Partia Reform UK do të shfuqizojë të drejtën e migrantëve për të fituar Leje të Pacaktuar Qëndrimi (ILR) pas pesë vitesh në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas këtyre masave, emigrantët do të duhet të riaplikojnë për viza të reja me rregulla më të ashpra .
Reform ka thënë gjithashtu se planifikon të ndalojë këdo tjetër përveç qytetarëve britanikë të përfitojë nga ndihma sociale. Partia pretendon se planet e saj do të kursenin 234 miliardë paund gjatë disa dekadave.
Kancelarja Rachel Reeves tha se kursimet e sugjeruara "nuk kanë bazë në realitet" dhe se qeveria tashmë po shqyrtonte kufizimin e aksesit të emigrantëve në ndihmë sociale, shkruan BBC.
Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, tha se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të jetë "banka e ushqimit në botë".
"Nuk është detyra jonë të ofrojmë mirëqenie për njerëzit që vijnë nga e gjithë bota" tha ai, teksa e e quajti këtë nismë një përgjigje ndaj “valës së Borisit”, duke iu referuar rritjes së migracionit pas Brexit-it.
Nga ana tjetër shtetasit e BE-së të mbrojtur nga Marrëveshja e Tërheqjes nuk do të preken, teksa plani përfshin gjithashtu rritjen e kohës së nevojshme për të marrë shtetësinë britanike nga 6 në 7 vjet.
Partia Laburiste dhe Liberal Demokratët kritikuan planin, duke e cilësuar jorealist dhe të dëmshëm për ekonominë dhe bizneset britanike.
Plani agresiv i Reform UK ka ndezur një debat të ri mbi migracionin dhe integrimin, duke shtuar presionin mbi partitë tradicionale ndërsa zgjedhjet e ardhshme afrohen.
Komente
