Prokuroria e Posaçme ka bërë sot me dije se ka mbyllur hetimet për grupin kriminal nën akuzë të kultivimit të lëndëve narkotike në Pukë, grup i cili u kap një vit me pare në kuadër te operacionit policor i koduar “Qafa e Helmit”. SPAK dërgon për gjykim grupin kriminal prej 17 personash, mes tyre dhe 3 drejtuesit. Një prej personave nën hetim është edhe ish nënkomisari, Kastriot Bicukaj.
Në GJKKO është kërkuar gjykimi i Leon Ndrecaj, Gjin Kola, Ilir Prengaj, Miri Rrapi, Zef Lalaj, Danjel Lalaj, Gentian Ndoj (Marinaj), Tanush Lekgegaj, Aleks Këdheli, Tor Sherri (Vitor), Leonard Kola, Ylli Veshi, Gentjan Stafa (Lalaj), Samuel Marku, Eriglen Sulaj, Kastriot Bicukaj dhe Hilë Marnikollaj.
Nga hetimi rezulton se të pandehurit Leon Ndrecaj, Ilir Prengaj dhe Gjin Kola në rolin e drejtuesve kanë krijuar një grup kriminal në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë pjesë e këtij grupi duke u përfshirë në aktivitetin kriminal të kultivimit të lëndëve narkotike me qëllim shitjen më pas të saj. Kultivimi i bimëve narkotike është kryer në zonat kufitare malore të qarkut Shkodër (Pukë) dhe Lezhë (Mirditë), më pas është përpunuar në vende të posaçme me qëllim shitjen e saj.
Grupi kriminal ka pasur edhe mbështetjen e strukturave të policisë së shtetit dhe strukturave vendore ku është provuar që ata kishin mbështetjen e të pandehurit Kastriot Bicukaj me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Pukë, si dhe të pandehurit Hilë Marnikolaj, me detyrë Kryeplak i fshatit Pletë Pukë. Veprimtaria kriminale ka filluar nga muaji tetor i vitit 2020, duke vazhduar më pas në vitin 2021 ku nëpërmjet veprimeve hetimore dhe provave të mbledhura ka rezultuar i dokumentuar dhe i provuar ky aktivitet kriminal dhe përgjegjësia penale konkrete e të pandehurve.