Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar për kandidatin që do të përzgjedhë në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor.
Në nisje të mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha, tha se PD duhet të gjejë një figurë tjetër jo brenda radhëve të veta, pasi në këtë mënyrë ka më shumë shanse për fitore.
Sali Berisha e pranoi hapur se përzgjedhja e një kandidati të një profili dhe modeli tjetër ndryshe nga ai i figurave të PD-së, do të mblidhte më shumë vota, por kjo është edhe një kërkesë, sipas tij, e një target-grupi votuesish.
Për negociatat me partitë aleate përmes grupit të punës që angazhoi, Sali Berisha u shpreh se qëllimi ishte të eksplorohej modeli dhe jo të gjendej kandidati.
“Për Tiranën unë ngrita një delegacion për të eksploruar, jo kandidatët, por për të eksploruar modelin. A mund të gjenim një model ku të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Shanset, nëse e mbështet gjithë opozita, të jenë më të mëdha.
Ne kemi kandidatura shumë të mira, kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevis, Edi Paloka. Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forca të tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer, por ka lidhje me rekordin elektoral, tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje dhe me një moment të dytë. Qindra mijëra militantë do donin të kishin kandidat ndonjë prej jush, por të tjerë do donin të kishte një kandidat jashtë nesh, me qëllimin jo negativ, por që të jemi sa më afër fitores, sa më të votueshëm. Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i një modeli tjetër nga PD, është përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha. Nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, por për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës. Unë ju them që asnjë takim nuk është bërë për kandidaturat”.
Dekretin e Presidentit pwr zgjedhjet e parakohshme nw Tiranw, Sali Berisha e konsideroi si antikushtetues. Megjithatë, ai theksoi se opozita nuk do ta bojkotojë garën për Tiranën.
“Mblidhemi sot në një moment për të diskutuar dhe vendosur modelin që do përzgjedhim si kryesi e PD për garën elektorale për Tiranën. Që në fillim dua të theksoj se dhunimet flagrante të Kushtetutës nga individë nga njerëz të inkriminuar të lidhur në vjedhje dhe përvetësime të mëdha të pronave publike si Edi Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, seria e dhunimit të Kushtetutës me aktet e tyre me të drejtë e bëjnë të debatueshëm, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe në këtë kontekst të debatueshëm pjesëmarrjen tonë në këtë garë elektorale.
Por për të gjithë ata që e kanë parasysh se ne jetojmë në një diktaturë autoritare në të cilën Kushtetuta është një letër e vdekur, ligji është një letër pa vlerë. Të kërkosh Kushtetutë në një regjim autoritar të bazuar në drogë, është si të kërkosh ujë në shkretëtirë. Parimet e Kushtetutës janë të pavdekshme, thelbësore për një rend demokratik, kurse në një narkodiktaturë janë faktikisht të parespektuara. Një opozitë në regjimet autoritare ka si mision përmbysjen e saj duke mos mashtruar asnjëherë se ajo përmbyset me votë.
Por një opozitë në vlerësimin dhe mendimin tim duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër regjimit autoritar. Bojkoti i cili është një vendim që para çdo padrejtësie të vjen i pari në mendje, është provuar me një efekt destruktiv për opozitat, për ekzistencën e tyre. Opozita nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj. Çdo opozitar e ka për detyrë t’i shpjegojë çdo qytetari çfarë është një diktaturë autokratike dhe ku dallon nga një diktaturë totalitare”.
Kryedemokrati sulmoi edhe kandidaten e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliun, të cilën e akuzon se ka kryer krime kundër njerëzimit kur ka mbajtur postin e ministres së Shëndetësisë.
“Ajo e di se janë 20 mijë shpirtra shumë prej të cilëve mund të ishin gjallë sot. I mori covidi për vjedhjen që bëri. Ajo e di që si nënë, grua, motër, jo që s’bëri asgjë për shëndetin e grave, por ka kryer krime kundër njerëzimit duke i privuar nga ilaçet jetike”.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se forca e tyre politike ka emra të mirë për të garuar përballë socialistes Ogerta Manastirliu për Bashkinë e Tiranës, por theksoi se do të zgjidhet një figurë e përbashkët e opozitës, siç u shpreh ai, për të mbledhur më shumë vota.
Në fjalën e tij në nisje të mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha përmendi disa emra të PD-së, që sipas tij, janë figura më të mira se Manastirliu, por që nuk do të kandidojnë.
“U garantoj që çdo qytetar me integritet i Tiranës, është 5 herë, 10 herë i pakrahasueshëm më i denjë se Korba e Korrupsionit për atë kandidaturë. Dhe ne kemi pa diskutim kandidatura shumë të mira. Kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevisi, Edi Paloka, që janë të pakrahasueshëm me kandidaturat e PS. Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forcat e tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer. Por ka lidhje me rekordin elektoral. Tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje edhe me një moment të dytë. Qindra e mijëra militantë do donin të kishin kandidat dikë prej jush, por disa të tjera do donin të kishin një kandidat jashtë nesh, jo me qëllimin negativ, por me qëllimin më të mirë që të jemi sa më afër fitores”, deklaroi ndër të tjëra Sali Berisha.
Lajmi kryesor:
PD nuk ka emër, do mbështesë kandidatët e pavarur për 6 bashkitë, Berisha: Nëse s’del njeri për 2 ditë, kandidojmë propozimet jopartiake
V.GJ /ReportTv.al
Komente
