Trajneri holandez i Barcelonës Ronald Koeman është pranë shkarkimit nga klubi për shkak të rezultateve të dobta, por edhe lojës jo bindëse. Këmbanat për ish-futbollistin që u rikthye si trajner binin prej kohësh, por duket se tashmë presidenti Laporte e ka mbledhur mendjen, sidomos pas barazimit 1-1 të hënën kundër Granadas.
Sipas raportimeve në Spanjë dhe konkretisht të ‘El Chiringuito’, në skenë kanë dalë edhe emrat e zëvendësuesve pavarësisht se shkarkimi mund të vonojë dhe pak ndeshje. Pretendenti kryesor për të marrë vendin e Koman është italiani Andrea Pirlo.
Ky i fundit është i papunë që prej sezonit të kaluar kur u shkarkua nga Juventusi, por është një profil që pëlqehet në Katalonjë më shumë prej stilit të lojës kur ai ishte futbollist. Me italianin konkuron një emër i përmendur shpesh si Xavi Hernandes, legjanda e këtij klubi, por situata monitorohet me kujdes prej faktit se ai mund të digjet në një periudhë që kurrsesi nuk është më e mira te Barcelona.
Në këto kushte mjaft pikë ka edhe për Antonio Conte-n, ish-trajnerin e Interit, Juventusit dhe Chelsea-s. Vlen për t’u përmendur edhe fakti se Barcelona ka bërë gati 5.8 mln për Koeman që i merr në formë kompensimi nëse largohet nga puna.