propozuar asnjë ndryshim për finalet e Kampionatit Europian, ku do të vijojnë të marrin pjesë 24 ekipe. Ky format i ri i aprovuar ditën e sotme do të hyjë në fuqi pas EURO 2024.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera shumë të rëndësishme. Finalja e Superkupës nga Kazani në Athinë, më 16 gusht 2023. Gjithashtu, Sllovakia do të presë finalet e Kampionatit Europian 2025 për ekipet kombëtare të grupmoshës U-21. U miratuan gjithashtu edhe rregulloret e Kampionatit Europian UEFA U-21 (2023-2025) dhe rregulloret e Kampionatit Europian për femra (2023-2025). Pas pandemisë covid-19, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të ndërpresë aplikimin e ‘UEFA Return to Play Protocol’, që u miratua në vitin 2020.
Mbledhja e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të jetë më 4 prill 2023, në Lisbonë të Portugalisë, një ditë përpara Kongresit të 47-të të UEFA-s.