Egnatia feston kalimin në turin e tretë të Conference League Foto: KF Egnatia

Sport

Mbrëmje evropiane për Egnatian dhe Dinamon, sot kërkohet mrekullia në Conference League

7 Gusht, 08:53| Përditesimi: 7 Gusht, 11:26

  • Share

Egnatia dhe Dinamo kanë një mision jo të pamundur sot në Evropë. Në turin e tretë të Conference League, për sfidat e para, Egnatia luan në transfertë kundër Olimpija Ljubljana, ndërsa në Split, Dinamo përballet me Hajdukun.

Në orën 20:00 në Slloveni, kampionët e Shqipërisë, Egnatia ka një detyrë jo të lehtë kundër kampionëve vendas. Edhe pse Olimpija ndërroi trajner vetëm disa ditë më parë, organika e rivalëve është për t'u respektuar. Pasi eliminuan Dinamon e Minskut një tur më parë, Egnatia do kërkojë të bëjë surprizën dhe të kërkojë historinë për të shkuar në play-off e këtij kompeticioni.

Në orën 21:00 në Kroaci, Hajduku i Splitit pret Dinamon. Djemtë e Ilir Dajës kanë përballë një rival historik dhe në letër kroatët janë më shumë se të favorizuar. Futbolli luhet në fushë dhe Dinamo do kërkojë të bëjë pjesën e saj, paçka se pa Itodo Mandelën të shitur te Metalist në Ukrainë.

Në fushë zbresin edhe dy klubet nga Kosova. Në orën 20:30 Ballkani pret në "Fadil Vokrri" irlandezët e Shamrock Rovers (Conference League). Ndërkohë në turin e tretë të Europa League, Drita e Gjilanit luan kundër Steauas në Bukuresht, po në orën 20:30.

Ora 11:24
Ilir Daja para sfidës me Hajdukun e Splitit: Ata janë favoritë, por vështirësitë të bëjnë më të fortë

SPLIT - Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli në konferencë për shtyp në prag të sfidës ndaj Hajduk Split, që do të luhet të enjten në Kroaci (sot 21:00), në kuadër të turit të tretë të Conference League. Tekniku i 'Bluve' e pranoi se përballen me një kundërshtar të fortë, por theksoi se skuadra e tij do të japë maksimumin për një rezultat pozitiv.

“Na pret një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie. Jo vetëm për traditën që ka Hajduku në futbollin kroat, por edhe për eksperiencën në Europë dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozëve. Ata janë favoritë, por ndonjëherë vështirësitë të motivojnë, të bëjnë më të fortë”, u shpreh Daja.

Daja theksoi se Dinamo do të hyjë në fushë për të luftuar me dinjitet dhe se respekti për kundërshtarin nuk duhet të ngatërrohet me frikë.

“Të respektosh kundërshtarin nuk do të thotë ta kesh frikë. Ne do të japim gjithçka në fushë për të nderuar emrin e Dinamos dhe për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë”, vijoi ai.

I pyetur për përballjet e mëparshme ndaj skuadrave kroate, Daja kujtoi përvojën e tij kundër Dinamo Zagrebit.

“Kam një fitore, një humbje dhe dy barazime kundër Dinamos së Zagrebit. Janë ndeshje ku luhet futboll i bukur dhe intensiv. Kohët dhe skuadrat ndryshojnë, veçanërisht në këtë periudhë vere”, vijoi më pas Daja.

Ai gjithashtu përmendi rëndësinë e politikës së klubit për të zhvilluar talente, si dhe progresin e disa futbollistëve drejt ligave më të forta, si rasti i Itodos. Duke iu referuar një deklarate të ish-futbollistit Ervin Bulku, që foli me tone pozitive për Hajdukun, Daja u shpreh se rëndësi ka ajo që do bëjnë në fushë.

“E kam pasur lojtar, kam folur edhe personalisht me të. Është normale që të flasësh me nostalgji për klubet ku ke luajtur. Shqipëria dhe Kroacia kanë marrëdhënie shumë të mira, jo vetëm në sport. Ajo që ka rëndësi është ajo që do të ndodhë në fushë”, tha Daja.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?