Spanjë- Mbushën Spanjën me sera e plantacione kanabisi, çmontohet organizata kriminale e shqiptarëve.
Të paktën nëntë serra me plantacione marihuane u zbuluan nga dronët e Rojës Civile në mes të maleve në Teruel, në një zonë të lartë malore, me terren shkëmbor e të thepisur, që quhej ‘Përroi i Bufit”.
Në operacion u sekuestruan 7700 bimë marihuane dhe u arrestuan 4 persona të kapur në flagrancë.
Operacioni që çoi në arrestimin e katër shqiptarëve mori edhe emrin nga vendi ku ishte kultivuar droga, “Përroi i bufit”.
Lënda narkotike ishte mbjellë në mes të maleve në komunën e Arcos de las Salinas, Teruel, informon media spanjolle. Emrat e shqiptarëve nuk u bënë të ditur.
Policia spanjolle publikoi edhe pamje nga ky operacion, me agjentët e armatosur që i drejtojnë armët anëtarëve të grupit, u vënë duart pas koke dhe i shtrojnë përtokë deri në prangosje. Në aksion nuk kanë munguar as qentë antidrogë.
Gjykatësi i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Hetimit Numër Tre të Teruelit ka urdhëruar paraburgim për katër të dyshuarit për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin dhe trafikimin e paligjshëm të drogës. Gjykatësi gjithashtu beson se ka prova se të dyshuarit mund t'i përkasin një organizate ose grupi kriminal.
Komente
