Në prag të ndërrimit të viteve, Orkestra e Harqeve e Qendrës Kulturore "Aleksandër Moisiu" në Durrës do të japë mbrëmjen e së enjtes Koncertin festiv me pjesë nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj.
Premierë për këtë natë orkestrale do të jetë vepra e kompozitorit durrsak Moni Kuriçi "Suitë ballkanike", si dhe vepra e njohur "Serenade" e kompozitorit çek Josef Suk.
Në prova intensive gjatë këtyre ditëve, të gjithë anëtarët e orkestrës po bëhen gati për koncertin e madh gala. Por përkundër përkushtimit në punë, që këtë vit u shpërblye me vlerësimin mëse të merituar si "Orkestra më e mirë" në takimin kombëtar të Muzikës së Dhomës dhe Orkestrave të Harqeve të zhvilluar në Elbasan, honoraret e muzikantëve lënë për të dëshiruar.
Për dirigjentin Petrika Afezolli dhe kompozitorin Moni Kuriçi, pagesat e artistëve janë ende larg shpërblimit monetar, që aplikohet në qytetet e tjera të vendit.
“Përjashtuar Tiranën, që është një superfuqi, po të jetë në avangardë Shkodra, Elbasani, Korça e Fieri dhe të jetë Durrësi në nivelet minimaliste, kjo është një gjë që duhet të rishikohet”, tha Afezolli.
“Fatkeqësisht, asnjëherë nuk kemi qenë të vlerësuar, në masën që meritonim. Vijmë në këtë ditë sot, që siç tha Petrika janë bërë disa lëvizje, por unë i konsideroj të pamjaftueshme, sepse duke iu referuar Shkodrës, një kolegu ynë atje të shpërblehet me 250 mijë lekë të vjetra dhe ne të diskutojmë 120 mijë lekëshin më duket shumë jo profesionale”,- deklaroi Kuriçi.
Aktualisht Orkestra e Harqeve të Durrësit përbëhet nga 20 instrumentistë së bashku me dirigjentin e saj, të cilët paguhen nga buxheti i bashkisë, ndërsa pagesat e 4 instrumentistë të tjerë mbulohen nga sponsorët dhe bizneset.