TIRANË- Report Tv ka siguruar fotot e 4 nga 25 të arrestuarve e operacionit “Bllok 33” që akuzohen si pjesë të një rrjeti që shisnin drogë për VIP-at në lokalet e zonës së njohur si ish-bllokut në Tiranë. Personat në foto janë 2 vëllezërit Durim Gurzi dhe Artur Gurzi, si dhe Julian Bushati e Arnold Hilda.
Të 25 personat e arrestuar dolën këtë të shtunë, 21 qershor, para Gjykatës së Tiranës, ku gjyqtari i çështjes Tauland Banushi, rikonfirmoi masat e dhëna në mungesë për 23 prej tyre, ndërsa ndryshoi masën për të vetmen të arrestuar grua Xhoana Rustemi, për të cilën u vendos nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” dhe për Albert Shushkun, për të cilin u vendos nga arrest me burg në “arrest shtëpie” për shkak të problemeve familjarë.
Për 23 të arrestuarit e tjerë ngelën në fuqi masat e dhëna më herët nga gjykata. Operacioni i antidrogës u zhvillua dy ditë më parë pas një hetimi disa mujor të nga agjentët e antidrogës nën drejtimin e prokurorit Ardjan Dyrmishi. Mësohet se në këtë hetim ashtu si dhe në operacionin “Tempulli”, janë përdorur agjentët e infiltruar, të cilët kanë kryer blerje të stimuluara të lëndevë narkotike për të vërtetuar akuzat.
Në total u udhëruan 33 arreste, ndërsa policia mundi të prangosë 25 prej tyre, njëri prej të cilëve në masën “arrest shtëpie”. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim 8 të tjerë. Sipas prokurorisë dy prej personave kryesor të arrestuar, të cilët dyshohet se siguronin lëndën narkotike, e cila më pas shpërndahej në doza, janë vëllezërit Durim dhe Artur Gurzi, 46 dhe 41 vjeç. Përveç kokainës që iu gjet në banesat e tyre, sirtarëve iu sekuestruan edhe rreth 20 mijë euro. Mësohet se anëtarët e grupit kriminal e shpërndanin dhe shisnin drogën në lokalet më të famshme të zonës së ish-Bllokut, Selitë dhe Shkollë të Bashkuar. Në mesin e të arrestuarve janë banakierë dhe kamerierë, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm. Klientët ishin persona VIP dhe frekuentuesit e jetës së natës. Gjatë kontrolleve, u gjetën dhe sekuestruan 1 kg e 964 gramë kokainë, 450 gramë heroinë, 2 pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash. Më herët, gjatë hetimeve disamujore, janë prangosur edhe 9 të tjerë, duke e çuar në 42 numrin në total të personave të hetuar dhe 85 kilogramët e kanabisit të sekuestruar.
Komente
