Komisioni i 'Zgjedhores', opozita parlamentare këmbëngul te kërkesat: Nuk votojmë pa ndryshim sistemi e lista të hapura! Gjiknuri: Kemi një marrëveshje, nuk e shkelim

12 Qershor 2020, 17:30| Përditesimi: 12 Qershor 2020, 21:38

  • Share

Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore ka zhvilluar  90 minuta mbledhje për të prezantuar para anëtarëve të këtij komisioni marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik. Mbledhja që nisi në orën 17:00 ka pasur në fokus të saj informimin e anëtarëve të komisionit për marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik dhe ecurinë e mëtejshme të reformës. Mbledhja u zhvillua online me anëtarët e komisionit, ndërsa të pranishëm në zyrë ishin vetëm Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari, Rafl Gjoni dhe Myslim Murrizi.

Takimi nuk prodhoi asnjë rezultat pasi opozita parlamentare theksoi sërish me tone të forta se nuk tërhiqet nga kërkesat e saj për ndryshim sistemi dhe lista të hapura dhe se pa u realizuar këto të dyja nuk do e votojnë në kuvend këtë reformë.

Nga ana tjetër Gjiknuri tha se mazhoranca nuk shkel marrëveshjet e arritura dhe se do mundohet se të bind opozitën parlamentare që ta votojnë këtë reformë në kuvend pasi është një reformë që i shërben jo vetëm qytetarëve por dhe integrimit të vendit dhe se është arritur me miratimin e dhe të ndërkombëtarëve.  Ai tha se sistemi do të diskutohet në një fazë të dytë.

Gjatë ditës së sotme opozita parlamnetare ka depozituar në Kuvend një draft ku kërkon ndryshime kushtetuese. Në draftin e siguruar nga Report tv opozita e re kërkon lista të hapura të kandidatëve, një prag prej 5% të votave, që forcat politike duhet të marrin, para se të përfitojnë mandate parlamentare, si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Kërkesa është paraqitur si e mbështetur nga tre grupet opozitare në Kuvend, por jo të gjithë deputetët e pakicës kanë qenë dakord. Disa prej tyre nuk kanë pranuar ta firmosin shkresën, duke pasur rezerva për pragun prej 5% si dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Refuzimi i diskutimit të sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në një fazë të dytë ka revoltuar opozitën parlamentare e cila 'kërcënon' se nuk do të votojë asnjë reformë nëse nuk reflektohen dhe këto dy gjëra në reformën zgjedhore. Kjo ka bërë që ata të zhvillojnë takime të ndara më herët me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, Gramoz Ruçin dhe me kryeministrin Rama por pa arritur asnjë dakordësi mes tyre.

Gjatë paradites së sotme në orën 11:00 u mblodh dhe Këshilli Politik, ku u zbulua dhe zbuluar skemën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore. Sipas marrëveshjes së arritur buxheti i shtetit do të dyfishojë financimet për partitë, duke sqaruar se tavani për financimet private do të jetë 1 me 3. Pjesë e dakordësisë janë edhe reklamat politike në media, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e kodit të ri zgjedhor. Ditën e hënë do të paraqiten amendimet e plotë të kodit zgjedhor.

Ora 18:50
Hajdari: Beteja tani është në parlament, duam ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe listat e hapura

Rudina Hajdari në një pronocim për mediat pas mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore është shprehur se tashmë lufta është në parlament. Ajo thotë se duhet të ishin trajtuar hap pas hapi pikat e marrëveshjes.

"Komisioni i posaçëm u mblodh sot në orën 5, trajtuam çështjen e marrëveshjes, komisioni nuk është mbledhur si institucion, duhet të ishin trajtuar hap pas hapi pikat e asaj marrëveshjeje. Kjo ka sjellë tension dhe jemi këtu në këtët pikë. Kemi shpallur si luftë kryesore ndryshimin e sistemit dhe hapjen e listave. Beteja jonë është në parlament sepse kemi votat. Nuk është një betejë vetëm e opozitës parlamentare,  është një betejë e gjithë qytetarëve dhe jo njerëz që i përgjigjen partive politike", shprehet Hajdari.

Ora 18:43
Gjoni: Pa ndryshim sistemi dhe lista të hapura nuk ka asnjë votim në parlament

Ralf Gjoni tha se opozita parlamentare do i shkojë deri në fund kërkesës së saj për ndryshimin e sistemit dhe listave të hapura dhe se pa u plotësuar këto dy kërkesa nuk do të ketë asnjë votim në parlament.

"Kam shprehur opinionin tim për zgjedhoren që këshilli politik është një entitet ekstra institucionale dhe kushtetuese dhe nuk mund ta marrim dot parasysh në këtë komision. Shteti funksionon përmes komisioneve dhe procedurave , dhe ato nuk zhvillohen në këshill. Kemi dy objekte, e para trajtimi i të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it dhe i dyti ndryshimi e sistemit zgjedhor. Jam propozues zyrtarisht në ndryhsimet e sistemit dhe hapjen e listave. Do i qëndrojmë deri në fund ndryshimit të sistemit dhe mazhoranca të bie dakord për hapjen e listave elektorale, përndryshe nuk do të ketë dakordësi . Pa lista të hapura nuk ka asnjë votim në parlament", tha Gjoni.

Ora 18:42
Gjiknuri: Opozita parlamentare do ndryshim sistemi, do mundohemi t'i bindim së kjo marrëveshje është në dobi të vendit

Damian Gjiknuri tha se opozita vijon të këmbëngul në ndryshimin e sistemit, por se mazhoranca  ka arritur një marrëveshje dhe nuk do të bëhet pjesë e shkeljes së saj. Ai tha se do mundohet të bindim opozitën ta votojë, ndërsa shtoi se në një fazë të dytë do të vijojnë diskutimet për ndryshimin e sistemit.

"Opozita dhe një pjesë e anëtarëve këmbëngulin që nuk e njohin Këshillin Politik dhe se nuk do të votojnë paketën që kemi sjellë për zgjedhoren. Shpresoj që deri në fund të ketë një reflektim pasi zgjedhorja ka prioritet jo vetëm për të ardhmen e vendit por dhe integrimin. Jemi një parti që i qëndron marrëveshjeve dhe nuk mund të bëhemi palë me shkeljet e saj. Do mundohemi të bindim çdo anëtarë të  parlament që kjo paketë është në dobi të qytetarëve dhe sistemi zgjedhor  do ta diskutojmë në një fazë të dytë. Sistemi zgjedhor nuk gjeti konsensus në Këshillin Politik", tha Gjiknuri.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ermira: 16/06/2020 02:10

    Duam lista te hapura, vote te emigranteve, dhe votim elektronik...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?