Mbretëria e Bashkuar i dhuroi Policisë së Shtetit, pajisje imazherike të teknologjisë së lartë, me vlerë mbi 18 mijë euro.
Pajisjet e rezolucionit të lartë do t’i shërbejnë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, për detektimin e shpejtë të lëndëve narkotike, armëve dhe mallrave, të cilat tentohen të futen apo të dalin nga territori i Shqipërisë, duke i fshehur në vende të përshtatura paraprakisht.
Si rezultat i përdorimit të këtyre pajisjeve në këto raste të krimeve kufitare, do të sigurohen prova materiale të padëmtuara. Përmes këtyre pajisjeve synohet edhe detektimi i shumave të parave, të cilat tentohen shpesh të hyjnë brenda territorit tonë, sidomos me origjinë nga Britania e Madhe.
Marrëveshja për donacionin, u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së ShtetiT, Ilir Proda, dhe nga përfaqësuesi i Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Departamentit të Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe, Stephen Law.
Drejtor Proda përmes Law falënderoi Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se “bashkëpunimi i ndërtuar mbi profesionalizëm dhe besim reciprok, do të ndikojë drejtpërdrejt në revanshin e ligjit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”.
Donacioni për këto pajisje të rëndësishme për detektimin e sendeve të paligjshme, pasoi një tjetër donacion të autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, i cili u bë më 28 janar, të 4 dronëve termikë dhe 2 detektorëve. Mbretëria e Bashkuar ka një bashkëpunim të frytshëm në vitet e fundit me Shqipërinë, nisur nga emigrantët e jashtëligjshëm në vendin ishullor, pasuar me donacione të shumta.
Komente
