Kronikë

Mbushën Riminin me drogë, arrestohen në Fier brenda pak orëve 3 të kërkuarit! Do ekstradohen në Itali, rrezikojnë deri në 10 vite burg (EMRAT+VIDEO)

27 Gusht, 08:30| Përditesimi: 27 Gusht, 10:31

  • Share

Tre persona të kërkuar nga Italia për trafik droge janë arrestuar brenda pak orëve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Të arrestuarit janë Kledis Shermadhi, 24 vjeç, Ardit Mehdiu, 29 vjeç dhe Emiseldo Fasko, 22 vjeç.

Të tre personat janë nga qyteti i Fierit, teksa do priten edhe procedurat e ekstradimit nëpërmjet Interpol Tiranës. Aksionet janë koduar “Operacionalja 61, 62 dhe 63”, të kryera në intervale të ndryshme, teksa të ndaluarit akuzohen si pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane: Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 24 vjeç, banues në Fier. Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga A. M., 29 vjeç, banues në Fier. -Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. F., 22 vjeç, banues në Fier”, tha policia.

Sipas informacioneve zyrtare, ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit iu ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “organizata kriminale” dhe “trafikimi i  narkotikëve”, për të cilat maksimumi i dënimit është 10 vjet burgim.

“Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdha droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit”, sqaroi policia.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tyre në Itali.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?