Ish-futbollisti i Rusisë, Andrei Kanchelskis ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me Botërorin "Rusi 2018". Sipas tij kishte trukim në nivel të lartë dhe duelet që Rusia luajti kundër Uruguait dhe Spanjës ishin të fiksuara.
“Të gjithë ishin të shitur, pse ta mbështesja Rusinë? Ju nuk e dinit këtë?”, tha fillimisht Kanchelskis për “MatchTV.ru”. Rusia e nisi duke mundur Egjiptin dhe Arabinë Saudite, ndërsa më pas do të humbiste me shifrat 3-0 ndaj Uruguait.
“A nuk e keni pyetur kurrë veten pse u largua trajneri i Spanjës para Botërorit dhe në vend të tij sollën Fernando Hierron? Më besoni, ka shumë gjëra që nuk kanë dalë në dritë. Spanja nuk luajti me Rusinë. Ata qarkullonin topin kot në fushë, pa kuptim. Unë që luaj futboll, e di se për çfarë bëhet fjalë.
Përveç kësaj, Rusia as që u përpoq të bënte diçka me Uruguain në atë ndeshje të fundit. Ajo ndeshje duhej të humbej patjetër që të luanim kundër Spanjës, sepse e dinim se çfarë po vinte. Mbreti i Spanjës erdhi te ne dhe më pas bëri një marrëveshje të veçantë. Nuk mund të flas më tepër për detajet tani, por me kalimin e kohës do t’i mësoni”, tha Andrei Kanchelskis.