Bota

Mbretëria e Bashkuar zotohet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje

25 Shkurt, 17:52| Përditesimi: 25 Shkurt, 18:27

  • Share

Kryeministri britanik, Keir Starmer, është zotuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 2.5 për qind të ekonomisë deri më 2027, teksa ka pasiguri lidhur me angazhimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për sigurinë evropiane.

Starmer shprehu synimin që të arrihet edhe 3 për qind e Bruto Prodhimit të Brendshëm sa i përket shpenzimeve për mbrojtje, një rritje prej 0.7 për qind nga shpenzimet aktuale që do të shënonte rritjen më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Njoftimi i Starmer vjen disa ditë para se ai të takohet të enjten me Trumpin në Uashington.

Mbretëria e Bashkuar ka shpenzuar 2.3 për qind të BPB-së në mbrojtje më 2023/24.

Edhe më herët Qeveria e tij ishte zotuar se shpenzimet për mbrojtje do të rriteshin në 2.5 për qind, por nuk ishte thënë se kur do të bëhej kjo.

Kryeministri britanik i tha Parlamentit se rritja do të financohet duke shkurtuar ndihmën për zhvillim jashtë vendit nga 0.5 për qind e të ardhurave kombëtare në 0.3 për qind.

Starmer shtoi se shpreson që rritja e shpenzimeve të arrijë në 3 për qind të BPB-së në Parlamentin e ri, që i bie gjatë një periudhe pesëvjeçare pasi zgjedhjet e reja pritet të mbahen më 2029.

Rritja fillestare prej 0.2 për qind do t’i kushtojë Qeverisë 16.9 miliardë dollarë çdo vit nga viti 2027, tha Starmer.

Kjo nënkupton se duhet të ndërmerren “disa vendime të vështira dhe të dhimbshme”, tha ai para ligjvënësve, por shtoi se do të kontribuonte në “rritjen më të madhe dhe më të qëndrueshme të shpenzimeve për mbrojtje që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

Qeveria do të vendosë “ambicie të qartë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje në 3 për qind të BPB-së në Parlamentin e ardhshëm”, tha ai.

Trump u ka kërkuar aleatëve të NATO-s të dyfishojnë shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe të arrijnë cakun e 5 për qind të BPB-së.

Aktualisht, SHBA-ja shpenzon rreth 3.3 për qind për mbrojtjen./ REL

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?