Foto ilustruese

Mbrëmja gala e 'Më të mirëve 2022', FSHF tregon emrat e të nominuarve

26 Janar 2023, 15:54
  • Share

Nesër në 19:00 në një mbrëmje gala, Federata Shqiptare e Futbollit do japë çmimet e "Më të mirëve 2022". Institucioni i futbollit ka treguar edhe emrat e të nominuarve për kategoritë e veçanta, teksa votimi ka nisur prej kohësh nga gazetarët sportivë.

Fituesit do të shpallen gjatë mbrëmjes, ndërkohë që po ju njohim edhe me të nominuarit për çdo kategori. Për çmimin “Topi i Artë 2022” të nominuarit janë: Xhuliano Skuka, Mentor Mazrekaj dhe Redon Xhixha, ndërsa për “Topin e Artë 2022” për vajza finalistet janë: Sara Maliqi, Esmeralda Franja dhe Megi Doçi.

Dy trofetë ‘Këpuca e Artë 2022’ për djem dhe vajza do të shkojnë për golashënuesit më të mirë të vitit, ndërsa për çmimin “Trajneri i Vitit 2022” kandidaturat janë: Mirel Josa, Shpëtim Duro dhe Orges Shehi. “Talenti i Vitit 2022” do të shpallet njëri mes Simon Simonit, Arinaldo Rrapajt dhe Rejan Alivodës, tre prej lojtarëve të rinj që janë paraqitur mjaft mirë vitin e kaluar.

Kurse për çmimin “Talentja e vitit 2022” janë në garë: Rosela Vasa, Gelda Kadiolli dhe Xhesika Ndoj.

Sakaq, do të jepet dhe një çmim për “Arbitrin e Vitit 2022” dhe finalistët e përzgjedhur janë Juxhin Xhaja, Eldorian Hamiti e Enea Jorgji, teksa çmimi i nderit “Mirënjohje” do t’i shkojë ekipit të Vllaznisë së vajzave për suksesin e jashtëzakonshëm, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën e grupeve të UEFA Ëomen’s Champions League dhe duke luajtur me 16 klubet më të mëdha të Europës.

Në fund, do të zbulohet “Formacioni i Vitit 2022” me emrat e 11 lojtarëve më të dalluar përgjatë vitit për çdo pozicion, të cilët janë përzgjedhur përmes votimit nga gazetarët e emisionet sportive në vend.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?