Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, zhvilloi një takim me drejtuesit e institucioneve bankare dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave.
Në shkurt të këtij viti hyri në fuqi ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili përputh kornizën ligjore shqiptare me standardet më të avancuara të Bashkimit Evropian, duke ofruar për qytetarët shqiptarë të njëjtin nivel mbrojtjeje si qytetarët e BE-së.
Komisioneri Dervishi theksoi se arsyeja e nisjes së dialogut sektorial me bankat lidhet me faktin se ato janë ndër kontrolluesit dhe përpunuesit më të mëdhenj të të dhënave personale.
Ai solli në vëmendje disa problematika të konstatuara ndër vite, duke theksuar se mangësitë duhen vlerësuar si mundësi për të ndërmarrë përmirësime të mëtejshme.
“Ne si Zyre e Komisionerit nuk duam që raportin me ju ta mbështetim në “frikën”e gjobave të larta, por në partneritet dhe një sjellje besimi reciprok. Ligji i ri është një sfidë, por edhe një mundësi. Sfidë, sepse kërkon më shumë përpjekje, investim dhe ndryshim në mënyrën e funksionimit të përditshëm. Mundësi, sepse lejon në ndërtimin e një marrëdhënie më transparente dhe më të qëndrueshme me subjektet e mbrojtjes se të dhënave personale, duke rritur besueshmërinë ndaj sektorit”, tha Komisioneri.
Dervishi garantoi se Zyra e tij do të mbetet e hapur për dialog dhe mbështetje, duke i ftuar bankat të shndërrohen në shembull pozitiv për kulturën e mbrojtjes së të dhënave në Shqipëri, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella, u shpreh se "disa prej bankave kanë ndërmarrë masa, duke investuar në sisteme dhe trajnime". Sipas tij, “zbatimi i ligjit ka kosto, por natyrisht edhe sjell përfitime të rëndësishme”.
Komente
