Me zhvillimin e teknologjisë, siguria në internet duket se po kthehet në një temë prioritare dhe si grupmosha më e rrezikuar për shkak të “naivitetit” dhe mungesës së informacionit janë fëmijët.
Ofcom i cili është rregullator i komunikimit në Mbretërinë e Bashkuar pritet të vendosë disa rregulla dhe kufizime të “lundrimit” në internet nga fëmijët, në kuadër të Aktit të Sigurisë në internet, i cili u miratua me ligj një javë më parë.
Nisma fokusohet në postimet me përmbajtje të paligjshme, të tilla si përmbajtja, mashtrimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve, etj.
Sky News raporton se kompanive të rrjeteve sociale do t'u kërkohet me ligj që të mbajnë private të dhënat e vendndodhjes së fëmijëve dhe të kufizojnë se kush mund t'u dërgojë mesazhe të drejtpërdrejta.
Ofcom do të publikojë rregulloren përfundimtare në muajt e ardhshëm rreth sigurisë në internet dhe promovimit të materialit që lidhet me vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin, rregullore e cila do të hyjë në fuqi me miratimin parlamentar.
Kodi inkurajon gjithashtu kompanitë e rrjeteve sociale që të përdorin teknologjinë e përputhjes së hash-it për të identifikuar imazhet e paligjshme dhe mjetet për të zbuluar faqet e internetit që mbajnë materiale të tilla.
Po ashtu, nisma parashikon që më hyrjen në fuqi, firmat e teknologjisë duhet gjithashtu të emërojnë një person përgjegjës, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e rregullores së Ofcom, pas miratimit nga parlamenti britanik.