Politikë
Ekonomi

Konferenca e Kryetarëve në Kuvend, ministrja raporton projekt-buxhetin 2022: 637 miliardë lekë, ja ku do të shpenzohen! 7 koncesione të reja

26 Tetor 2021, 12:18| Përditesimi: 26 Tetor 2021, 15:13

  • Share

Menaxhimi i pandemisë, përfundimi i rindërtimit dhe forcimi i rimëkëmbjes ekonomike do të jenë në fokus të buxhetit të vitit 2022. Projektbuxheti i prezantuar në konferencën e Kryetarëve nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, ka disa prioritete:

"Dyfishohet ndihma ekonomike për të gjithë pjesëmarrësit. Trefishohet ndihma ekonomike për gratë e trafikuara dhe fëmijët nën 18 vjeç. Do të dyfishohet ndihma ekonomike për të gjitha familjet që janë me më shumë se 3 fëmijë brenda kësaj kategorie"

Në raport me vitin aktual buxheti është parashikuar të rritet me 47.2 miliardë lekë.

"Në vitin e ardhshëm të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë në 536.8 miliardë lekë, nga këto 500.1 miliardë lekë janë të ardhura tatimore. Ndërkohë të ardhurat nga kontributet janë  112 miliardë lekë. Të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohet të rriten me 7.8%", tha ministrja. 

Po ashtu do të rriten edhe shpenzimet nga 610 miliardë të parashikuara për këtë vit në  637.6 miliardë lekë në vitin që vjen dhe do të kenë në fokus të gjithë sektorët e ekonomisë.

"Do ketë investime në infrastrukturën digjitale në shumë sektorë në ministrinë e financave, shëndetësi, arsim në të mbrojtjes dhe ministrinë e brendshme. Gjithashtu do të kemi dronët dhe satelitët që do të rrisin efikasitetin e kontrollit në disa sektorë prioritar. Do të ketë rritje të re pagash për sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar 2.4 miliardë lekë, dhe parashikon rritje të pagës për funksion me 6% për punonjësit e sipërcituar", vijoi Ibrahimaj. 

Fondi i investimeve do të rritet me 6.4% dhe do të arrijë në 111 miliardë lekë tha ministrja Ibrahimaj, teksa shtoi se 20 miliardë lekë do të përdoren për rindërtimin ndërsa 2.4 miliardë lekë do të jenë për sigurimin e vaksinave.

Rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet të jetë 4.1%, dhe si pasojë e rimëkëmbjes së qëndrueshme qeveria pret që të ketë rritje punësimi, përmirësim konsumi dhe për pasojë më shumë të ardhura në buxhet.  Nga ana tjetër qeveria pret dhe ulje të deficitit buxhetor me 19.6 miliardë lekë, nga 120.5 miliardë që do të arrijë këtë vit do të zbresë në 100.8 miliardë lekë në vitin që vjen. 

BUXHETI I SHTETIT

  • Buxheti 2022        536.811 mld lekë 
  • Buxheti 2021        489.526 mld lekë 
  • Diferenca              +47.285 mld lekë

SHPENZIMET E SHTETIT 

  • Shpenzimet 2022               637.694 mld lekë 
  • Shpenzimet  2021              610.069 mld lekë 
  • Diferenca                           +27.625 mld lekë 

DEFICITI BUXHETOR 

  • Deficiti 2022         100.883 mld lekë 
  • Deficiti 2021         120.543 mld lekë
  • Diferenca              -19.660 mld lekë

Hyrja e relacionit shoqërues të projektligjin për Buxhetin 2022:

Projektbuxheti 2022 synon konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, si tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Njëkohësisht, nëpërmjet politikave fiskale të kujdesshme që do të ndërmerren si nga krahu i të ardhurave dhe atyre të shpenzimeve buxhetore, synohet të sigurohet një ulje e pandalshme dhe e qëndrueshme e stokut të borxhit publik në periudhën afatmesme 2022-2024.

Projektbuxheti 2022 dhe ai afatmesëm bazohen në një kuadër makroekonomik të kujdesshëm dhe realist. Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4 për qind, ekonomia pritet të rikuperohet ndjeshëm në vitin 2021. Vlerësimet më të fundit për rritjen ekonomike gjatë vitit 2021 kapin vlerën e 7.6 për qind, duke vijuar këtë trend pozitiv dhe në periudhën afatmesme 2022-2024 me një mesatare prej 4 për qind në vit. Më specifikisht, rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 për qind e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në nivelin 10.3% të parashikuar për vitin 2022. Rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështeten edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB-së.

Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 5.4% të PBB-së. Pavarësisht nivelit relativisht të lartë që vjen si pasojë e efekteve negative të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, deficiti buxhetor vijon të mbështesë ekskluzivisht financimin e investimeve publike. Në fund të vitit 2024, niveli i deficitit buxhetor parashikohet të ulet në 2.8% të PBB-së duke përmbushur kësisoj objektivin madhor të qeverisë për uljen graduale të stokut të borxhit publik. Në projektbuxhetin e vitit 2022, programimi i të ardhurave buxhetore mbështet synimet e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ky programim bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike, si dhe duke nxitur prodhimin dhe eksportet.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB-në pësojnë një rritje në terma realë në periudhën 2022-2024 nga 28.7% e PBB-së në vitin 2022 në 29.1% e PBB-së në vitin 2024. Kjo rritje vjen dhe si pasojë e jetësimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes të të Ardhurave (MTRS) e cila synon të përmirësojë politikat tatimore për forcimin e mbledhjes së tatimeve, përputhshmërisë dhe sistemeve të monitorimit. Implementimi me sukses i parashikimeve të strategjisë afatmesme të të ardhurave parashikohet të ketë impakt pozitiv në rritjen e të ardhurat tatimore. Shpenzimet buxhetore për periudhën 2022-2024 do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rindërtimit si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.

Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhe kujdesit ndaj brezave, duke filluar me programet specifike për mirërritjen dhe shkollimin e fëmijëve, aftësimin dhe punësimin e të rinjve, si dhe një mbështetje më të madhe financiare për shtresat në nevojë dhe moshën e tretë.

Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë dhe reformat e ndërmarra deri më tani pritet të kenë impaktin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të

reformës administrativo-territoriale janë bërë refoma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Qeveria shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike dhe njëkohësisht pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.2% të PBB-së në vitin 2022.

(Kliko ketu per te lexuar projekt buxhetin e 2022)

 

 

Ora 13:01
Do rriten me 11.5 mln euro pagesat për koncesionet në 2022, arrijnë në 113 mln euro

Për vitin e ardhshëm ministria e Financave ka parashikuar të paguaj 13.8 miliardë lekë për kontratat koncesionare nga 12.4 miliardë lekë që është vlera e parashikuar për këtë vit.

Konkretisht do të paguhen:

-3 miliardë lekë do të shkojnë për koncesionin e rrugës së Arbrit.

-Shërbimi i Skanimit në Dogana 2 miliardë lekë

-Koncesioni/PPP (Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale) 1.7 miliardë lekë.

-Për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozimeve ekzistuese Tirane dhe prodhimin e energjisë elektrike do paguaj 1.5 miliardë lekë.

-Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore  1.3 miliardë lekë

- Ndërtim, Operim dhe Mirëmbajtje e Rrugës Milot-Morinë 753 mln lekë

Sipas ndryshimeve ligjore të bëra më herët kufiri i lejuar për pagesat e koncesioneve është 5% e të ardhurave tatimore të vitit paraardhës, dhe ky nivel nuk kalohet. Ndërkohë sipas relacionit këtë vit vlera e pagesave nuk e kapërcen këtë vlerë.

“Rrjedhimisht, në buxhetin 2022 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi vlera e parashikuar prej 13.82 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2022, përbën vetëm 3 përqind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2021, prej rreth 459.1 miliardë lekë”, thuhet në relacion.

Ora 12:50
Projekt-buxheti 2022, 7 koncesione të reja me vlerë 214.4 miliardë lekë

7 koncesione të reja është parashikuar të hapen në  vitin e ardhshëm. Sipas relacionit të projektbuxhetit të vitit 2022 të depozituar sot në Kuvend, thuhet se janë 214,488 miliardë lekë është vlera e kontratave të reja të parashikuara për koncesionet. 

Behet fjalë për koncesionin e ndërtimit dhe operimit të aeroportit të Sarandës me 4,29 miliardë lekë, tenderi për këtë projekt dështoi për shkak se nuk pati asnjë ofertues. 

Koncesioni i dytë që do të hapet është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e portit të integruar ‘Triport Vlorë’ me 5,612 miliardë lekë. 

Koncesioni më i kushtueshëm që pritet të hapet në vitin që vjen është dhënia me koncesion e një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko-Joniane me 178,2miliardë lekë. 

Një tjetër koncesion i përfolur edhe në vitin e kaluar është edhe ndërtimi i infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore me vlerë  20,295 miliardë lekë. 

Ofrimi i shërbimit të infrastrukturës së çelësave publik është koncesioni tjetër 208.8 milionë lekë. 

Do të jepet me koncesion përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rekreative të blloqeve të banimit në disa lagje të qytetit Elbasan 882 milionë lekë dhe 5 miliardë lekë do të jenë për koncesionin e sigurisë rrugore.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?