Uzuni duke festuar një nga golat

Sport

'Mbreti' Myrto Uzuni, 'tripleta' e rradhës e çon në krye të golashënuesve: Shënoj për të gëzuar tifozët (VIDEO)

18 Dhjetor 2024, 11:01| Përditesimi: 18 Dhjetor 2024, 11:06

  • Share

Tani mund të cilësohet pa frikë se goleador. Po flasim për Myrto Uzunin, sulmuesin shqiptar të Granadës, i cili po shkëlqen nga java në javë, por në ndeshjen e fundit kundër Cartagenas është treguar me të vërtetë i pamëshirshëm. 29-vjeçari realizoi 3 herë në fitoren 4-1, duke përmbysur fillimisht avantazhin e miqve dhe më pas duke vulosur shifrat përfundimtare.

Tripleta e Uzunit vjen pak ditë pasi shkroi historinë duke u bërë golashënuesi më i mirë i huaj në historinë e Granadës, ndërsa kjo ishte hera e dytë që realizon 3 gola në një ndeshje me klubin spanjoll pas gushtit të 2022. Pas fitores me Cartagenan Uzuni u ngjit në kuotën e 14 golave këtë sezon, duke udhëhequr edhe listën e golashënuesve në La Ligën e dytë spanjolle. Pas tij vjen Suarez i Almerias me 2 gola më pak.

Shumë domethënës ishte edhe festimi pas ndeshjes, me Uzunin që ishte në rolin e udhërrëfyesit për tifozët. Madje të gjithë shokët e skuadrës festonin pas tij.

"Jam shumë i lumtur për golat, por edhe për fitoren. Është kënaqësi të shënosh një e jo më 3 gola. Njerëzit lënë punën për të na parë ne dhe për mua më e rëndësishme që të argëtojmë tifozët të cilët na vijnë në stadium,”-u shpreh Myrto Uzuni.

Klubi i Granadës pas ‘tripletës’ në rrjetet sociale e ka cilësuar Uzunin mbret.

Krejt ndryshe ishte mbremja për futbollistin tjetër të kombëtares Keidi Bare në La Ligën e dytë spanjolle. Mesfushori humbi një penallti për Zaragozën kur rezultati ishte 2-1 në favor të tyre kundër Oviedos. Më pas këta të fundit arritën të përmbysnin rezultatin në 2-3. Një detaj që në fund të ndeshjes detyroi trajnerin e Zaragozës të jepte dorëheqjen.

 

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?