Pak orë na ndajnë nga hyrja e Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe në Washington janë vendosur masa të shumta sigurie për të shmangur një skenar të ngjashëm me atë që ndodhi më 6 Janar.
Një zjarr në një kamp të pastrehësh ka bërë që forcat e sigurisë amerikane të evakuojnë pjesëmarrësit gjatë një prove për inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, para Kongresit.
Fotografitë e postuara në mediat sociale treguan zjarrin në kampin e të pastrehëve që ndodhet nën një autostradë dhe nuk dihet ende nga zjarri nëse ka të lënduar.
Pak pasi shpërtheu zjarri, u dëgjuan sirenat e policisë dhe helikopterët fluturuan mbi zonë. Pjesëmarrësit në provë, u udhëzuan të drejtoheshin në një vend të sigurt brenda kompleksit të Kongresit.
Washingtoni është në gatishmëri të lartë për protesta të mundshme të dhunshme përpara inaugurimit të Bidenit më 20 janar. Më shumë se 20.000 pjesëtarë të armatosur të Gardës Kombëtare po mbështesin policinë lokale dhe federale këtë javë pasi protestuesit sulmuan Kongresin më 6 janar, duke lënë të vdekur pesë persona, përfshirë një oficer policie.
Forcat e sigurisë kanë ndaluar hyrjen e automjeteve në shumë rrugë rreth Kongresit dhe kanë ngritur një gardh të lartë shtatë metra rreth perimetrit të ndërtesës.
Fundjavën e kaluar, një person i armatosur me një pistoletë të mbushur dhe i pajisur me 500 fishekë u arrestua teksa tentonte të thyente perimetrin e kontrolluar nga efektivët e Gardës Kombëtare.