Socialistët paraqitën kërkesat e tyre në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, për të ngritur dy komisione të posaçme, një për reformën zgjedhore, dhe një për reformën territoriale.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Report TV, PS ruan shumicën në të dyja komisionet, duke mos i lënë mundësi opozitës të bllokojë vendimmarrjen apo të përdorë të drejtën e vetos.
Për shkak të zhvillimeve paralele, dhe homazheve për gjyqtarin e vrarë, Astrit Kalaja, debati në Konferencën e Kryetarëve për këto dy komisione u shty, duke e bërë të paqartë qasjen e PD-së ndaj dy iniciativave të mazhorancës.
Por, Sali Berisha nga një konferencë për mediat, sqaroi se PD nuk do të marrë pjesë në asnjë komision të posaçëm pa praninë e ndërkombëtarëve, ODIHR dhe komisionit të Venecias.
Si zgjedhorja, ashtu edhe territorialja, kërkojnë nga 84 vota, të cilat PS mund t’i arrijë lehtësisht pa nevojën e konsensusit të selisë blu.
Në Kuvend nuk do të zhvillohet një debat për abuzimin me fondet e BE-në dhënë përmes programit IPARD në mbështetje te bujqësisë. Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e opozitës për të ngritur një komision të posaçëm për këtë çështje. Kjo nxiti edhe një reagim të ashpër nga Gazment Bardhi në drejtim të socialistëve.
“Por unë e kuptoj që ju nuk doni debat. Jeni këtu për të miratuar ligje që shkruhen në kompjuterin e Klodian Zotos, në tavolinën e Edmond Begos, apo për të miratuar ligje që u japin prona Suel Çelës”, tha ndër të tjera Bardhi.
Partia Demokratike ka depozituar në Konferencën e Kryetarëve kërkesën “Për zhvillim të mocionit me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë” në lidhje me gjetjet e OLAF për Fondet nga programi IPARD.
Kërkesa për mocion nuk është pranuar nga mazhoranca. Pas këtij refuzimi për debat, Gazment Bardhi ka lëshuar akuza në drejtim të socialistëve duke i atashuar me emra të botës së krimit, për të cilën pretendon se anëtarët e PS-së kanë lidhje të ngushta.
"Nuk kemi bërë asnjë rrugë tjetër, përveç asaj rruge ku ju ngritët komisionin e famshëm “Xhafa”. Nuk ka asnjë kundërthënie në kërkesën tonë për mocion me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm. Por kështu ndodh kur bëhet një lexim gjysmak dhe ndërkohë në mendje keni vetëm si ta rrëzoni kërkesën.
Por unë e kuptoj që ju nuk doni debat. Jeni këtu për të miratuar ligje që shkruhen në kompjuterin e Klodian Zotos, në tavolinën e Edmond Begos, apo për të miratuar ligje që u japin prona Suel Çelës.
Pretenduat se nuk keni raportet e OLAF-it. Ato janë zyrtare dhe të publikuara në faqen publike të internetit. Por ju, z. Balla, jeni i zënë me çështje të tjera.
Ju nuk doni debat, sepse ka përfituar babai i Suel Çelës, babai i një personi që është shpallur kreu i një organizate kriminale. Ai ka marrë 150 mijë euro, prandaj nuk doni ju debat.
Ne duam debat, sepse ato para duam t’i shkojnë fermerit të Bradasheshit, një fermeri në Divjakë, Lushnjë apo Fier. Por ju nuk keni këtë merak. Ju keni merak se mos dalin dokumentet. Mos u shqetësoni ne i kemi dokumentet.
Ti, Taulant, qesh! Qesh, sepse pronat e atyre i ke pasur merak dhe kjo është e dokumentuar. Por po ta them këtu: çdo javë do të keni kërkesa për debat, sepse ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar interesat e Suel Çelës.
Ashtu siç mendoj se shumë kolegë socialistë nuk janë këtu për këtë qëllim. Ata që janë për të përfaqësuar interesat e krimit, gjejnë yçkëla për të refuzuar debatin", tha Bardhi.
Partia Socialiste ka propozuar në Kuvend ngritjen komisionit të posaçëm e realizimin e Reformës Zgjedhore dhe tjetrin si Komision i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Në të dy komisionet, Partia Socialiste ka ruajtur shumicën e votave, pra duke mos dhënë shansin për barazi në komisione opozitës.
Projektvendimi i siguruar nga Report Tv për reformën zgjedhore, parashikon ngritjen e një komisioni të përbërë nga 17 anëtarë, 9 përfaqësues të Partisë Socialiste dhe 8 të partive të tjera opozitare.
Ky komision ngrihet për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHIR për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, për institucionet përgjegjëse për zgjedhjet, të partive parlamentare dhe organizatave jofitimprurëse, si dhe hartimin për financimin e partive politike.
Komisioni do të drejtohet nga dy bashkëpryetarë të PS dhe PD ndërsa paralel me to do të ngrihet grupi i ekspertëve teknikë.
Ndërkohë projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Administratio-Territoriale parashikon:
1. Ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
II. Komisioni i Posaçëm ka për objekt të veprimtarisë së tij:
a) të shqyrtojë kuadrin ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore;
b) të analizojë dhe propozojë opsione për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;
c) të analizojë sistemin aktual të financave vendore dhe të rekomandojë masa për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore, duke përfshirë forcimin e decentralizimit fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizimin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar;
ç) të shqyrtojë cilësinë dhe aksesin e shërbimeve publike vendore;
d) të sigurojë përputhshmërinë e propozimeve me acquis të Bashkimit Europian dhe politikat e kohezionit rajonal;
dh) të zhvillojë proces konsultimi tërësor, gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë;
e) të paraqesë përpara Kuvendit dokument analitik me rekomandime për hapat e mëtejshëm dhe projekt-propozime ligjore.
III. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 17 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar i Partisë së Lirisë. Emrat e anëtarëve të tij do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi është shprehur se shprehur se vendi ndodhet në gjendje emergjente dhe se Kuvendi nuk të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Gjithashtu ai tha se parlamenti nuk mund të mjaftohet vetëm me një minutë heshtje ndërsa duhet debat për realitetin tragjik ku ndodhet vendi sot.
“Kuvendi nuk mund te mblidhet vetëm për te miratuar procesverbale. Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, alarm kombëtar për sigurinë e jetës, kjo te jete teme e diskutimeve. Kuvendi mos mjaftohet me 1 minute heshtje por te shndërroje ne teme debati sigurinë e jetës
Krimi ka marrë yrysh, shqiptaret me te pasigurte se kurrë. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar dhe krimi ordiner. Vrasja e gjyqtarit, krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare
Kuvendi te debatoje për realitetin tragjik ku ndodhet vendi, ku krimi sfidon pa frikë ligjin. E turpshme qe KLGJ bën publik paralajmërimet e qeverise për sigurinë e gjyqtareve, vetëm pasi ndodhi vrasja e gjyqtarit
Me shume se kurrë shqiptaret ndihen të braktisur, të pasigurt dhe të terrorizuar. Te mblidhemi ne seance për te folur për shqiptaret dhe hallet e tyre, jo për te miratuar procesverbale”, tha Blushi.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi dhe njëherë kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shkelje të përsëritura të Kushtetutës. Bardhi thotë se urgjente sot në rendin e ditës duhet të ishte interpelanca urgjente me kryeministrin Rama.
“Keni sjellë rendin e ditës, por mungojnë dy çështje që i keni detyrim.
E para, interpelanca urgjente me Kryeministrin. Kjo duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, dhe duke mos e përfshirë, ju keni shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
E dyta, është e vërtetë që nuk kemi gjetur konsensus për dy mocione në Konferencën e Kryetarëve. Megjithatë, Rregullorja ju detyron që kërkesat për mocionet të vijnë në Kuvend dhe të hidhen në votim.
Ju, Z.Kryetar, në mënyrë të habitshme, vazhdoni të shkelni Kushtetutën dhe Rregulloren. Keni një muaj që keni marrë besimin e mazhorancës dhe, pas kësaj, do të duhej të silleshit si Kryetar Kuvendi në respekt të Kushtetutës. Por ju nuk e bëni këtë, përkundrazi, e shkelni në mënyrë sistematike Kushtetutën”, tha Bardhi.
Komente

Kjo organizzate e pd dashka ta shpalli deshmor ? Pika injoranteve keqberesve , po nga kush u vra dhe pse u vra , mos valle nga vendimet kontraditore te vete gjyqtareve ? Keta nuk duhet te quhen gjyqetare por qyqaret hajdute, shkeles te ligjeve .
Përgjigju