Nesër do të mblidhet komisioni i posaçëm për çështjet e raportit të Dick Marty, në orën 11:00. Në rend dite në këtë mbledhje të rradhës do të jetë miratimi i procesverbaleve të mbledhjeve të para të komisionit, informimi i komisionit me materialet e depozituara nga institucionet sipas kërkesës së komisionit, si dhe disa çështje të tjera.
“Miratimi i procesverbaleve të mbedhjeve të komisionit, të datave 10 dhe 15 dhjetor 2020; Informimin e komisionit me materialet e depozituara nga institucionet sipas kërkesës së komisionit; Njohja e deputetëve me materialet; Çështje të tjera”, thuhet në njoftim.
Ky komision është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Përbërja e komisionit është konfirmuar sipas votimit në seancën plenare të Kuvendit, me 9 deutetë: Ulsi Manja kryetar, Enver Roshi zv. kryetar, Klodilda Bushka Sekretare dhe anëtarët Alket Hyseni, Adnor Shameti, Ermonela Felaj, Myslim Murrizi, Edmond Stojku, Enver Roshi dhe Elena Xhina.
Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, miratoi më 26 nëntor me 83 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim,ngritjen e Komisionit të Posaçëm për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, që implikonte UÇK-në.