Mbresa nga një udhëtim në buzë të Jugut (FOTO)

26 Qershor 2019, 16:21| Përditesimi: 26 Qershor 2019, 16:26

  • Share

Kur merr udhën drejt Sarandës nuk mund të mos zgjatësh qafën nga makina për të parë Qafën e Muzinës. Përpara më shfaqet një tufë bagëtish dhe në të majtë, syri të kap, me cepin e tij, Kishën e Shën Thanasit. Sa herë kaloj në këto anë, këtë kishë nuk e lë pa e vizituar. Më bëjnë përshtypje karriget si ato që dikur uleshim për të parë filmin e radhës në kinema (kinema “Agimi”, “Dajti”, Republika”, “Partizani”). Ikonat dhe qirinjtë qëndrojnë indiferentë ndaj lutjeve dhe murmurimave të kalimtarëve të radhës, apo ithtarëve të zonës. Dëgjohet zukatja e gjinkallës dhe dikush që kosit barin.

Gjinkalla më shoqëron me zukatjen e saj edhe kur zbres nga makina për t’i bërë një “video” lumit të Bistricës me ngjyrat e tij të denja për “sfilatat” më të bukura të modës. Ngjyra blu dhe ajo e gjelbërt e kalojnë cakun e imagjinatës dhe të vjen një dëshirë të kridhesh në ujë, edhe kur nuk di not. Sidomos kur nuk di not, sepse nuk e di sa i ftohtë, apo sa i thellë është lumi.

Makina vazhdon rrugën, derisa mbërrijmë tek një tabelë që lexon “Mespotam”. Në të majtë gjendet një ndër manastirët më të famshëm të zonës, por edhe të trashëgimisë fetare-kulturore-turistike të vendit. Manastiri i Shën Kollit ndërtuar në kohën e perandorit bizantin me emrin Kostandin. Makinës ia “pret” rrugën një “karvan” biçikletash nordike. Turistë të informuar më mirë se ne vendalinjtë vijnë të vizitojnë manastirin. Tek porta, punonjësi që pret biletat duket si i zgjuar nga përgjumja që zë të gjithë ata që qëndrojnë nën hije qeparisash. “Manastiri është 2 mijë vjeçar”, i përgjigjet ai kërshërisë sime që endet bashkë me imagjinatën time nëpër ullinj. Poshtë një të tilli, një biçikletë “pozon” për fotografinë time të radhës dhe unë pozoj përpara portës së kishës. Më magjepsin të tilla vende. Më krijojnë një ndjesi që nuk di as ta shpreh, dhe as ta përcjell siç duhet. Vetëm se ky vend, jo vetëm për ata që i përkasin fesë ortodokse, por edhe për këdo tjetër me dëshirë për të përftuar nga udhëtimi, vlen të vizitohet.

Vazhdojmë rrugën drejt buzës së Jugut. Saranda e filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re” nuk është më. Sigurisht. “Dy herë mat”, “Nxënësit e klasës sime”, por edhe “Në kufi të dy legjendave” janë vetëm disa nga filmat që të tregojnë sesi ka qenë Saranda dikur. Unë nuk nxjerr konkluzione në asgjë që shkruaj. Jo vetëm sepse më duket vetja e “padenjë“ për ta bërë një gjë të tillë, por edhe sepse besoj tek këndvështrimi dhe emocionet e gjithsecilit, që doemos janë tejet të ndryshme,por edhe të ngjashme me njëri-tjetrin.

Porti i vogël i varkave, apo Limani siç e quajnë sot ka një gjendje të fjetur kur peshkatarët kanë ankoruar varkat e vogla dhe zgjohet vetëm kur ata nisen ose kthehen nga peshkimi. Në krah të tij, me një dukje nga jashtë dhe nga brenda modeste gjendet “Muzeu i Traditës”. Nuk është një ndër vendet që do ta rekomandoja, për shkak se sendet dhe orenditë brenda tij lënë për të dëshiruar për nga mungesa e “pasurisë“ për të shpjeguar atë që duan të përçojnë, pikërisht traditën, por nëse ke pak kohë me tepri edhe atë mund ta vizitosh, nëse e gjen të hapur. Pas këtij muzeu shtrihen rrugica të ndryshme, të cilat kanë shërbyer si “skena” për filmat e sipër përmendur. Fotografi, ku aktori i mirënjohur Aleko Prodani thotë frazën batutë “Po ky do të më çmendë mua”; Celo kasapi, i luajtur me mjeshtëri nga aktori Sulejman Pitarka. Pasditeve njerëzit kalojnë ato si dikur në qytetet tona, kur njiheshim dhe përshëndeteshim. Ndoshta kjo ndodh vetëm gjatë stinës së verës, sepse në dimër ata “tkurren”. Gjithsesi, atmosfera në qytet më pëlqen. Me plaka ulur përpara dyqaneve, duke biseduar për gjellën dhe për banorët e qytetit që kanë ndryshuar, për “tabjatet” që kanë ndryshuar dhe për aromat që gjithashtu kanë ndryshuar.

Saranda qytet me lule. “Mos këpusni lulet” është tabela që të zë më shumë syri në qytet. Buganviliet zgjasin krahët si zonja të një apo dy shekujsh të kaluar.

Nëse të premton koha, Butrinti dhe Ksamili nuk duhen lënë pa u vizituar. Ka pushues që Sarandën e “përdorin” vetëm për plazh e ushqim, por ka edhe të tjerë që dëshirojnë të eksplorojnë bukuri të lashta, qoftë edhe kur i kanë eksploruar ato më parë.

Butrinti, ky qytet antik, për të cilin, të parët tanë do kishin thënë “ia vlen barra qiranë“ ta vizitosh më mahnit sa herë e vizitoj. Sugjeroj që këto vende të vizitohen vetëm me njerëz të cilët e kanë pasion natyrën dhe antikitetin, dhe që nuk ankohen nga dhembja e këmbëve. Sigurisht edhe pa taka. Duhen atlete për këto vende. Flora dhe fauna e Butrintit është tepër interesante. Amfiteatri dhe mozaikët që zbulohen e mbulohen, sipas fatit që ka vizitori, nuk kanë asgjë më pak nga ato vende për të cilat përshkojmë kilometra të tëra për t’i vizituar. Me një trap të vogël, por të sigurt mund të hidhesh në anën tjetër dhe të mbërrish në Konispol. Më kujtohet shprehja, me këtë rast, “do të të çojnë në Konispol”, “pullë poste në Konispol”, si caku më i fundit jugor, dhe si kërcënim syrgjyni. Edhe për këtë ia vlen vizita në buzë të jugut.

Ksamili, qyteti i ndërtuar nga aksionistët në vitin 1973. Duke zbritur drejt detit, shtëpitë e vogla “private”, siç i quanim dikur shtrihen në të djathtë, ndërsa në të majtë qëndrojnë pallatet ku u martuan aksionistët. Dy rrugë mbajnë dy emra të paharruar të muzikës, ndonëse nuk dua të vë shenjë barazimi mes tyre. Njëra quhet “Alida Hisku”, e cila këndoi këngën me këtë tekst “dua armë e municion, se do shkoj, e urrej dhe unë fashizmin, do luftoj”. Në fakt, Alida u arratis. Personazhi i saj u mitizua dhe vetëm kur dha disa intervista në televizionet private u mor vesh edhe jeta e saj (jo më) private. Kaq. Rruga tjetër mban emrin e së famshmes Vace Zela.

Në fakt, më bëjnë përshtypje emrat e rrugëve: Aksionisti, Freskia, Rruga Joniane dhe rrugë me emra dëshmorësh. Ende nuk kanë mbërritur në Ksamil emrat e amerikanëve dhe francezëve të famshëm. Mos i kërkoni.

Dhe duke zbritur, pyes një grua që lan ballkonin me fshesë e ujë se ku gjendeshin pallatet e para të ndërtuara në Ksamil.

“Më quajnë Afërdita (Cafaj) nga babai. Ne jemi familja e parë e vendosur në Ksamil. Im atë, Xhelil Cafaj, erdhi nga Gjirokastra dhe punoi si roje në depot në ushtri. Në vitin 1972, këtu kishte një shkollë të mesme dhe vetëm ushtria qe. Në vitet 78-79 erdhën aksionistët. Më sheh mua, unë u martova me aksionist (mu kujtua kënga “mësuesja po martohet o me traktorist, gëzon i gjithë fshati socialist). Im shoq erdhi aksionist nga Berati. Kam tre fëmijë. “

Këtë bisedë e zhvilluam ajo nga ballkoni, unë poshtë ballkonit. E çuditshme biseda, siç e kemi edhe jetën. Më ftoi edhe për kafe, të cilën me politesë e refuzova për shkak të orarit dhe kohës.

“Do të shkosh tek lagjia “Rinia” dhe tek sheshi “Katër valltarët”, më tha. Dhe ashtu bëra. Valltarët nuk do t’i kisha vënë re ndonëse qëndronin buzë rrugës. Të kapur për krahu, burrat me fustanella dhe gratë me hire jugu qëndronin mes pallatave, kafeneve, marketeve dhe dhomave që jepeshin me qera për stinën e plazhit.

Qytet ku njerëzit ende dalin në dritare, me kanatiere, dhe sodisin bashkëqytetarët ose pushuesit që kalojnë çdo gjë që është pranë tyre pa e vënë re.

Qytet ku njerëzit ende njihen me njëri-tjetrin. Ku ata që nuk i njohin janë gati t’i marrin në pyetje. Nga të kemi? Ku vete? Ç’e mirë të ka prurë nga këto anë? Pse bën fotografi?

Për të gjitha këto dhe plot të tjera që lexuesi pushues i kërkon vetë, më mirë se unë, vlen një udhëtim në buzë të jugut.

P.S. Mos lini pa parë Manastirin e Shën Mërisë në fshatin Kostar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?