Mbretëresha Geraldinë në një ekspozitë, Arkivi: Pinte çaj me të vobektit, mendoi për Shqipërinë dhe pas largimit! Princ Leka: E dashuruar me këtë vend

28 Tetor 2022, 14:31| Përditesimi: 28 Tetor 2022, 15:46

  • Share

Shënohen dy dekada nga mungesa e saj fizike. Mbretëresha Geraldinë, vjen e rrëfyer përmes një ekspozite të hapur në Kalanë e Tiranës.  Telegrame, fotografi, momentet më me peshë në jetën e saj, Familja Mbretërore e Drejtoria e Arkivave e prezantojnë si “Trëndafilin e bardhë”. Princ Leka II në ekspozitë erdhi bashkë me të bijën. Në fjalën e tij, ai tha se komunizmi i ka bërë padrejtësi historisë, e tanimë ka ardhur koha që roli i Geraldinës, të njihet siç ka qenë.

“Historia duhet trajtuar pa paragjykime dhe ne duhet të ndihemi krenarë që kemi gjak shqiptari. Geraldina, ishte mbretëreshë e shqiptarëve. Një shqiptare e bindur e dashuruar me vendin e vet”- tha ndër të tjera Princi Leka II.

“Mbretëresha Geraldinë është një figurë shumë interesante, që del akoma më në pah nëpërmjet dokumenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Geraldina e mbajti Shqipërinë në zemër dhe luajti një rol të rëndësishëm në emancipimin e gruas shqiptare.”- u shpreh Bido.

Specialisti i arkivave Denald Prifti, e ka konceptuar ekspozitën në tri pjesë.

“Jemi munduar që të sjellim mbretëreshën Geraldinë në disa dimensione të ndryshme, ku përfshihet momenti i saj i fejesës me mbretin Zog, martesa, lindja e trashëgimtarit e të tjerë”, shprehet Prifti.

Një nga aspektet më të veçanta të mbretëreshës që ai veçon, është ai bamirës.

“Është mbretëresha e të varfërve. Një nga veprimet e saj të para, ka qenë pirja e çajit me të vobektit e Tiranës”, shton më tej.

Ndërsa për letërkëmbimet e saj me udhëheqës botëror, vë theksin veçmas tek urimet në ditë të veçanta, si ajo e martesës, apo lindja e trashëgimtarit.

Jo vetëm këto materiale, por edhe shumë prej studimeve historike të prezantuara deri më tani, e sjellin Geraldinën tek publiku, pa dritëhije e dashamirëse ndaj popullit shqiptar.

“Ishte një zonjë e vërtetë e kohës, e cila kur u martua me mbretin Zog, në atë periudhë të shkurtër që qëndroi në Shqipëri, kishte një aktivitet social, si përsa i përket emancipimit të gruas dhe përsa i përket bamirësisë, apo ndërlidhjeve që krijoi edhe me familjet kryesore të kryeqytetit, dhe më pas edhe pas vitit 1939 ajo me fëmijë të vogël iku nga Shqipëria, dhe gjithë jetën e saj ia kushtoi në formën që ajo mundte shtetit shqiptar, duke qëndruar në një distancë me politikën ku do të mund të vendosej në pikëpyetje.  

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Kalanë e Tiranës, edhe gjatë ditës së premte.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Likja: 28/10/2022 14:53

    Ku e gjeti mbreterine ky zogolli qe mbreteroi nga viti 1928 deri ne 6 prill 1939 duke marre floririn duke nxjerre pushket jasht funksioni dhe arratiset duke tradhetuar vendin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?