‘Mbrojtja e arbërishtes nga rrënimi e ‘Moti i madh’ në UNESCO’! Mbi 5 shekuj histori, në Pallatin e Kongreseve dhe pasardhësi i Skënderbeut: Dy herë në shtëpi

22 Nëntor 2023, 19:05| Përditesimi: 22 Nëntor 2023, 19:17

  • Share

Mbi 5 shekuj histori arbëreshe... Pallati i Kongreseve vishet këtë mesjavë me ngjyrat e historisë, traditës, e varianteve gjuhësore të saj...

“Iniciativa është shumë pozitive, sepse pasqyron realitetin arbëresh në të gjitha trajtat e tij, dhe për më tepër na jep mundësi për të menduar për një të ardhme më të mirë, në krahasim me të kaluarën, me perspektivën e një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucioneve italo-arbëreshe dhe institucioneve shqiptare”, shprehet prof.. Matteo Mandala, studiues arbëresh.

Për Ditët e Arbëreshëve bëhen bashkë personalitete të të gjitha fushave, duke shkrirë dallimet...

“Ndihem në shtëpinë time, sepse jam në Shqipëri! Ndihem dy herë në shtëpi, sepse janë këtu dhe shqiptarët e tjerë të Italisë! Dhe është e rëndësishme që kjo lidhje të mbahet gjithmonë, sepse ne kemi ruajtur për 5 shekuj krenarinë e të qenit shqiptar, edhe pse dikush nuk e flet më gjuhën për disa arsye. Por, ne duam që t’ua kujtojmë gjithmonë edhe italianëve, që ekziston një pjesë e rëndësishme e shqiptarëve në Itali, që madje ka bërë edhe historinë atje. Në shumë momente, historia e Italisë është bërë nga arbëreshët. Kështu që, ne duam t’ua përsërisin italianëve, që ne nuk jemi një komunitet juaji i huaj, ne jemi shqiptarë, sepse Shqipëria ka një histori të madhe që ju duhet ta njihni. Nga ana tjetër, shteti shqiptar duhet të na ndihmojë për të mbajtur këto raporte gjithmonë të gjalla".

Janë ngritur katër panele, ku siparin e diskutimeve e ngrenë studiuesit, me merakun e përçimit të arbërishtes, por edhe për të sensibilizuar institucionet për të kryer rolin e tyre.

“Fajin për rreziqet që i kanosen, sigurisht nuk e ka ligji482, siç dëgjuam dhe sot në panele. Në fakt ai është ligji që mbron 12 pakica gjuhësore në Itali, dhe secila pakicë ka pasur mjetet në nivelin rajonal për të luftuar rrënimin e gjuhëve. Sepse nuk rrënohehet vetëm arbërishtja, por të gjitha gjuhët minoritare. Dhe kjo ndodh, sepse familjet nuk e ndiejnë më prestigjin e gjuhëve amtare! Rrënohen sepse të rinjtë ikin nga katundet, jo vetëm në Jug por edhe në veri të Italisë. Problemi është që të krijohen mjete sa më të frytshme dhe të krijohen kushte kulturore për të rritur prestigjin e gjuhës amëtare, për të përcaktuar didaktikën e saj. Për këtë kemi qenë të ftuar vazhdimisht së nga Ministritë e Kulturës dhe të Arsimit në Itali bashku me mikun dhe kolegun tim Francesco Altimari, për të krijuar kushtet e duhura për të rimarrë mësimin e gjuhës por edhe për të përhapur kulturën arbëreshe nëpër fshatra”, shprehet akademiku Mandala.

Studiuesi Francesco Altimari shpjegon se ç’mund të bëhet për ta shpjeguar arbërishten në formën e saj më të mirë.

“Ajo që mund të bëhet, është së pari të vazhdojmë këtë dialog mes institucioneve, që deri më sot mungoi. Mungoi sepse, siç thashë, me njohjen e arbëreshëve si minoritetit gjuha ka një status të ri. Duhet ta përforcojë mundësitë dhe funksionin e saj. Dhe, kërkohet, që institucionet komunale nga të cilat përfaqësohen arbëreshët të bashkohen për të mbështetur ato drejtime që ne si komunitet shkencor por edhe shoqatat tona dhe mësuesit, e gjithë bota jonë, do për të zbatuar këtë ligj. Ne kemi një sërë problemesh zbatimi. Por, del që nuk arrihet tek ky rezultat. Pra, të kemi një forcë politike, pra që të jetë e përfaqësuar bashkë me botën kulturore, me botën shkencore. Ne mund vetëm të vazhdojmë punën që jemi duke bërë, pra të përgatisim këtë fazë. Edhe mbështetja këtu që na ka dhënë akademia e shkencave na ndihmon shumë, sepse objektivi këtu është të kemi një fjalor të madh të arbërishteve. Ne po punojmë që të bëjmë bashkë të gjithë këtë pasuri! Kjo, sepse pa pasur këtë pasuri gjuhësore, ne nuk mund të bëjmë atë planifikim që është kushti i  parë i për çdo gjuhë që bëhet e tillë. Sepse nuk mund të jetë një gjuhë katundare që bëhet minoritare, por është një gjuhë që përpunohet, që ka nevoja të reja. Nuk mund të jetë gjuha e vatrës së dikurshme. Dikush mendon që “këtë e kemi te gjuha e gjyshes”, por nuk mjafton gjuha e gjyshes për të bërë një minoritet të fortë dhe modern ne jemi për të kaluar në një fazë ku të rinjtë nuk duhet të kenë turp që ta flasin këtë gjuhë. Nëse prezantohemi me metoda të reja me vizione të vjetra ne nuk i ndihmojmë të rinjtë të mos flasin më gjuhën tonë,. Prandaj janë ato kushte paraprake me karakter kulturor, që na shërbejnë për të marrë fëmijët tanë dhe ti shtyjmë përpara me këtë vizion”, shprehet prof.. Francesco Altimari, studiues arbëreshë.

Jo vetëm e artit, kulturës e dokeve, ka dhe një arbërishte ku kanë ecur bashkë fe dhe arsye.

“Arbëreshët kanë përfaqësuar gjithmonë një kulturë të hapur, jo të mbyllur. Siç u shprehën edhe priftërinjtë e pranishëm në panele “Arbëreshët janë ura komunikuese, ura lidhëse mes dy kishave, ajo katolike perëndimore dhe ajo bizantine lindore duke kapërcyer ato pengesa që kanë lënë të ndara dy kishat. Më kujtohet shprehja që e papa Ratzinger, që në ditën kur u emërua Papë tha “Peshkatari fatkeqësisht nuk i mbledh të gjithë peshqit, duke simbolizuar metaforën ungjillore të një kishe që ishte e përbashkët, e unifikuar. Arbëreshët gjatë shekujve të vështirë VI-VIII, arritën të krijonin një urë lidhëse fillimisht brenda kishës katolike, duke u njohur brenda komunitetit ‘sui juris’, pra me një të drejtë kanonike të vetën, që e njeh si një kishë të pavarur brenda kishës katolike. Ata arritën dhe me misionet që kryen në Shqipëri gjatë shek.. VIII që të krijonin kontakte me Kishën Ortodokse, që sot e kësaj dite afrojnë të dyja realitetet ekumenike.  Papa Pali VI, me të vërtetë përshkruan komunitetin arbëresh nga pikëpamja fetare si një urë lidhëse në planin e afrimit ekumenik midis dy kishave. Dhe kjo është diçka që na nderon shumë”, shprehet Prof. Mandala.

Ritualet fetare janë objekt themelor dhe i  dosjes “Moti i madh” që po bën rrugëtimin e saj për njohjen si pasuri e UNESCO-s.

“Projekti ‘Moti i madh’ është paraqitur prej kohësh pranë Ministrisë së Kulturës italiane për të ndjekur procedurën për akreditim pranë UNESCO-s. Duke biseduar gjatë dhe me ekspertë të Ministrive të Kulturës dhe të Arsimit italiane, arritëm në përfundimin se do të ishte mirë të kishim një bashkëpunim sa më të ngushtë me shtetin shqiptar, veçmas me Ministrinë e Kulturës Shqiptare. Këtë procedure e kemi nisur dy vjet më përpara, fatkeqësisht periudha e Covid-19 solli vonesa. Por, sot mund të themi se kemi arritur edhe në një fazë shumë të avancuar dhe nuk do të mungojë shumë kohë për ta formalizuar në mënyrë përfundimtare. Moti i madh është një projekt që me të vërtetë jep shpresë për të ardhmen e komunitetit arbëresh dhe pse shfrytëzon çka na ka trashëguar tradita jonë, që është një traditë komplekse, siç është komuniteti arbëresh. Përfshin këtu tradita shpirtërore, muzikore, gastronomike, antropologjike, gjuhësore etj. Është diçka që na ka befasuar dhe ne gjatë procesit të gjurmimit të ‘Motit të madh”, shprehet studiuesi Mandala.

Pavarësisht vlerësimit për nismën e qeverisë për “Ditët arbëreshe”, studiuesit shpresojnë që kjo, të konkretizohet në marrëveshje e projekte konkrete.

“Shpresojmë shumë që kjo mbështetje të konkretizohet me projekte të realizueshme. Ajo që ne kërkojmë është që pas këtyre dy ditëve feste të vazhdojmë me punën serioze me personalitete të akredituara në botën akademike, shkencore, universitare dhe sidomos me ata mësues që kanë punuar pa u lodhur. Po të kemi këtë mundësi, këtë shpresë të koordinuar dhe me palën shqiptare, mund të arrijmë rezultate”, shton prof. Mandala.

Bashkëpunimi mes palëve, siç thonë, do të zbehë risqet, sepse të tjera faqe historie duhet të shkruhen për Arbëreshët, e te shmanget droja e ‘gjakut të shprishur’; që shoqëroi De Radën edhe në shtratin e vdekjes’.

“Me këtë vizion të ri, ne këto rite të shpërndara, mund t’i bëjmë gurë të një mozaiku të ri, ku çdo gur, brenda mozaikut e fiton një cilësi që më përpara nuk ishte”, shprehet prof. Altimari.

B.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • epo kjo pune: 22/11/2023 19:21

    u lumte por mjerisht shteti Ame eshte ibret e ka leshuar arvanitasit e camerine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?